Google ADS

Sarrazin folës në Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar

21:07 | 23 Shtator 2024
E.G

Forumi i dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili do të mbahet më 2-3 tetor 2024 në Prishtinë, do të mirëpresë Manuel Sarrazin, të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, si dhe Peter Beyer, anëtar i Bundestagut Gjerman.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, njofton se së bashku me ekonomistë të shquar nga Kosova dhe Gjermania, ata do të diskutojnë zhvillimet gjeopolitike dhe ndikimin e tyre në ekonominë globale, rajonale, dhe marrëdhëniet gjermano-kosovare.

“Ky forum do të mbledhë mbi 700 të ftuar nga Kosova dhe Gjermania, përfshirë zyrtarë të lartë nga të dyja vendet. Përfaqësues të nivelit të lartë nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Veprim Klimatik (BMËK), së bashku me përfaqësues ekzekutivë të kompanive të mëdha gjermane, do të jenë pjesë e paneleve që do të diskutojnë zgjidhjet për energjinë, teknologjinë dhe industrinë”, thuhet në komunikatën e OEGJK-së.

Forumi i këtij viti synon të forcojë lidhjet ekonomike mes dy vendeve dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi, me programe të dedikuara për Zgjidhjet Teknologjike, Energjetike, dhe Industriale. Ngjarja premton mundësi të jashtëzakonshme për rrjetëzim dhe shkëmbim njohurish mes komuniteteve të biznesit të Kosovës dhe Gjermanisë.

“Forumi i parë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili u mbajt në vitin 2022, solli një investim prej 20 milionë eurosh në sektorin e prodhimit në Kosovë, duke dëshmuar rëndësinë e këtij eventi për zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në komunikatën e OEGJK-së.

Të ngjashme