Haxhi Avdyli, deputet nga radhët e grupit parlamentar Lëvizja Vetëvendosje, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë brenda afatit ligjor. Ai deklaroi se është vënë në lajthitje nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
Paraprakisht, para se të fillojë seanca gjyqësore, gjyqtarja Sulltane Hoti, në mënyrë të kundërligjshme ka kufizuar monitoruesen e “Betimi për Drejtësi”, që të bëjë fotografi në zyrën e gjyqtares, ku edhe po mbahej seanca gjyqësore e cila ishte publike. Kjo, me arsyetimin se seanca është duke u mbajtur në zyrë dhe jo në sallë të gjykimit.
Për këtë kufizim, gjyqtarja Hoti nuk nxori aktvendim të arsyetuar me shkrim, ashtu siç e kërkon ligji.
“Zakonisht në zyre nuk lejohet, qa ki me bo ti e ki fytyrë publike, mundesh me qitë çkado foto”, ka thënë gjyqtarja Hoti.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, “3. Fotografimi, filmimi, regjistrimi televiziv dhe regjistrime të tjera përpos regjistrimit zyrtar të shqyrtimit gjyqësor lejohen, përveç nëse gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues kufizon fotografimin, filmimin, regjistrimin televiziv ose regjistrimet tjera me aktvendim të arsyetuar me shkrim”. Kjo dispozitë është e aplikuar në secilën seancë publike”. Kufizimi i fotografimit në seanca publike me arsyetimin se seancat janë duke u mbajtur në zyrë nuk gjen mbështetje në ligj. Kështu, kufizimi i fotografimit në këtë rast është i kundërligjshëm.
Për më tepër, gjykatësja Hoti, arsyetimin e saj për të mos e lejuar fotografimin dhe incizimin e ka vazhduar, duke thënë se nuk është bërë kërkesë paraprakisht nga monitoruesit e gazetarët për ta lejuar fotografimin dhe incizimin.
“Tash mos më shti në procedura se kam shqyrtim gjyqësor me marrë vendim me ta leju, mos me ta leju se është dashtë ma herët me bo kërkesën, na veç kemi fillu për këtë seancë”, ka thënë Hoti.
Por, në asnjë dispozitë të Kodit të Procedurës Penale, nuk përcaktohet obligimi i monitoruesve dhe gazetarëve që të lejohet fotografimi dhe incizimi, pasi në parim seancat që janë publike, gëzojnë këtë të drejtë.
Më pas, me të filluar seanca gjyqësore, deputeti Avdyli u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë. Këtë deklarim, ai e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ajshe Ferati, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E para, e nderuara gjykatëse, kemi të bëjmë me një vit i cili ka qenë vit i pandemisë edhe ju e dini si ka qenë, gjykatat s’kanë punu, por edhe në furrë s’kena mujt me shku. Kjo është ajo domethënë që duhet ta merrni parasysh me rrëzu këtë aktakuzë”, ka thënë i akuzuari Avdyli.
Gjithashtu, ai tha se ka qenë fizikisht në Agjencionin për Parandalimin e Korrupsionit (APK), por nuk e kishin lejuar të hyjë brenda për shkak të pandemisë.
“Edhe Agjencioni nuk m’kanë leju me hy brenda, edhe domethënë me arsyetimin që nuk lejohet për shkaqe të pandemisë, kurse në derë shkruan “Në raste të veçanta edhe mund të pranohet”, ka deklaruar tutje Avdyli.
Sipas tij, kjo aktakuzë duhet të rrëzohet sepse është shumë e padrejtë, pasi që thotë se APK e ka vënë në lajthitje.
“Më 31 mars 2021: Përshëndetje jam Haxhi Avdyli deputet, për shkaqe objektive s’kam mujt të vij në deklarim të pasurisë deri sot, por po planifikoj që ta bëj nesër në mëngjes, 1 prill që është pas afatit. Përgjigja zyrtare ka qenë “Po bën”, mu m’kanë vu në lajthitje mu më duhet m’i qit në gjyq këta Agjenconin Kundër Korrupsion që m’kanë vendos në lajthitje dhe ma kanë cenu autoritetin tim edhe me m’pru këtu”, tha i akuzuari Avdyli.
Kjo ngase, sipas tij, nëse APK-ja do t’i kishin thënë se nuk lejohet sepse ka kaluar afati, atëherë ai tha se do të ishte me plot fjalën i akuzuar këtu.
“Por, ata kanë thanë bën edhe këtu i kam krejt këtu përgjigjet e tyre që bën, domethënë unë i kuptoj edhe ata që ka qenë viti i pandemisë e krejt këto”, tha Avdyli.
Avdyli deklaroi se në afatin kur është bërë kjo, ka qenë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe është akredituar shumë vonë.
“Zgjedhjet i kena pas më 14 shkurt, tani deri sa u licencuam dhe u akredituam si deputetë, ka pas fillu marsi”, ka shtuar ai.
Pas deklarimit të të akuzuarit Avdyli rreth fajësisë, gjykatësja e rastit Sulltane Hoti e ka njoftuar atë me të drejtën se brenda afatit prej 30 ditësh mund të bëjë paraqitjen e kërkesës për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 maj 2022, ka ngritur aktakuzë kundër Haxhi Avdylit, të cilin e ngarkon për mosraportim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Sipas aktakuzës, më 31 mars 2021, i pandehuri Avdyli, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë brenda afatit ligjor.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me nenin 8, paragrafi 1 të Ligjit për Deklarim, Prejardhje dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, edhe për kundër faktit se nga organet kompetente është njoftuar me kohë dhe se sipas ligjit ka qenë i obliguar që një gjë të tillë ta bëjë për vitin 2020, që nga data 1 mars e deri më 31 mars 2021, në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë.
Me këtë, Avdyli akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës të Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...