Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, i cili po akuzohet për sulm ndaj personit zyrtarë, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe aktivistëve të tjerë, e ka konsideruar si të montuar dhe tendencioze nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Këto deklarime i ka dhënë gjatë seancës fillestare, të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Salih Zyba dhe aktivist tjerë, ngarkohen me veprat penale si sulm ndaj personave zyrtar, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, pjesëmarrje në turmë dhe huliganizëm si dhe akuzohen për dëmet e shkaktuara me rastin e protestave të vitit 2015, të organizuara nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje dhe e përkrahur nga subjektet opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA Socialdemokrate.
Në këtë seancë ka qenë i pranishëm dhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje , Ngadhënjim Haxhosaj, i cili po ashtu akuzohet për kryerjen e veprës penale, sulm ndaj personit zyrtarë, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Kurse, ka munguar i akuzuari për veprën penale, pengim i personit zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, Leotrim Pacolli, për të cilin gjykata nuk ka pasur prova se është ftuar në mënyrë të rregullt.
Në fillim të shqyrtimit, gjykatësi i rastit Shefqet Baleci, kërkoi mendimin e palëve të pranishme që procedura penale të veçohej për të akuzuarit nga numri një deri në numrin njëzetenjë, të cilët akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale, pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm.
Sipas gjykatësit Baleci, procedura do të veçohej, për shkaqet e rëndësishme të natyrës objektive, duke pas parasysh situatën e krijuar me pandeminë COVID-19 dhe faktin se kjo gjykatë ka vetëm sallën ku është mbajt gjykimi me hapësirën më të madhe.
“Ashtu që po të jenë të pranishëm të gjithë të akuzuarit nuk do kishte kushte që gjykata të zbatoj masat për parandalimin e përhapjes se COVID-19, siç është përcaktuar nga ana e organeve kompetente shtetërore të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Prokurorja Elza Bajrami, deklaroi se pajtohet që të veçohet procedura, për shkak të situatës së krijuar si dhe efikasitetit gjate rrjedhjes se procedurës penale.
Mirëpo me veçimin e procedurës nuk u pajtuan i akuzuari Zyba si dhe i akuzuari Haxhosaj.
I akuzuari Haxhosaj, deklaroi nuk e kuptojnë aktakuzën dhe kërkoi që procedura ndaj tij të vazhdoi, pasi të krijohen rrethanat pas kalimit të pandemisë.
Ndërsa, i akuzuari Zyba, deklaroi se nuk e konsideron se ndarja kaq e pjesshme në përpjekje për të arsyetuar rrethanat aktuale me pandemi është në funksion të bërjes drejtësi apo ndarjes së drejtësisë, pasi sipas tij, “afati, zvarritja, mënyra e bartjes së lëndës në këtë lokacion, mos përfillja e procedurave të nga ana e Prokurorisë, fillimisht në raport me të akuzuarit, nuk lënë për të kuptuar se është në funksion të një procedure të rregullt”.
Pasi sipas tij “ka të bëjë me një organizim publik, me një lënde zyrtare duhet të ketë trajtim të tillë si lëndë unike dhe të mos përpiqet askush përmes arsyetimeve momentale me i dhënë zgjidhje mbi bazën e tendencave”.
I njëjti pretendoi se ftesa i është dërguar muaj më parë së bashku me një aktvendim, ku përveç emrave të të akuzuarve të bashkangjitura citohen dhe provat e prokurorisë. Ai tha se e “ka për obligim ligjor dhe procedural të ofroj dëshmitë me të cilat na ngarkon, obligim të cilin nuk e ka kryer, arsyet mendoj se janë në funksion të përpjekjes për të montuar dhe tejkaluar kompetencat e veta”.
“Nga gjykata kërkoj të ketë parasysh këtë shkelje procedurale dhe përpjekjet për të shpërfillur obligimet ligjore, pasi nuk konsideroj se ka kushte për të vazhduar në mungesë të provave të cilat nuk i posedojnë si të akuzuar”, ka thënë i akuzuari Zyba.
Më pas, gjykatësi Baleci, pyeti të akuzuarin Zyba, nëse nënkupton kjo deklaratë, se në mungesë të provave është e pa arsyeshme të veçohet procedura, i akuzuari Zyba, serish theksoi se përpjekja për të ndarë personat fillimisht përmes veprave të kategorizuara, ku ky kategorizim, sipas tij, është bërë vetëm për shkak të përkatësisë dhe përgjegjësive si pjesëmarrës aktiv në këtë tubim, kjo ka ndodhur nga kushdo që ka qenë i përfshirë dhe me pas është përpjekur në emër të argumentimit të montoi aktakuzën.
Lidhur me këtë deklarim për montim të aktakuzës, reagoi prokurorja Bajrami, duke u drejtuar me fjalët “kush ka montuar”.
Këtë reagim, i akuzuari Zyba e konsideroi si ndërhyrje, përderisa, gjykatësi Baleci, i tërhoqi vërejtjen prokurores Bajrami dhe kërkoi nga i akuzuari Zyba vazhdoi me deklarimin e tij, pasi është ai i cili e drejton seancën.
I akuzuari Zyba, shtoi se si aktivist kanë pasur përvoja jo të mira me zyrtarët dhe u janë nënshtruar disa herë procedurave të ngjashme, në këto raste mbrojtja e tyre është bërë në heshtje, ku në shumicën e rasteve u ka kushtuar, sepse sipas tij, personat zyrtar kanë keqpërdor detyrën, duke ditur se “ne nuk marrin mbrojtës ligjor, e me pas akuzat dhe vendimet e tyre janë marre jo në bazë të fakteve, ndaj konsideroj se rasti është i njëjtë”.
Pasi dhe i akuzuari Haxhosaj, u deklarua se provat pas ngritjes së aktakuzës nga prokurori i shtetit nuk u janë siguruar, gjykata konstatoi faktin se të akuzuarve Ngadhënjim Haxhosaj dhe Salih Zyba, nuk u janë siguruar provat siç e parasheh neni 244 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe konstatoi se tani për tani është kërkuar vetëm mendimi i palëve për veçimin e procedurës.
Shqyrtimi është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Shqyrtimi i ardhshëm do caktohet pasi gjykata të njoftohet nga te gjithë të akuzuarit e këtij rasti se u janë dorëzuar provat siç e parasheh neni 244 i KPP-së.
Ndryshe, seanca fillestare lidhur me këtë rast ka qenë e parapare të mbahet me 6 prill 2020, mirëpo ka dështuar të mbahet si shkak i përhapjes se virusit Covid 19.
Në aktakuzën e ngritur me 23 janar 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje , Salih Zyba së bashku me Ngadhënjim Haxhosaj , secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtarë, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare ” nga neni 410 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Augustin Zukaj, Arbër Jashari, Alban Nazifi, Bajram Llapashtica, Bashkim Bejtullahu, Bejtullah Munishi, Besart Grezda, Bardhosh Zjaça, Bajram Jonuzi, Besnik Salihaj, Dritan Gashi, Florian Sylejmani, Faik Rrustemi, Hysen Saferi, Ilir Nura, Gëzim Shatri, Kushtrim Ramadani, Kujtim Jakupi, Meriton Cakiqi, Minush Krasniqi, Rexhep Korçaj, secili veç e veç ngarkohen me veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm” nga neni 412 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, Leotrim Pacolli ngarkohet me veprën penale “Pengim i personit zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit për “Pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm” me 27 janar 2015, prej orës 12:45-18:00, në Prishtinë, përkatësisht në sheshet “Skënderbeu”, “Ibrahim Rugova”, Nëna Terezë”, “Zahir Pajaziti”, Rruga “Tring Ismaili”, duke vazhduar në bulevardin “Bill Klinton”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në lagjen” Ulpiana” te Posta Kryesore, me rastin e mbajtjes së protestës gjithë popullore, të organizuara nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, e përkrahur nga dy subjektet opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, të pandehurit secili veç e veç me dashje kanë marrë pjesë në turmën e njerëzve , me qëllim që me veprimet e tyre të përbashkëta të shkaktojnë dhunë ndaj personave, respektivisht të dëmtojnë pasurinë.
Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në atë mënyrë, që në shenjë pakënaqësie për synimin dhe rrjedhën e protestës, në drejtim të zyrtarëve policore, të caktuar në ruajtjen e rendit dhe sigurinë e përgjithshme , me veprime të dhunshme, duke përdorur forcën, kanë hedhur gjësende të ndryshme të improvizuara në çast, si gurë të dimensioneve të ndryshme, kubëza betoni, pjese druri, gyp metali, shufër metali, reshetke nga metali, shishe uji, kaçavida, mjete të gjitha këto të përshtatshme për të shkaktuar dëmtime trupore ndaj zyrtarëve policore, vet protestuesve si dhe dëmtimin e pasurisë publike e asaj private.
Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë dëmtuar, thyer, automjete zyrtare, pajisje teknike dhe mbrojtëse të policisë, gardërobën e policisë, në vlerë prej 20.000 euro vetëm në regjionin e Prishtinës, kontejnerët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “ Pastrimi” Sh.a, në Prishtinë, 47 copë, në lartësi prej 16,480.80 euro, rreth 12 vetura private, në objektin e UNION-it , terrasë dhe xhami i një restoranti i krisur, tendat e lokaleve të rrëzuara.
Gjithashtu, “Pizzeria Liberto” i janë dëmtuar katër xhama, një TV plazma “Samsung”, disa karrige të objekteve private, sikurse ishte dëmtuar trotuari gjelbërimi, vazot e drunjtëve të ndryshme, anësoret e trotuarit, ku si pasoje e veprimeve të atilla 141 polic edhe protestues, sipas ekspertizës mjeko ligjore, kanë pësuar dëmtime te lehta trupore me ç `rast përveç dëmit material, të pandehurit kanë shkaktuar rrezik të madhe për jetën e përbashkët, rendin publik, sigurinë e njerëzve dhe të pasurisë.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, në të njëjtën datë, rreth orës 14:30 minuta, në Prishtinë, përkatësisht, sheshin “Skënderbeu” me rastin e mbajtjes së protestës gjithë popullore, të organizuara nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, e përkrahur nga dy subjektet opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, të pandehurit Sali Zyba dhe Ngadhënjim Haxhosaj, secili veç e veç, me dashje, drejtpërsëdrejti kanë sulmuar personat zyrtar në kryerjen e detyrës lidhur me sigurinë e përgjithshme.
Në aktakuzë thuhet se, kanë vepruar në atë mënyrë, që në shenjë pakënaqësie për rrjedhën e protestës, fillimisht të njëjtit futen brenda kordonit të sigurisë, ku me veprimet e tyre kanë shfaqur sjellje të dhunshme, duke i shtyre në vazhdimësi me duar dhe me tëre trupin zyrtarët policor, pastaj me lëvizjet e tjera me dorë e këmbë kanë tentuar të i godasin, për çka arrestohen.
Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë arrestimit i pandehuri Zyba, edhe më tej, ka shfaqur rezistence aktive, ku në një moment me duar nga këllëfi i brezit, ka tentuar t`ia heq armen zyrtare, zyrtarit policor Berat Gashi, me ç ‘rast zyrtari policor Adnan Muriqi, me koleget e tjerë, i ofrojnë ndihmën dhe arrijnë të ndalojnë në marrjen e armës, e më pas të shoqërojnë të njësia më e afërt e arrestimeve.
Ndërsa, në dispozitivin e fundit të aktakuzës, thuhet se, me 26 janar 2015, rreth orës 11:45 minuara, përkatësisht afër hotel Grandit , i pandehuri Leotrim Pacolli, me dashje, drejtpërsëdrejti, me forcë mekanike ka penguar personat zyrtare në kryerjen e detyrës zyrtare, në atë mënyrë që, i njëjti edhe përkundër tërheqjes së vërejtjes verbale të zyrtarëve policorë të caktuar në atë pikë sipas planit operativ rreth organizimit të protestës gjithë popullore, të largohet nga sheshi i qytetit, zonë kjo e ndaluar për qarkullim të automjeteve.
Ashtu që, drejton kamioneten e tipit Mercedes, për të i dërguar pajisjet teknike të zërimit, për protestën që do të mbahej në atë lokacion ditën e nesërme, me ç ‘rast gjatë lëvizjeve me kamionët ka tentuar të i shkel të gjithë zyrtarët policor në detyrë, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, në detyrë ishin zyrtarët policor Lulzim Borovci, Qamil Gashi, Besim Ibrahimi, Safet Veliu, ndërkaq Qamil Behrami, me pjesën e përparme të kamionetës goditet në trup, ku si pasojë e goditjes rrëzohet në tokë, mirëpo në atë kohë nuk kërkon trajtim mjekësorë.
Me këto veprime, Prokuroria në Prishtinë, e ka ngarkuar me veprën penale “Pengim i personit zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, në arsyetimin e aktvendimit mbi kalimin e kompetencës territoriale, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, thuhet se gjyqtarja e çështjes, Sulltane Hoti, me kërkesën e parashtruar me 11 nëntor 2019, duke u bazuar në nenin 39, paragrafi 3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar përjashtimin dhe delegimin e kompetencës territoriale, të kësaj çështje penale, me arsyetimin se këtu Kushtrim Ramadani, ka të punësuar babain e tij, Fatmir Ramadani, referent në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga i cili fakt ka konsideruar se ekzistojnë rrethana të pa përshtatshme për vendosjen e kësaj çështje penale në këtë gjykatë.
Në mënyrë që të mos vihet në dyshim objektiviteti dhe paanshmëria e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka propozuar që kjo çështje të procedohet dhe vendoset nga një gjykatë tjetër brenda territorit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndaj, bazuar në këto arsye, me qellim që të mos krijohen dilema në objektivitetin dhe paanshmërinë me rastin e vendosjes së kësaj çështje penale dhe duke konsideruar se në këtë rast këto rrethana paraqesin pengese faktike për të u zhvilluar procedura është vendos që të aprovohet kërkesa që të kalohet kompetenca territoriale.
Gjykata Themelore në Prishtinë, me 13 nëntor 2019, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar kërkesën e gjykatëses Sulltane Hoti, për përjashtimin nga procedimi dhe vendoja në këtë çështje penale.
Për procedim dhe vendose të kësaj qështje penale, është vendos që të kalohet kompetenca territoriale, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, të cilën qështje penale do të gjykoj, gjykatësi Shefqet Baleci.
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...