Google ADS

Samiti në Shkup, Rama: Synon integrimin në tregun e BE-së, mundësi që nuk duhet humbur

09:57 | 22 Janar 2024
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet sot (22 janar) në Shkup ku do të marrë pjesë në Samitit e Liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Pak para mbledhjes së këtij samiti ku ndodhen liderët e Ballkanit Perëndimor, Rama tha në një konferencë për mediat se Shqipëria dhe rajoni duhet të përfitojë sa më shumë nga ky samit që do të lejojë integrimin e Ballkanit në tregun europian.

Nga Shkupi, Rama shtoi se vendet e rajonit duhet të fokusohen të punojnë së bashku drejt integrimit për të mirën e qytetarëve dhe të lënë pas ndasitë e tyre.

Mundësia për integrimin e rajonit në tregun e BE, për kryeministrin Rama është një mundësi që nuk duhet humbur dhe do përcaktojë të ardhmen e rajonit gjatë kësaj dekade, ky synimi kryesor është integrimi në BE.

“Ky është një takim i rëndësishëm pasi jemi këtu liderët e Ballkanit së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Europian për hapat e mëdha që duhet të ndërmarrim për t’u bashkuar dhe afruar sa më shumë me Bashkimin Europian. Është një plan për zhvillimin dhe integrimin në tregun evropian dhe kjo deri më sot ka qenë e pamundur për ne, dhe e mundur vetëm për vendet që janë pjesë e BE-së. Ky është një ndryshim i rëndësishëm dhe është një mundësi që nuk duhet t’a humbim dhe është e rëndësishme që sot jemi këtu për të punuar të gjithë së bashku. Ne duhet të kemi prioritet nevojat e qytetarët në fillim dhe ta lëmë historinë tonë për më pas. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet të bëjmë në kohë që në muajt e ardhshëm të përcaktojmë se si do të duken vendet tona në fund të kësaj dekade”, tha Rama.

Të pranishëm në këtë samit janë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Të pranishëm në samit janë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri Edi Rama, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, Kryeministër i Malit të Zi Milojko Spajiç, Ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, Xhejms O’Brajen (James O’Brien), dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo./rtsh.al/

Të ngjashme