Google ADS

Scholz me kërkesa ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës dhe sanksione ndaj Rusisë

19:31 | 10 Qershor 2022
L G

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi më 10 qershor se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës.

Ai këto deklarata i bëri gjatë një vizite në Prishtinë, pas së cilës vizitoi edhe Beogradi ku porositi se si një vend kandidat për anëtarësim në bllok, Serbia duhet t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Në Prishtinë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Scholz porositi se duhet të ketë qëndrim konstruktiv në dialogun Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011 dhe që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, tha Scholz.

Në Beograd, ai tha se qëndrimi i Gjermanisë për çështjen e Kosovës është i qartë dhe i njohur prej vitesh dhe shtoi se tani është e nevojshme që “të gjithë në proces të bëjnë përpjekje për të bërë përparim”.

“Shpresoj se do të marrim një raport për këtë progres. Hap pas hapi, të dyja palët duhet të kontribuojnë në të dhe janë përgjegjëse për të mos bllokuar asgjë, për të mos shtyrë takimet dhe për të bërë një sërë hapash të vegjël që do të çojnë në qëllimin përfundimtar”, tha ai.

Në Prishtinë, lideri gjerman tha në kohën kur po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës, zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe Serbisë bëhet edhe më e rëndësishme.

“Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën e mëtejme evropiane. Një qëndrim konstruktiv në këtë dialog është në interes të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Një marrëveshje politike midis dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime, për vende pune dhe me këtë edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë”, shtoi ai.

Kosova insiston që një marrëveshje finale me Serbinë duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./rel

Të ngjashme