SBASHK: 70 për qind e shkollave nuk kanë mbajtur sot mësim

19:51 | 15 Tetor 2022
E.H

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka thënë se në 70 për qind të institucioneve të arsimit fillor e të mesëm të ulët këtë të shtunë nuk është mbajtur fare mësimi.

Kurse, në pjesën tjetër thuhet se numri i nxënësve ka qenë tepër i vogël dhe prandaj edhe aty nuk mund të thuhet se ka pasur proces mësimor.

“Kjo është vlerësuar në takimin e jashtëzakonshëm që SBASHK-u ka mbajtur me kryetarët e nivelit komunal sindikal të cilët kanë raportuar lidhur me gjendjen e sotme në komunat e tyre”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas SBASHK-ut, MASHTI që në fillim të javës që po vjen të mbaj takim urgjent me përfaqësues të Asociacionit të Komunave, të Kolegjiumit të DKA-ve, të Këshillit të Prindërve dhe të SBASHK-ut për të bërë përpjekje të përbashkëta dhe për të arritur marrëveshje të pranueshme lidhur me orët e humbura në grevë.

“Nëse nuk veprohet kështu , atëherë do të kemi situatë të njëjtë edhe në të shtunat tjera e aq më shumë edhe në ditët e rregullta të punës procesi mësimor nuk do të ketë rrjedhë të mbarë nga debatet që do të zhvillohen lidhur me çështjen e orëve e ditëve të humbura në grevë”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe, greva në tërë sektorin e arsimit ka filluar më 25 gusht dhe është pezulluar më 1 tetor.

Kërkesa kryesore e tyre ishte shtesa nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Greva u pezullua deri në janar të vitit të ardhshëm dhe kjo u bë pa marrëveshje me Qeverinë.

Një ditë më pas, ministrja Nagavci publikoi vendimin për ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor, sipas së cilit orët e humbura kompensohen të shtunave, duke filluar nga kjo javë. Megjithatë, me këtë vendim nuk u pajtuan as nga SBASHK-u, as prindërit e as komunat.

Ata po refuzojnë që mësimi të zëvendësohet të shtunave, duke rekomanduar të gjenden zgjidhje tjera./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme