Google ADS

SBASHK: Qeveritarët nuk kanë bërë asgjë për mësimdhënësit e sëmurë rëndë

12:05 | 5 Korrik 2017
Arbresh.info

Kryesia e SBASHK-ut përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj neglizhencës së institucioneve të vendit për t’u dalë në ndihmë mësimdhënësve të sëmurë rëndë.

Për ta ngritur cilësinë në arsim dhe për të qenë të gatshëm mësimdhënësit të ecin në hap me zhvillimet e hovshme teknologjike  shteti duhet ta ndërrojë qasjen ndaj arsimit dhe  duhet përfillur kërkesa e SBASHK-ut që punëtorët e arsimit që janë të goditur nga sëmundje  të rënda të lirohen nga procesi arsimor dhe t’u jepen pensione dinjitoze.

SBASHK-u përkujton se numri i mësimdhënësve të cilët janë të sëmurë rëndë nuk është i madh, andaj shteti me pak angazhime do të siguronte mjete për t’i dërguar në pushim të merituar duke ua siguruar një pension të dinjitetshëm

“Ata njerëz sot e gjithë ditën shkojnë në shkollë sa për ta ruajtur vendin e punës dhe pagën dhe ndihen plot siklet që pas dekadave të punës së përkushtuar sëmundja e rënd nuk i lë të japin kontributin e tyre dhe shpesh edhe bëhen objekt talljeje nga  një pjesë e nxënësve apo objekt ofendimi nga prindërit”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, SBASHK-u kritikon partitë politike që ishin në pushtet, qoftë në nivelin lokal apo qendror, se arsimin e kanë shpallur prioritetet për të larë borxhin ndaj atyre që kishin vrapuar anë e kënd vendit për të siguruar vota duke i qerasur me pozita drejtorësh të shkollave.

SBASHK konsideron se mësimdhënësit e sëmurë rëndë kanë nevojë për ndihmën e shtetit që të jetojnë të qetë dhe të ndjehen mirë, ndërsa për ta ngritur cilësinë në arsim duhet të zbritet mosha e pensionimit në mënyrë që mësimdhënësit në moshën 60-vjeçare t’i lënë lamtumirën shkollës dhe të gëzojnë një pension meritor.

“Qeveritë lokale e ajo qendrore mund të thonë se këto veprime kushtojnë, por ata duhet të kenë qasje të drejtë ndaj arsimit dhe të kuptojnë  se sado buxhet i lartë që i dedikohet arsimimit të gjeneratave, ato mjete nuk janë shpenzime kot, po janë investime për të ardhmen e këtij vendi. Është bërë ironik e bajat deklarimi “Arsimi është prioritet për shtetin. Duhet veprime dhe investime konkrete”, thuhet në komunikatën e Kryesisë së SBASHK-ut.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme