Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është shprehur kategorikisht e bindur se nëse Qeveria e Kosovës nuk merr për bazë kërkesat e tyre, do të hyjnë në grevë të përgjithshme.
Kërkesë kryesore mbetet miratimi i Ligjit për Punëtorët e Arsimit të Viteve 90-ta, shkruan arbresh.info.
Kjo sindikatë ka paralajmëruar që nëse deri më 13 prill Qeveria nuk vepron atëherë me këtë datë do të fillojë greva e përgjithshme duke përfshirë tërë sistemin arsimor, por duke përjashtuar çerdhet.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka thënë për Arbresh.info se kjo e fundit është duke bërë të gjitha angazhimet që një gjë e tillë të mos ndodhë, por në të kundërtën thotë se data 13 prill është afati i fundit kur Qeveria duhet të veprojë.
“Nëse Qeveria deri me datën 13 vepron me ligjin mbi statutin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 90-ta atëherë do të na lehtësonte punën dhe ne pastaj do të orientoheshim me grupet punuese, me komisione që janë formuar edhe nga qeveritë gjegjëse që të punojnë dhe të përfillen kërkesat tona me ligjin e punës, me ligjin e pagave ku ne kërkojmë një barazi pagash gjegjësisht të jemi të barabartë me të tjerët e jo siç kanë pretenduar në ligjin e kaluar që e kemi blloku që sistemi arsimor të jetë i nënçmuar dhe të jetë i ranguar në fund të kësaj liste duke i krahasuar me profesione që kërkohet vetëm shkolla fillore apo eventualisht shkolla e mesme”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse ligji për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta para 13 prillit del në Qeveri atëherë kësaj sindikate do t’i hiqej një barrë e rëndë, duke i shpërblyer këta punëtorë.
“Ky projektligji të dal në Qeveri para datës 13 prill dhe të niset drejtë në parlament me çka neve siç thotë populli të dy palëve do të na hiqej një peshë, një gurë nga qafa dhe do t’iu heqim borxhin personave të viteve të 90-ta, pastaj jemi duke biseduar edhe për ligjin e pagave edhe për ligjin e punës e ligje të tjera”, ka thënë Jasharaj.
Deri më datën 13 prill çdo gjë mbetet e hapur, ka pohuar Jasharaj.
“Çdo gjë mbetet e hapur nëse Qeveria nuk vepron si duhet dhe me kohë atëherë nëse na gjen 13 prilli në situatë të njëjtë atëherë i tërë sistemi arsimor në Kosovë përveç çerdheve do të fillojë me grevën e cila është në afat të pacaktuar, gjegjësisht do të zgjasë greva deri sa nuk realizohen kërkesat tona”, ka deklaruar ai për arbresh.info.
Ndërsa, njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë për Arbresh.info se sa për t’i ikur grevës mund të ndodhë që Qeveria ta procedojë këtë ligj për në Kuvend e më pastaj ky i fundit të zvarritet.
“SBASHK-u rrezikon ta humb besimin nëse nuk vepron, pasi kjo është marrëveshja e tretë që e nënshkruan me subjektet politike, të cilat obligohen se do ta miratojnë ligjin në afat më të shkurtër. Kjo e bën më të vështirë arritjen e kompromisit në mes të dy palëve. Mund edhe të ndodhë që, për ta parandaluar grevën, Qeveria e dërgon Ligjin në Kuvend, pastaj e zvarritë aprovimin e tij”, ka pohuar Pupovci.
Sipas tij, nisma për hartimin e këtij ligji po bëhet vetëm sa për të mbledhur poenë politikë, subjektet që i hyjnë garës.
“Nisma për hartimin e këtij ligji, më shumë ka të bëj me mbledhjen e poenave politikë sesa me dëshirën e sinqertë që të adresohen nevojat e mësimdhënësve të pensionuar, të cilët ndajnë fatin me pensionistët e tjerë në Kosovë. Zakonisht, kjo nismë aktualizohet në kohë të fushatës zgjedhore, pastaj disi harrohet. Qeveria e di se aprovimi i një ligji të tillë do të shkaktojë kërkesa të ngjashme edhe nga kategoritë tjera që kanë vuajtur në vitet e 90-ta, prandaj edhe nuk shpejton”.
Por, Pupovci nuk ka lënë pa përmendur edhe pasojat që do të vijnë nga kjo grevë e paralajmëruar.
“Kuptohet se një grevë e gjatë ndikon në cilësi dhe mund t’i dëmtojë, në veçanti, nxënësit e klasave të 9-ta dhe të 12-ta që duhet t’i shtrohen testeve kombëtare. Po ashtu, mund ta rrezikojë mbajtjen e testit PISA, nëse administratorët, shumica prej të cilëve janë mësimdhënës, refuzojnë të angazhohen në këtë proces”, ka thënë ai.
Në një takim që ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi kishte pasur me përfaqësues të SBASHK-ut, kishte kërkuar nga këta të fundit që të shqyrtojnë të gjitha mundësitë për anulimin e grevës së paralajmëruar.
Por, nga Sindikata kanë thënë se nuk mjaftohen vetëm me fjalë, por se greva do të anulohet vetë, nëse kërkesat e tyre plotësohen./Jehona Zhuniqi/arbresh.info/
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...