Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të enjten më 7 shtator, kanë vdekur dy persona, nga siç thuhet, komplikimet gjatë operacioneve. Vdekja e tyre është cilësuar si e dyshimtë. Të paktën për një rast, policia ka nisur hetimet.
Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Reanimacionit,tha për Radion Evropa e Lirë se në të njejtën ditë, kanë qenë gjithsejt tetë raste, të cilave u është komplikuar gjendja shëndetësore. Dy prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.
Sipas Baftiut, personat që kanë ndërruar jetë kanë qenë 74 dhe 67 vjeç.
“Këta dy pacientë kanë pasur edhe komplikime të tjera shëndetësore. Pra, nuk janë katër pacientë siç është plasuar në media, por janë dy që kanë vdekur ditën e enjte”, tha Baftiu, duke pranuar se më 7 shtator ka pasur “komplikime në sallat e operacionit“.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj tha për Radion Evropa e Lirë se me këtë rast janë duke u marrë të gjitha institucionet relevante.
“Të gjitha institucionet relevante janë duke u marrë në mënyrë të pavarur. Inspektoratet e ndryshme, sipas përgjegjësive dhe kompetencave, janë duke kryer punën e vet. Ne jemi në bashkëpunim me ta”, tha Gjocaj.
Ndryshe, nga dita e enjte, përkohësisht janë pezulluar rastet e operacioneve të planifikuara (jo-urgjente) në bllokun e klinikave kirurgjike. Rastet urgjente nga blloku kirurgjik janë operuar në sallat e Klinikës Emergjente, të cilat po ashtu janë në funksion.
Zyrtarë nga Federata Sindikale e Shëndetësisë përmes një komunikate kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse që sa më parë të zbardhen këto raste të vdekjeve, të cilat po cilësohen si të dyshimta.
“Institucionet spitalore janë vende ku trajtohen, shërohen me mijëra pacientë por ndodhin edhe vdekje për të cilat nuk mund të ngritën paragjykime e spekulime, prandaj duhet të pritet vlerësimi përfundimtar nga ana e zyrtarëve përgjegjës të ngarkuar për rastin konkret nga ana e Drejtorisë së Shërbimi Spitalor Klinik Universitare”, thuhet në komunikatë.
Inspektori sanitar Ibrahim Tërshnjaku i tha Radios Evropa e Lirë se janë marrë mostrat dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pritet të dalë me rezultate mbi dyshimet për funksionalitetin e sallave operative.
“Ne si inspektorat sanitar, së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, kemi dhënë urdhëresë që të kryhen të gjitha ekzaminimet në aspektin higjieniko – sanitar dhe në bazë të rezultateve edhe do të reflektojmë”.
“Ne kemi dhënë urdhër që sallat operative të mbahen në nivelin më të lartë. Një gjë e tillë është duke u zbatuar, por rezultatet e analizave do të dëshmojnë saktë lidhur me aspektin higjieniko – sanitar”, tha Tërshnjaku.
Ndërkohë, edhe një rast tjetër gjatë këtyre ditëve është raportuar si vdekje e dyshimtë. Policia e Kosovës, përmes një komunikate ka njoftuar se “një mashkull, shqiptar, ka informuar se bashkëshortja e tij, e cila ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare, ka ndërruar jetë”.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës, Uran Ismaili ka deklaruar se analizat rreth këtyre rasteve janë nisur jashtë vendit, por ai nuk ka thënë se në ç’vend janë dërguar ato.
Izraeli arreston 240 palestinezë, përfshirë mjekë pas bastis...
Rizvanolli i quan “gënjeshtra” pretendimet se pajisjet efiçi...
Inter e mbyll me stilin vitin 2024 – mposht me rezultat komo...
Këmbësori goditet nga vetura te Bill Clintoni në Prishtinë
KOSTT: Rikthehet furnizimi me rrymë në Gjilan
Rriten rastet e norovirusit në ShBA