Në kohën kur do të duhej që të bëheshin analiza e vlerësime për 100-ditëshin e qeverisjes në Republikën e Kosovës, po bëhen parashikime rreth të mundësisë për formimin e koalicionit qeverisë mes dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 6 tetor të vitit të kaluar.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, partitë që dolën të parat, kishin filluar të harmonizojnë programin qeverisës menjëherë pasi u mbajtën zgjedhjet. Por, edhe pse kanë kaluar tashmë më shumë se tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve ato nuk kanë arritur të finalizojnë marrëveshjen për koalicion, gjë e cila do të mundësonte formimin e menjëhershëm të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.
Vonesa për formimin e institucioneve në Kosovë, kishte pothuajse secilën herë që u mbajtën zgjedhjet parlamentare.
Kjo është e shtata herë që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, që mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë, kurse, e vetmja qeveri e cila u formua në më pak se 41 ditë, ishe ajo e vitit 2004, ku partia fituese ishte LDK-ja me 45.42 për qind, kur bëri koalicion me AAK-në e kryeministër u zgjodh Ramush Haradinajn.
Rekordin për kohën më të gjatë që mori formimi i qeverisë e mbanë qeveria e vitit 2014, kur marrëveshja e koalicionit, e cila u bë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, i dha Isa Mustafës postin e kryeministrit.
Nga zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor e deri më sot, janë bërë tashmë 103 ditë.
Në një prononcim për Telegrafin, analisti, Fitim Salihu tha se vonesa në formimin e institucioneve qendrore do të ketë ndikim fillimisht shoqëror, pastaj do të ndikoj edhe në financa e po ashtu do të ndikoj edhe në mbarëvajtjen e proceseve të rëndësishme për Kosovën.
“Ndikimi i parë do të jetë shoqëror. Me prolongimin e krijimit të koalicionit, dy partitë politike po e neglizhojnë urgjencën e ndryshimeve, siç i kishin premtuar gjatë fushatës zgjedhore. Kësisoj, ata po e ngulfasin entuziazmin qytetar që ka ekzistuar gjer së voni. Së dyti, kjo mund të ketë hipotetikisht kosto makrofinanciare sepse po i afrohemi afatit për miratimin e buxhetit. Edhe pse partitë politike janë zotuar se do e votojnë buxhetin, prapëseprapë ngel shqetësimi rreth tij. E, së treti, kjo do të ketë kosto politike sepse Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri të re që do kishte legjitimitetin për të përballuat çështjet e mëdha që na presin – që nga Gjykata Speciale dhe finalizimi i negociatave me Serbinë, gjer tek liberalizimi i vizave dhe lufta kundër korrupsionit”, tha Salihu për Telegrafin.
Vonesat në formimin e qeverive gjatë zgjedhjeve të mëhershme kishin pasur ndikim në mënyrë të ndryshme, përveç asaj të vitit 2001, kur Kosova ishte nën mbikëqyrjen misionit të UNMIK-ut, ku nuk kishte ndikim në financa, ashtu siç mund të ketë tani nëse nuk formohet qeveria para 31 marsit.
“Gjersa në vitin 2001 pothuajse të gjitha kompetencat ishin në duar të UNMIK-ut dhe kjo vonesë, pos kostos politike, nuk ndikonte në mbarëvajtjen makrofinaciare të vendit, pas vitit 2014 Kosova i ka vuajtur pasojat e asaj krize institucionale. Për shembull, nëse shikojmë investimet e huaja direkte mund ta shquajmë një rënie të tyre në vitin kur Kosova e pati atë krizë”, u shpreh Salihu.
Salihu thotë se asnjëherë më parë nuk kemi qenë në një situatë të tillë, kur partitë politike të pajtohen për koalicion, t’i kenë edhe numrat në Parlament të cilat i mundësojnë formimin e qeverisë, por që prapë nuk e bëjnë marrëveshjen.
“Arsyet e vonesave ndër vite kanë qenë të llojllojshme. Për shembull, derisa pas zgjedhjeve të vitit 2001 arsyeja ka qenë tek refuzimi i LDK-së për t’ia ofruar pozitën e kryeministrit Hashim Thaçit (ndonëse jo PDK-së), në vitin 2014 pati ndodhur bllokada e famshme institucionale kur partitë e bllokut VLAN refuzonin të futeshin në koalicion me partinë fituese, PDK-në. Pra, jo çdo herë arsyet kanë qenë të njëjtat. Por, asnjëherë nuk ka ndodhur sikur tani që dy parti të pajtohen për t’u bashkuar në koalicion, t’i kenë numrat në Parlament për ta votuar qeverinë dhe sërish të mos e krijojnë atë”, tha Salihu.
Megjithatë, Salihu vazhdon të jetë optimist se marrëveshja e koalicionit do të bëhet, pasi ai mendon se të dyja partitë kanë qenë të gatshme për kompromis dhe se të dyja këto parti, si LVV-ja ashtu edhe LDK-ja do t’i bëjnë kompromiset në atë formë sa të hapte rrugë për formim të institucioneve dhe të mos dilte e dobët para elektoratit.
“Unë vazhdoj të jem prore optimist. Ndonëse komunikimin mes tyre po e dominon virulenca mediatike, në fakt, që të dy partitë kanë dhënë shenja se janë të gatshme për kompromis. Psh kur është dukur më së paku e gjasshme që VV-ja të hiqte dorë nga Presidenti, në ofertën e fundit ajo ia garantoi këtë pozitë LDK-së. Njëlloj, kur është dukur sikur LDK-ja është barikaduar prapa kërkesës që t’i ketë dy pozitat kryesore shtetërore – edhe Presidentin edhe kryeparlamentarin – ajo u shfaq e gatshme që ta ketë vetëm njërin syresh. Për rrjedhojë, këto janë shenja të qarta se dy palët mbase do të bëhen konstruktive, do të tërhiqen paksa prej pozicioneve të tyre të ngurta dhe do ta finalizojnë marrëveshjen e koalicionit. Besoj dhe mendoj se që të dy partitë do t’i bëjnë kompromiset e nevojshme. Secila nga to do të tërhiqet mjaftueshëm sa të hapte udhë për zgjidhje dhe mjaftueshëm sa për të mos dalur si e dobët në sytë e elektoratit të vet”, u shpreh Salihu.
Salihu ka treguar kohën e cila u është dashur partive politike për të formuar qeveritë ndër vite, të dhënat e të cilave i gjeni më poshtë:
Vonesat në themelimin e qeverive kosovare. Matjet i kam bërë prej ditës së zgjedhjeve gjer në ditën e votimit të qeverisë.
Sot bëhen 103 ditë nga zgjedhjet e fundit dhe akoma nuk kemi qeveri, kështu që qeveria e ardhshme VV-LDK – nëse do të zgjidhet ndonjëherë — do të jetë qeveria më e vonshme pas asaj të vitit 2014.
– 2001: 17 nëntor-4 mars — 106 ditë
– 2004: 24 tetor-3 dhjetor — 39 ditë
– 2007: 17 nëntor-9 janar — 52 ditë
– 2010: 12 dhjetor-22 shkurt — 72 ditë
– 2014: 8 qershor-9 dhjetor — 183 ditë
– 2017: 11 qershor-9 shtator — 89 ditë
– 2019: 6 tetor-17 janar — 103 ditë.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...