Sami Lushtaku shpallet i pafajshëm

10:12 | 20 Maj 2019
Arbresh.info

Ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është liruar nga akuza për “shtytje për keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Për të njëjtën vepër penale u lirua edhe i akuzuari Azem Duraku.

Të pafajshëm janë shpallur edhe ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha dhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Kurse, i akuzuari Driton Pruthi u lirua nga akuza për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Beqir Kalludra nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Kurse, ndaj Esat Tahirit dhe Milazim Lushtakut, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim refuzues për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, me arsyetimin se është arritur parashkrimi absolut.

Të njëjtit u liruan sa i përket veprës penale të mashtrimit, kurse Tahiri edhe për shtytje për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ky proces gjyqësor më herët ishte duke u gjykuar nga EULEX-i, por Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 27 shtator të vitit të kaluar kishte aprovuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2” t’i delegohet gjyqtarëve vendorë të cilin vendim Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar vetëm pas dy jave.

Në shkurt të vitit 2016, para trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Vladimir Mikula të gjithë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në këtë rast hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012 ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Sipas aktakuzës në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshiheshin tashmë ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.

Shtatë të pandehurit akuzoheshin për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut.

Në këtë proces gjyqësor Sami Lushtaku ngarkohej me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj dhe Hysni Hoxha akuzoheshin për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzoheshin për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”.

Kontrata në fjalë ishte për periudhën dyvjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u./Betimipërdrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme