SBASHK-u apel prindërve: Mos lejoni që disa sektorë ta kenë pagën më të madhe se mësuesit e fëmijëve tuaj

14:38 | 13 Janar 2019
Arbresh.info

Rrahman Jasharaj, Kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), përmes një letre u është drejtuar nxënësve, studentëve e prindërve, në lidhje me grevën e mësimdhënësve që po mbahet.

“Të dashur nxënës dhe student, e ju të nderuar prindër të tyre. SBASHK-u ju drejtohet përmes kësaj letre me një apel publik për mirëkuptim, për orët që do ti humbni ndoshta edhe me muaj si dhe për vogëlushet në çerdhe që edhe ata s’do të kenë mundësi ti takojnë moshatarët e vet, por edhe edukatoret e tyre të dashura, jo pse këtë e dëshirojnë edukatoret, mësuesit, profesorët universitar dhe i tërë stafi i të punësuarve në arsim, por kjo grevë u imponua për shkak se negociatat për plotësimin e kërkesave nuk dhanë rezultate”, thuhet në letrën e SBASHK-ut.

Tutje, thuhet se u bëjnë apel atyre, që të dalin në mbështetje të edukatorëve e mësuesve të fëmijëve, siç thuhet në letër, në mënyrë që këta në ligjin e pagave mos të mbesin me koeficient më të vogël se vozitësit dhe truprojat e krerëve të shtetit. “Dhe mos lejoni që disa sektorë të caktuar të kenë pagën deri në 88% më të madhe se sa mësuesit e fëmijëve tuaj”.

“Përkrahja e juaj ashtë shumë e rëndësishme për edukatorët dhe mësimdhënësit, se me këtë do ta ngrisni moralin e tyre dhe me këtë ata nuk do të ndihen të vetmuar, por njëkohësisht do të kontribuoni që Qeveria dhe Kuvendi do ta plotësojnë kërkesën e arsyeshme të punëtorëve të arsimit. Gjithashtu apel ju bëjmë edhe Deputetëve të Parlamentit të Kosovës, një pjesë e të cilëve ishin punëtorë të arsimit, që të gjejnë kurajo ta ndërpresin pushimin dhe të takohen, dhe ta analizojnë në detaje ligjin e pagave, por edhe tabelën 1 shtojcë të këtij ligji sepse aty lehtë mund të vërejnë sa janë dëmtuar të punësuarit në arsim, dhe të korrigjojnë këtë gabim të qëllimtë apo të pa qëllimtë të ministrit Yagcilar së bashku me komisionin hartues të këtij ligji. Ta thirrni në interpelancë ministrin Yagcilar për këtë degradim që iu është bërë punëtorëve në sektorin publik në arsim, krahas të punësuarve në sektorët tjerë. Gjithashtu nëse deputetet e kanë të pamundur ti rregullojnë defektet e shumta në ketë ligj, ta kthejnë të hartuesi për përmirësim”, thuhet në letrën e SBASHK-ut.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme