Google ADS

SBASHK-u paralajmëron protestë më 1 maj

14:59 | 24 Prill 2024
E.H

Nën arsyetimin se kryeministri Albin Kurti, ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë sjellje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) kanë paralajmëruar protestë më 1 maj.

Me anë të një komunikate të mërkurën, SBASHK-u ka renditur disa kritika për Qeverinë.

“Në qeverisjen tuaj gjërat ndryshuan dhe ju i nderuari Kryeministër, por edhe ministri Murati e ministrja Nagavci keni qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe kërkesave të tyre legjitime. Tani, si për inat, kolegët nga sindikatat e arsimit të vendeve të rajonit po na lavdërohen me pagat e ngritura vazhdimisht, që dallojnë shumë krahasuar me pagat në Arsimin Parauniversitar të Kosovës. Po na krenohen edhe me Kontratat e tyre Kolektive, për Ligjin për sigurimin shëndetësor, për atë të skemave pensionale dhe për kushtet e punës dhe për respektin e shprehur publikisht të qeverive të tyre ndaj figurës së mësuesit. Ju vepruat krejt ndryshe. Punuat Ligjin për paga që nuk realizoi pritjet tona të arsyeshme. Ju lëvizët në mënyrë ironike vlerën e koeficientit të pagave. Ju nuk e bëtë Ligjin për sigurime shëndetësore. Ju bëtë ndryshime e plotësime në Ligjin për skemat pensionale dhe, si me qëllim, mohuat të drejtën e fituar nga neni 8, paragrafi 6 që vitet e 90-ta i pranonte arsyeshëm si vite kontributdhënëse”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

Sipas kësaj Sindikate, Qeveria s’ka bërë asgjë për përmirësimin e kushteve në arsim që do ta rrisnin cilësinë.

“Ju paralizuat punën e Këshillit Ekonomik Social. Ju nuk doni të nënshkruani tani e sa kohë Marrëveshjen Kolektive që garanton të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe atë privat. Si reagim i kësaj qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve do të ketë protestë më 1 maj”, thuhet në komunikatë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme