Projekti me titull “One roof- Gërmia for Concert Hall” është shpallur fitues nga Komuna e Prishtinës në garën për ndërtimin e sallës koncertale.
Ky projekt përfshinë dy salla koncertale, sallën e madhe që përfshinë rreth 800 ulëse dhe salla tjetër për koncerte të jazz-it me rreth 200 ulëse si dhe hapësira tjera për ushtrime, dhoma individuale për muzicientë etj.
Por, ky projekt ka sjellur edhe reagimet e kritikat e artistëve tanë.
Projekti i shumëpritur sipas tyre nuk parasheh numër të madh të vendeve për ulëse dhe hapësirën e mjaftueshme, ashtu siç do të ishte e nevojshme.
Kontratenori i njohur Safet Berisha për portalin Arbresh.info ka thënë se 1000 ulëset janë numër i arsyeshëm, por skena është e vogël.
“Numri prej 1000 ulësesh sigurisht që është një kompromis, megjithatë është numër i arsyeshëm. Ajo çfarë e kanë vënë në pikëpyetje edhe disa artistë tjerë, bazuar në foto dhe video prezentimin, të lë përshtypjen se skena është e vogël për të akomoduar orkestrin simfonik apo edhe korin”, ka deklaruar Berisha.
E sopranos Arta Jashari, nuk i ka pëlqyer projekti në fjalë.
“Mua personalisht nuk më ka pëlqyer projekti fitues i Sallës Koncertale dhe më është dukur e vogël. Më ngjanë me Sallën Koncertale në Shkup. Kishte salla më të bukura të arkitektëve tanë shumë të mirë që kemi dhe që njohin rëndësinë e kësaj hapësire për ne si artistë. E kam thënë edhe më parë, prezantimi i projektit fitues ishte personalisht zhgënjyes. Ne kemi nevojë për hapësirë, akustikë të nevojshme dhe ulëse për publikun. Mirëpo, nëse kjo është cilësuar si opsioni i vetëm, ashtu le të mbetet sepse kemi dekada që presim”, ka deklaruar Jashari.
Ditë më parë për këtë çështje pati reaguar në profilin e tij në Facebook, tenori me famë botërore Ramë Lahaj, i cili e konsideron si projekt të vonuar e objekt gjysmak.
“Jam i irrituar e jo dakord, si profesionist që i kam parë e performuar në sallat më prestigjioze të botës në të katër kontinentet, meqë s’kemi nevojë për një objekt gjysmak e të improvizuar”, ka reaguar Lahaj.
Sipas këtyre artistëve duhet një objekt adekuat me disa salla e galeri universale në kuptimin që të jenë të vendosura të gjitha artet në të.
Ndryshe ky projekt është përkrahur e financuar nga BE-ja, ndërsa lokacioni është caktuar nga Komuna e Prishtinës në objektin e ish “Gërmisë”./arbresh.info/
KFOR-i turk patrullon në veri të vendit
“S’të kam lënë kurrë në baltë”, Sara dhe Driloni nuk ndahen ...
Banorët e Bibajve të Ferizajt protestojnë për reduktimet e r...
Juventusi ka një plan B në rast se dështon transferimi i Zir...
Izraeli arreston drejtorin e një spitali në veri të Gazës
Kurti dhe Nagavci vendosin gurthemelin e çerdhes në Rekë-Vat...