Google ADS

SBASHK u bën thirrje anëtarësisë që të mos nënshkruajnë ndryshimet  e kontratës së punës

12:35 | 15 Maj 2024
E.G

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBHASK) ka bërë të ditur se kohëve të fundit  po qarkullon një version i ri i Kontratës së punës për sektorin e arsimit.

Sipas njoftimit, ky version është kopje e keqe e një versioni të Kontratës së punës, është shumë më i dëmshëm dhe shumë më i keq se sa Kontrata ekzistuese e punës, që e kanë  punëtorët arsimor, shkruan Arbresh.info.

“ Ky version, që po qarkullon,  bie në kundërshtim edhe me Udhëzimin Administrativ të MASHT-it, nr. 10/2015 për  Kontratën e Punës për Mësimdhënës të Arsimit  Parauniversitar. Ky version i shpërndarë  ka shumë të meta dhe është i dëmshëm për punëtorët e arsimit ngase cenon të drejtat e fituara e po ashtu nuk specifikon normën javore mësimore prej 20 orë dhe nuk është specifikuar as pjesa e orëve të tjera që janë për përgatitje për mësim dhe për veprimtari të tjera arsimore.”, thuhet në njoftimin e SHBASHK-ut.

“Versioni i ri ka edhe të meta të tjera  e të cilat jemi të gatshëm t’ua prezantojmë  në takim  Kolegjiumit të Drejtorëve të Arsimit.”, thuhet tutje.

SBASHK-u i drejtohet  anëtarësisë, që kanë Kontrata pune në kohë të pacaktuar,  me apelin që të mos e nënshkruajnë versionin e ri të Kontratës së punës, ngase siç thuhet në komunikatën për media, ata kanë  Kontrata të punës në kohë të pacaktuar dhe nuk ju duhet gjë një Kontratë e re, e cila në vend që të shtojë ndonjë  të drejtë,  krijon mëdyshje , mjegull  dhe ka tendencë të mohimit të të drejtave  legjitime e të fituara  me kohë.

“SBASHK-u i drejtohet publikisht punëdhënësve që ta tërheqin nga qarkullimi këtë version të ri dhe të takohen me SBASHK-un e të bashkëbisedojmë dhe bashkërisht, nëse është nevoja, të përgatitim versionin e ri të Kontratës së punës, nëse do të shtojmë edhe ndonjë të drejtë të punëtorëve arsimor e nëse jo, atëherë ata kanë Kontratë pune në kohë të pacaktuar dhe nuk ju duhet diçka më e keqe nga kjo që e kanë.”, njofton SBASHK./Arbresh.info/

Të ngjashme