Google ADS

SBAShK rikonfirmon mbështetjen për Programin Nacional për Rininë

11:30 | 25 Tetor 2019
A. B.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës Rexhep Hoti sot u prit në takim nga Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Hoti njoftoi SBASHK-un me rrjedhën e zbatimit të Programit Nacional për Rininë e më konkretisht për garat dhe shpërblimet ndërkohë që i falënderoi për mbështetjen e gjertanishme.

“Në gjithë punën tonë, absolutisht sindikata ka pasur një rol jo vetëm strategjik por edhe moral dhe ne në terren e kemi parë gjithkund mbështetjen e saj. Nga procesi i garës janë ndarë 44,723 certifikata për fituesit dhe mendoj që kjo ka qenë e arritura më e madhe e kjo nuk ka mundur të ndodhë pa mbështetjen e SBAShK-ut, Drejtorive Komunale të Arsimit, pa mësimdhënësit, prindërve e të tjerë. Ka qenë i vetmi projekt që ka pasur mbështetjen e pozitës dhe të opozitës e kjo e ka bërë të mundshëm një projekt të jashtëzakonshëm. Ne sivjet kemi e filluar edhe me garën në sportin andaj presim përkrahjen tuaj. Qeveria e ardhshme dhe kryeministri i ardhshëm duhet të investojë më shumë në garën shkollorë në mënyrë të t’i stimulojmë edhe mësimdhënësit me një kompenzim”, u shpreh Koordinatori Hoti.

Ndër të tjerash, Hoti e njoftoi Jasharajn për mbarëvajtjen e kampeve kreative të cilat janë në javën e tretë ku marrin pjesë nxënësit fitues të nivelit republikan.

E Kryetari Rrahman Jasharaj, ritheksoi mbështetjen e SBAShK-ut për programin duke thënë se do të japin kontributin e tyre sa herë që është e nevojshme.

“Respekt për punën që keni bërë dhe ju premtojmë gatishmërinë tonë që në të ardhmen të jemi pjesë e përpjekjeve tuaja dhe të ndihmojmë aq sa mundemi në terren që aktivitetet të realizohen sa më mirë. Unë besoj se me këto aktivitete të garave shkollës do t’i kthehet jeta dhe nxënësve do t’u kthehet dëshira për të shkuar në shkollë.”, theksoi Kryetari Jasharaj.

Në shenjë falënderimi, Koordinatori Hoti i dhuroi Kryetarit Jasharaj mirënjohje për kontributin e dhënë në zbatimin e Programit Nacional për Rininë.​ /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme