Më 26 shkurt, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës (MASHT), kishte marrë vendim për kompensim të orëve të humbura mësimore, gjatë grevës trejavore të mësimdhënësve, nga gjysma e dytë të janarit deri në fund të javës së parë të muajit shkurt.
Në vendimin e MASHT-it, thuhej se “ditët e humbura të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar do të zëvendësohen, fillimisht, me pesë ditë të marra nga pushimi pranveror në prill të këtij viti, pesë ditë të shtuna dhe pesë ditë do të zgjatet përfundimi i këtij vitit shkollor”.
Por, ky vendim i Ministrisë së Arsimit nuk u respektua nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK), e cila i bindi mësimdhënësit që të mos i kompensojnë orët e humbura, as gjatë pushimit pranveror e as të shtunave.
Kjo sindikatë mbetet prapa qëndrimit të saj fillestar, se nuk do të ketë kompensim të orëve.
Megjithatë, ajo ka vënë një kusht për kompensim të orëve të humbura, vetëm për një javë, në rast se Kuvendi i Kosovës mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme dhe përmes një ndryshim-plotësimi të Ligjit për Pagat, barazon koeficientin e mësimdhënësve të ciklit klasor një deri në pesë, të pedagogëve, të psikologëve dhe të sekretarëve me atë të mësimdhënësve të ciklit klasor gjashtë deri në nëntë.
Sipas kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, asnjë ligj e as konventë ndërkombëtare nuk i obligon ata të kompensojnë orët e humbura gjatë grevës, dhe se “përjashtimin për zëvendësim të orëve të humbura, për një javë” do ta bënin vetëm për hir të kolegëve që janë dëmtuar nga koeficienti.
“Këshilli Drejtues (i SBASHK-ut) duke e përcjellë zërin e punëtorëve të arsimit të Kosovës, deklaroi se nëse Parlamenti mblidhet në një takim të jashtëzakonshëm dhe e voton përmirësimin e koeficienteve, në shenjë të solidaritetit me kolegët tanë, ne do të pranojmë që ta zgjasim vitin shkollor për një javë”.
“Por nuk ndodhi kjo, mbetet qëndrimi i njëjtë se nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura në grevë, sepse as Ligji mbi grevat e as konventat ndërkombëtare nuk kërkojnë që orët e humbura në grevë të kompensohen, sepse po të ndodhte kjo do t’i humbte çdo vlerë grevës dhe në të ardhmen nuk do të kishte arsye pse të mbaheshin grevat kur do të dihej se orët do të zëvendësohen”, thotë Jasharaj.
Sipas Jasharajt, edhe nëse do të përmbusheshin kërkesat e tyre, zëvendësimi i orëve do të bëhej vetëm për një javë. Në të kundërtën, sipas tij, nuk do të kompensohet as një ditë.
“Edhe në rast se përmbushen kërkesat, ky është qëndrim i mësimdhënësve të Kosovës dhe po them këtë javë do ta zëvendësonim në shenjë solidariteti dhe respekti për kolegët e dëmtuar. Dhe po u përmirësua koeficienti, për hirë të asaj ne do ta zëvendësonim një javë, sepse po them, Ligji për grevat nuk na obligon që t’i zëvendësojmë orët e humbura në grevë”, shton ai.
Kritik ndaj qëndrimit të SBASHK-ut është Këshilli i Prindërve, të cilët kërkojnë zbatim të vendimit të Ministrisë së Arsimit për kompensim të orëve, pasi sipas tyre, në këtë rast dëmtohen vetëm fëmijët.
Meqë zëvendësimi i orëve të humbura nuk është bërë deri tash, një zgjatje e vitit shkollor do të nënkuptonte që një pjesë e nxënësve të vijonte procesin mësimore edhe në temperaturat më të larta në fillim-verë.
Por, sipas Ymret Reshitajt nga Këshilli i Prindërve, as kushtet klimatike nuk do të paraqisnin problem, nëse mësimdhënësit do të ishin të përkushtuar e serioz në kryerjen e detyrave të tyre.
