Të gjithë ata që punojnë kundër shtetit të Kosovës, duke spiunuar tek vendet tjera, mund të dënohen nga tre vjet deri në burgim të përjetshëm.
Lidhur me arrestimin e djeshëm të Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA), në rast të vërtetimit të akuzave për spiunazh, dënimet për këtë vepër përcaktohen në nenin 124 të Kodi Penal të Republikës së Kosovës.
Kështu bën të ditur për Arbresh.info, Florian Smajli, Hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
“Në këtë nen, përmes 6 paragrafëve përcaktohen dënime të ndryshme varësisht prej rrethanave dhe mënyrës se si është kryer kjo vepër penale, duke përcaktuar dënime burgim nga 3 vjet deri me burgim të përjetshëm. Në rastin konkret, nuk janë përshkruar veprimet për të cilat ata dyshohen se i kanë kryer. Mirëpo, nga ajo se çfarë është raportuar deri më tani, të njëjtit nuk janë persona zyrtar. Andaj, veprimet e tyre nuk mund të parashihen në paragrafin 1, i cili ka të bëjë me komunikimin, dorëzimin, apo bërjen të arritshme për shtetin apo organizatën e huaj një sekret shtetëror, e që parashihet dënim nga 5 deri në 12 vjet burgim”, thotë Smajli.
Sipas tij, veprimet e dy të dyshuarve nuk mund të parashihen as në paragrafin 2, pasi që nuk është raportuar se të njëjtit kanë krijuar shërbim informativ për shtetin apo organizatën e huaj në Republikën e Kosovës, ku parashihet dënim me jo më pak se 10 vjet burgim.
Për faktet të cilat veçse dihen, Smajli thotë që nuk është e mundur që të dyshuarit të kenë shkaktuar pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, ku sipas tij, parashihet dënim me jo më pak se 10 vjet burgim, apo edhe se veprimet nuk janë kryer gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur, ku përcaktohet dënim me burgim prej jo më pak se 10 vite e deri me burgim të përjetshëm, atëherë veprimet e tyre nuk përcaktohen as në paragrafët 5 dhe 6 të këtij neni.
“Andaj, bazuar në krejt ato që mund të vlerësohen deri më tani, të dyshuarit mund të kenë kryer veprime nga paragrafi 3, ku parashihen veprimet si hyrja në shërbimin informativ të huaj, mbledhja e të dhënave për to, apo edhe ndihma e ndonjë shërbimi informativ në punën e tij, e për të cilat mund të dënohen me jo më pak se 5 vjet burgim.
Gjithashtu, mund të vlerësohet se kanë kryer veprime edhe nga paragrafi 4, ku inkriminohen veprimet që mundësojnë qasje në të dhëna të besueshme. Veprime të këtij lloji mund të konsiderohen marrja e të dhënave, fotokopjimi, incizimi, pranimi nga personi tjetër, shikimi i tyre etj”, thekson ai.
Smajli, bën të ditur se të gjitha veprimet të cilat konsistojnë në mbledhjen e të dhënave, ndërmerren me qëllim që t’i komunikohen apo t’i dorëzohen shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit i cili u shërben këtyre. Për këto veprime, parashihet dënim me burgim nga 3 deri në 10 vjet.
Hoxha: Kosova është vend i cenueshëm ndaj spiunazhit
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, thotë se lidhur me të arrestuarit duhet të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë deri sa nuk ka një vendim te plotfuqishëm të gjykatës, duke shtuar se Kosova është vend i cenueshëm ndaj spiunazhit.
“Kjo çështje duhet të shihet në dy anë të medaljes, njëra anë duhet përshëndetur puna e mekanizmave të sigurisë së Kosovës në drejtim të mbrojtjes së interesave shtetërore dhe garantimin e shtrirjes së ligjshmërisë në vend, por në anën tjetër, natyrisht nëse vërtetohet dyshimi i arsyeshëm i prokurorisë së shtetit, se edhe vendi ynë është i cenueshëm ndaj një fenomeni te tille te spiunazhit që është sfidë edhe në vende më të përparuara”, thotë ai.
Ai shton se pavarësisht epilogut ligjore të këtij rasti, shteti duhet që me urgjencë të nxjerrë ligjin për pastërtinë e figurës dhe të ketë vetting sa i përket pastërtisë së figurës për të gjithë të punësuarit ne mekanizmat e sigurisë dhe drejtësisë.
Ai thekson se pushteti okupues serbë në vitet 90-ta e ka mbajtur nën okupim klasik Kosovën dhe ka ushtruar dhunë e terror të vazhdueshëm ndërsa në fund të viteve 90-ta edhe masakra në popullsinë civile dhe nëse ka pasur bashkëpunëtorë të cilitdo komunitet në Kosovë me këto struktura kriminale, do të ishte e logjikshme që shteti i Kosovës ta kryejë një verifikim ligjore të tyre dhe veprimtarisë së tyre dhe në asnjë mënyrë të njëjtit eventualisht të jenë në pozita të ndjeshme shtetërore pa një verifikim të saktë.
Hoxha thotë që periudha e viteve 90-ta njihet botërisht si periudhë kur pushteti okupues serbe i ka larguar të gjithë shqiptaret që nuk kanë qenë lojal ndaj pushtetit okupues serbe nga puna dhunshëm, prandaj ata që kanë qenë lojal në atë kohë, më e pakta që duhet të behet, pas një verifikimi ligjore, mos të lejohen të jenë eventualisht në pozita të rëndësishme shtetërore.
Ndërkohë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë arrestuar të mërkurën nga Policia e Kosovës nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.
Pas arrestimit të tyre, Prokuroria Speciale ka dal me informacione shtesë. Dy të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, shqiptarë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Çka nënkupton spiunazhi dhe si rregullohet ai në Kodin Penal?
Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është; kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre.
Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.
Ky nen në paragrafët e tij parasheh edhe situata të tjera dhe dënueshmëri të ndryshme:
– Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim;
– Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burgim;
– Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.
Nëse këto vepra penale kryhen dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet.
Kurse, nëse këto vepra penale kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Sekreti shtetëror, sipas Kodit Penal, për qëllime të këtij kapitulli që trajton këto vepra, nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin.
Kosova e ka Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë qëllim i të cilit është “themelimi i një sistemi unik për klasifikimin dhe ruajtjen e informacioneve që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Kosovës si dhe për verifikimin e sigurisë së personave që kanë qasje në këto informacione”./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/