Në SHBA, rezultatet e dy garave të para mes kandidatëve për president brenda Partisë Demokrate e kanë fragmentarizuar krahun e moderuar të partisë dhe nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë.
Disa analistë e shohin këtë si një mundësi për fushatën e ish-kryetarit të bashkisë së Nju-Jorkut, Mike Bloomberg, e cila tani për tani është zhvilluar kryesisht në media.
Zëri i Amerikës na njeh me strategjinë jokonvencionale të miliarderit Bloomberg për të mos marrë pjesë në garat e para mes kandidatëve, por të shfrytëzojë të metat e tyre, që sipas demokratëve ua bëjnë të pamundur të mposhtin Presidentin Donald Trump në nëntor.
Autobusi i fushatës Michael Bloomberg ishte këto ditë në Richmond të Virxhinias, duke tërhequr një grup mbështetësish të zjarrtë, të cilët besojnë se biznesmeni miliarder dhe ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut është i vetmi kandidat demokrat që mund të mposhtë Presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Ai mund ta bëjë këtë. Të tjerët do të skualifikojnë veten e tyre. Është e tmerrshme. Trumpi do të na mundë fare lehtë nëse nuk kemi Bloombergun”, thotë Craig Hedley, votuesi i Partisë Demokrate.
Zoti Bloomberg nuk mori pjesë në garat e para në dy shtete mes demokratëve.
Në këto dy gara, senatori progresist i Vermontit Bernie Sanders ishte fituesi i votës popullore. Por axhenda e tij për ta bërë falas arsimin në universitete dhe kujdesin shëndetësor është parë nga shumë të moderuar si diçka polarizuese dhe ekstreme.
“Unë nuk mendoj se Sanders mund të ndërtojë një koalicion dhe ta mposhtë Trumpin. Neve na dihet dikush që mund të fitojë, një i moderuar”, thotë Deborah Hedley, votuese demokrate.
Pretendentët e moderuar – ish-kryebashkiaku i South Bendit në Indiana, Pete Buttigieg dhe senatorja e Minesotës Amy Klobuchar – janë paraqitur mirë, por mund ta kenë të vështirë tani që garat zhvendosen në shtete me më shumë votues të pakicave. Ndërkohë, ish nënpresidenti Joe Biden është paraqitur keq në dy garat e para.
Zoti Bloomberg, i cili po hyn në garë me vonesë, po e paraqet veten si një forcë bashkuese. Më parë ai ka qenë republikan.
“Unë garoj për ta bashkuar përsëri vendin, për të risjellë fjalën ‘të Bashkuara’ në emrin e vendit tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” thotë zoti Bloomberg.
Ish kryebashkiaku ka fituar mbështetjen e disa drejtuesve partiakë, si kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser. Ai gjithashtu ka dhuruar miliona dollarë për kandidatët demokratë dhe organizatat që luftojnë kundër ndryshimit të klimës dhe dhunës me armë.
Calandrian Simpson Kemp humbi të birin për shkak të dhunës me armë:
“Askush nuk kujdeset për fëmijët tanë, por mund t’ju përmend dikë që e bën. Emri i tij është Mike Bloomberg. Ai kujdeset.”
Por zoti Bloomberg është kritikuar për taktikën policore që zbatohej në kohën kur ishte kryebashkiak, me të cilën policia ndalonte njerëzit edhe kur nuk kishte dyshime serioze. Më vonë ai kërkoi falje për këtë taktikë që synonte pakicat.
“Tani e shoh që ne mund dhe duhet të kishim vepruar më shpejt për ta ndalur këtë taktikë. Më vjen keq që nuk e bëmë,” tha ai në fund të vitit të kaluar.
Fakti që zoti Bloomberg po e financon me paratë e tij fushatën ka ngjallur kritika nga ana e kandidatit Sanders dhe të tjerë, që thonë se ai po përpiqet të blejë zgjedhjet.
E gjithë kjo do të vihet në provë kur zoti Bloomberg të garojë në votimet e Super të Martës në muajin mars, kur gara të shtrihet në 14 shtete me elektorate të mëdha dhe të larmishme/voa/
Kandidati prorus prin në zgjedhjet presidenciale në Rumani
Osmani udhëtoi për vizitë pune në Kolumbi
Kumbaro ndan pamje nga pazari i Gjirokastrës nën atmosferën ...
Vdekja e një punëtori në Prizren, arrestohen tre menaxherët ...
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...