SBASHK viziton shkollat e Kamenicës

16:56 | 4 Shtator 2019
Arbresh.info

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, bën të ditur se që nga mëngjesi është gjendur në mes kolegëve, prindërve dhe nxënësve të shkollave ”Hasan Prishtina”, “Nuhi Berisha”, “Idriz Seferi”dhe “7 Shtatori “, shkolla këto që sipas tij kishte tentuar t’i mbyllte kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Në komunikatën drejtuar mediave thuhet se në të gjitha këto takime mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit i janë falënderuar SBASHK-ut për mbështetjen, duke kërkuar angazhim edhe në të ardhmen. Ata janë zotuar se me unitetin e shkëlqyer në mes të prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve, do t’i mbajnë të hapura këto vatra arsimore.

“Përfaqësuesit e SBASHK-ut nga afër panë se nuk janë këto shkolla me një e dy nxënës, siç ka deklaruar Kastrati, po me numër shumë më të madh dhe është e pamundur që ata të udhëtojnë me dhjetëra kilometra drejt qendrës komunale, e aq më tepër, kur këto shkolla janë në pjesë malore dhe udhëtimi do të ishte tepër i pamundur për moshën e tyre, në një gjatësi aq të madhe dhe në kushte të rënda klimatike”.

“SBASHK dëgjoi me vëmendje gjithë brengat dhe shqetësimet e arsyeshme të prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve dhe kanë garantuar se do t’u qëndrojnë pranë njerëzve këtu me të gjitha mundësitë që kanë”.

“Mësimdhënësit dhe prindërit e katër shkollave të përmendura, janë zotuar se nxënësit gjegjësisht fëmijët e tyre do ta vazhdojnë mësimin në këto shkolla. Prindërit kanë deklaruar se me të gjitha mundësitë do të ruajnë vatrat e tyre arsimore dhe do të vazhdojnë përpjekjet që në takime me kryetarin Kastrati dhe zyrtarë të tjerë të krijojnë kushte të volitshme për punë. Ata kishin qëndrim kategorik që fëmijët nuk do t’i dërgojnë diku tjetër, e aq më pak në komunën që është dhjetëra kilometra larg prej tyre”.

“SBASHK-u publikisht i drejtohet kryetarit Kastrati dhe Drejtoreshës së Arsimit të Kamenicës, që të shpërndajnë mjete shkollore dhe ditarë e mjete të tjera administrative edhe në këto shkolla, sepse tekstet shkollore janë botuar nga mjetet e buxhetit të Kosovës, për të cilat kanë kontribuar edhe banorët e Tuxhec, Strezovoc, Krijlevë, Busovatë”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme