Sami Lushtaku mund të sillet me forcë në gjykatë

17:49 | 8 Janar 2019
Arbresh.info

Nesër pritet që të vazhdojë gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe gjashtë personave të tjerë të akuzuar lidhur me tenderin gjashtë milionësh për sigurimin e objekteve të KEK-ut.

Gjatë kësaj seance gjyqësore pritet që të akuzuarit të japin mbrojtjen.

Seanca e kaluar dështoi të mbahej pasi që në gjykatë pa ndonjë arsye nuk ishte i pranishëm Sami Lushtaku.

Pasi u konstatua mungesa e tij, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, urdhëroi sjelljen e Lushtakut me detyrim.

Të akuzuar për këtë tender janë ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha, ish- kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për mashtrim, ish-drejtori i prokurimit Driton Pruthi, ish-drejtorn e KEK-ut Arben Gjukaj dhe ish-kreu i OSHP-së Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Ndërsa ish- kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun prokuroria e akuzon për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Çështja e këtij tenderi të KEK-ut kishte shkuar më herët deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila refuzoi kërkesën e të akuzuarve për t’i vënë masë të përkohshme procesit

https://kallxo.com/kushtetuesja-refuzon-arben-gjuken-sami-lushtakun-hysni-hoxhen/

Për tenderin e KEK-ut Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar në vitin 2014, ndërsa hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, e aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme