Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se greva e minatorëve të Trepçës do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre, derisa bordin e kësaj ndërmarrje e ka quajtur bord politik dhe që nuk merr vesh asgjë nga minierat.
Minatorët e Trepçës kanë hyrë sot në grevë të përgjithshme në shenjë pakënaqësie me draft-statutin, si dhe indiferencën e institucioneve përgjegjëse të vendit me vërejtjet dhe kërkesat e tyre rreth këtij draft-statuti.
“Draftstatuti ka shkuar në komisionin parlamentar. Në draftstatut nuk janë futur fare burimet rreth minierës, minierat nuk janë hulumtuar, ky ka qenë shqetësimi kryesor, zonat rreth Trepçës nuk janë përfshirë fare në këtë statut”, ka thënë Sadiku që shton se anëtarët e bordit të Trepçës janë pajtuar me draftstatutin, sipas tij, të dëmshëm për minierat.
“Ata që janë në bord janë të partive politike. Janë pesë anëtarë të bordit politikisht të emëruar. Anëtarët e bordit janë pajtuar me këtë draftstatut dhe unë nuk jam pajtuar. Ne kemi pasur takime me grupet parlamentare dhe i kemi njoftuar me dëmet, kemi gjetur një lloj kompromisi dhe për momentin draftstatuti gjendet në komisionin parlamentar”, ka theksuar ai.
Sadiku i ka bërë thirrje qeverisë që të reflektojë dhe të ketë bisedime me përfaqësuesit e sindikatës që kanë parashikuar se do të ketë humbje nëse vazhdohet me grevën.
“Ka humbje sepse prodhimi është ndërprerë tash e dy ditë. Ne kemi kërkuar që të ulemi dhe të zgjedhim këtë problem. Rrezikohet që të ketë dëme dhe çdo ndërprerje e punës neve na rrezikon, neve na rrezikon edhe bordi politik, është bord që nuk ka njohuri rreth zhvillimit të Trepçës. Ne jemi për dialog dhe problemet zgjidhen me dialog, por ishim të detyruar që të hyjmë në grevë edhe pse ato sjellin dëme”, ka thënë veç të tjerash Sadiku./Koha.net/
Media britanike “Express”: Shqipëria ndër vendet më të mira ...
Mbi 2 milionë e 100 mijë përdorues të telefonisë mobile në K...
Tërmeti me magnitudë 5.7 ballë godet Argjentinën
Sot festa e Krishtlindjes, imzot Dodaj: Të edukojmë brezat e...
OKB thirrje urgjente për ndihma në spitalet në veri të Gazës
Të dhënat e fundit, kjo është situata nëpër pikat kufitare