Katër sindikata pritet sot ta takojnë kryeministrin e vendit Albin Kurti, si dhe ministrin e Financave Besnik Bislimin. Ky takim është thirrur nga sindikalistët për ta shprehur shqetësimin rreth mospërfshirjes së Ligjit për Paga, i cili është i pezulluar deri në fund të marsit, në Ligjin për Buxhet të 2020-s, shkruan sot Zëri.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, duke folur rreth paralajmërimeve të fundit nga kjo Sindikatë për përfshirje në grevë të tërë sistemit arsimor në vend tha për “Zërin” se gjithçka varet nga takimi që do ta kenë sot me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me ministrin e Financave Benik Bislimin. “Ka dalë si një lajm dhe është përhapur edhe tek anëtarësia e SBASHK-ut dhe te punëtorët e arsimit se gjoja Qeveria, gjegjësisht ministri i Financave Besnik Bislimi, mund të mos e ketë paraparë në Ligjin e Buxhetit për vitin 2020 pjesën buxhetore që kërkohet për Ligjin për Paga. Ky lajm nuk di se nga ka rrjedhur, por ka krijuar shqetësime të mëdha dhe jo vetëm në sektorin e arsimit, por edhe në shëndetësi, në Polici dhe në Doganë”, ka thënë Jasharaj për gazetën.
Jasharaj shprehu drojën për rikthimin e janarit të kaluar e ku i gjithë sistemi i arsimit u zhyt në grevë duke kërkuar kështu rritjen e koeficientit. “Duke u bazuar në takimin që e kishim me kryetarët e niveleve komunale dhe të universiteteve, që janë përfaqësues nga të gjitha komunat e Kosovës dhe nga i tërë sistemi arsimor, u debatua dhe u tregua se situata është acaruar në mes të punëtorëve të arsimit. Në qoftë se vërtetohet ky lajm dhe nëse qeveria ‘Kurti’, gjegjësisht Ministria e Financave nuk ka paraparë mjetet e duhura për ta zbatuar Ligjin e Pagave, atëherë kam frikë se do të ketë greva dhe e kam thënë edhe publikisht, kam frikë se do të përsëritet janari i vitit të kaluar, kur i tërë sistemi arsimor ishte në grevë e ku kjo grevë ishte edhe një betejë për ta ndryshuar koeficientin në Ligjin për Paga”, ka thënë tutje ai.
Jasharaj theksoi se e gjithë ajo çfarë pritet të ndodhë më tutje do të varet nga takimi që kanë sot me kryeministrin dhe me kryefinancierin. “Nëse qeveria ‘Kurti’ nuk parasheh mjete për këtë ligj ai në një mënyrë ose në një tjetër po e mohon ekzistimin e këtij ligji, i cili është aprovuar në Parlamentin e Kosovës gjatë legjislaturës së kaluar, pjesë e së cilës ishin edhe ata vetë. Varësisht nga rrjedha e takimit me kryeministrin dhe me ministrin e Financave, nëse ata na bindin me argumente që janë ndarë mjete atëherë situata do të jetë shumë e relaksuar, por në rast se ata na thonë se nuk janë ndarë mjete, atëherë unë do të jem i detyruar ta thërras Këshillin Drejtues dhe ky organ është i vetmi, i cili vendos për hapat sindikale”, ka thënë kryetari i SBASHK-ut./
Medon Berisha flet pasi është kthyer në një titullar të padi...
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...