“Krejt është tek përkushtimi, nëse mësimdhënësit janë të përkushtuar që atë zëvendësim ta bëjnë në mënyrë serioze edhe nxënësit janë interesuar për ato njësi mësimore, gjithçka është mirë, përndryshe nuk shoh problematikë që koha (ngritja e temperaturave) ta bëjë kompensimin e orëve jo-efektiv. Ajo që duhet të kritikohet është mos-gatishmëria e SBASHK-ut që të shtunave kur ka pasur mundësi, si dhe gjatë pushimit pranveror të zëvendësohen orët. Kemi të bëjmë me një mos-gatishmëri te SBASHK-ut për ta kryer një obligim shtetëror. Kjo është shqetësuese, jo klima”, thekson Reshitaj.
Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim të ri lidhur me këtë çështje.
Ndërsa, profesori universitar dhe njohësi i fushës së arsimit, Rrahman Paçarizi, vlerëson se “vetë ndërlidhja e kompensimit të orëve me rritje të koeficientit të pagës, është absurd” dhe, sipas tij, “dëshmon se SBASHK-ut më së paku i intereson përmbushja te planprogrameve, kurrikulave dhe detyrave kundrejt nxënësve”.
“Unë e kuptoj tendencën, synimin, e secilit grup social apo grup punëtorë për përmirësim të mirëqenies, mirëpo këto çështje në asnjë mënyrë nuk guxojnë të ndërlidhen mes vete. Tashmë me Ligjin e ri të pagave, është rritur koeficienti dhe pritet implementimi i tij brenda afateve ligjore”.
“Prandaj, mendoj se kushtëzimi i mëtejshëm për kompensimin e orëve të humbura është absurd, është dëmshëm e sidomos kjo dëshmon se SBASHK-u nuk është i interesuar për punët që duhet t’i kryejë, që i ka obligim t’i kryejë, kur kemi parasysh edhe rezultatet turpëruese me të cilat ka dalë Kosova nga testi i PISA-s dy vjet më parë,” vlerëson Paçarizi.
Presioni i shtuar dhe aktiv mbi Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës të Kosovës, sipas Paçarizit është zgjidhja e vetme në këtë situatë.
“Fatkeqësisht, edhe SBASHK-u, ashtu sikur edhe struktura të tjera në Kosovë, janë të politizuara skajshmërisht dhe kryejnë më shumë punë për politikën, sesa punë për të cilat paguhen, punë për të cilat kërkojnë të paguhen më shumë. Në këtë kuptim, mendoj se zgjidhja e vetme ka mbet një presion i shtuar dhe aktiv, nga nxënësit dhe nga prindërit, që arsimtarët t’i kryejnë punët për të cilat edhe paguhen,” thekson ai.
SBASHK-u dhe mësimdhënësit deri tani, nuk e kanë zbatuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për kompensim të orëve, as gjatë pushimit pranveror e as të shtunave.
Fillimi dhe përfundimi i secilit viti shkollor, rregullohet më udhëzim adminstrativ nga Ministria e Arsimit, dhe me Udhëzimin Administrativ 11/2018, për kalendarin e vitit shkollor 2018/19, procesi mësimor, përfundon sipas këtij kategorizimi:
(1). Për nxënësit të cilët mbarojnë shkollën e mesme të lartë, klasën e dymbëdhjetë (maturantët), mësimi përfundon më 16 maj 2019,
(2) Më 6 qershor 2019, përfundon mësimi për nxënësit e klasave nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë, si dhe,
(3) Më 21 qershor 2019, për nxënësit e klasave një deri në tetë dhe fëmijët para-fillorë.
Megjithatë, vendimi i 26 shkurtit i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës, pos zëvendësimit gjatë pushimit pranveror dhe pesë të shtunave, parasheh edhe zgjatje të procesit mësimor edhe për një javë, nga këto data.
Shqipëri/ Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 e...
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës