Sali Berisha thotë se kufijtë e Kosovës janë vënë në “tepsi”

23:51 | 7 Gusht 2018
Arbresh.info

Ish-kryeministri dhe ish-lideri i Partisë Demokratike, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se kufijtë e Kosovës janë vënë në “tepsi”.
Berisha, në një intervistë për RTV Dukagjini, ka deklaruar se OSBE kishte nxjerrë një dokument në vitin 1992, që thoshte se problemi i Kosovës do të zgjidhet nëpërmjet dialogut Prishtinë- Beograd.

“Sot janë vënë në ‘tepsi’ kufijtë e Kosovës, në një kohë kur Kosova ishte në pushtimin serb dhe u miratua në shtator të vitit 1992 dokumenti i samitit të OSBE-së. Kosova u nxor zë i veçantë në dokumentin e samitit, ku shkruhej se problemi do të zgjidhet nëpërmjet dialogut Prishtinë- Beograd me ndërmjetësimin e palës e tretë”, tha Berisha.

Berisha e konsideron këtë si proces regresiv për Kosovën, pasi sipas tij Kosova ishte që nga 1992 në këtë status sa u përket kufijve.

“Çka do të thotë kjo? Cila ishte kjo? Ky ishte ligji i parë ndërkombëtar qe e nxirrte Kosovën, e bënte Kosovën eligjibël për faktorin ndërkombëtar”.

Sipas ish-presidentit shqiptar të asaj kohe, amerikanët në fillim hezituan, por më pas mbështetën në themel çështjen e Kosovës në kufijtë ekzistues – aktualë.

“Pa diskutim, ata hezituan, por pastaj ata e mbështetën dhe kjo bëri të mundur që ndërmjetësit ndërkombëtarë të zbresin në Kosovë dhe Prishtinë dhe ta trajtojnë në themel çështjen e Kosovës në kufijtë ekzistues aktual”, tha ai.

Deputeti i PD-së ka thënë se ne vitin 1994 OKB kishte miratuar një rezolutë në mënyrë tekstuale se kjo organizatë i njeh Kosovës, popullit të Kosovës të drejtën e vetëvendosjes.

“Në vitin 1994 ka një rezolutë të pa përsëritshme në histori. Rezoluta e Organiztatës së Kombeve të Bashkuara e votuar nga 137 shtete, e cila pasi dënon me terma më të ashpra regjimin e Millosheviqit, shprehet në mënyrë tekstuale se kjo organizatë i njeh Kosovës, popullit të Kosovës të drejtën e vetëvendosjes. E drejta e vetëvendosjes në kuptimin e OKB-së, në kuptimin e kësaj organizate e këtyre parimeve, ishte e drejta që me referendum të përcaktojnë pavarësinë, bashkimin me Shqipërinë, konfederatë me Serbinë. Pra çfarëdo që do të dëshironin qytetarët e Kosovës brenda këtyre kufijve”, shprehet ndër të tjera Ish-kryeministri dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Sali Berisha.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme