Google ADS

Sa është me rëndësi votimi i Kodit Civil në Parlament?

09:12 | 17 Shtator 2022
L G

Projekt Kodi Civil nga vjeshta e këtij viti do të rikthehet në Kuvendin e Kosovës për të disatën herë radhazi.

Është akti juridik më i rëndësishmi pas Kushtetutës së Kosovës, thotë juristi Ehat Miftaraj për arbresh.info duke shtuar se ky ligj rregullon raportet e qytetarëve në fusha të ndryshme.

“Në vet faktin që Kodi Civil hynë në një ndër ligjet sistematike dhe mund të themi lirisht se mbas Kushtetutës së Kosovës është akti më juridik më i rëndësishëm i cili ka për qëllim të rregullojnë raportet në fusha të ndryshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës atëherë sigurisht që ky kod është vonuar dhe është dashur që të miratohej në Kuvendin e Kosovës.”, deklaroi Miftaraj.

Miftaraj, e sheh si të vonuar miratimin e këtij kodi sepse nga ky Kod Civil, Kosovës i janë dhënë ndihma financiare nga partnerë ndërkombëtar.

“Në radhë të parë lidhur me këtë Kod Civil me këtë ligj sistematik, janë ofruar ndihma financiare nga BE me miliona euro por edhe ndihma financiare që ofrohen nga USA dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar”, shtoi Miftaraj për arbresh.info.

Sipas tij, Kodi Civil është dashur të miratohej sa më shpejt.

“Me vet faktin që janë njoftuar me vite të tëra në hartimin e këtij Kodi Civil dhe i cili ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve si dhe trajtimi e rasteve të tyre nëpër gjykata, atëherë sigurisht që ky Kod do të duhej të miratohej sa më shpejtë që është e mundur”, potencoi Miftaraj.

Por, a ka gjasa që kësaj radhe të miratohet në Kuvend?

Miftaraj bëri të ditur se e gjitha varet nga partia në pushtet LVV.

“Me vet faktin që partia në pushtet një numër i madh i deputetëve të tyre kanë shprehur dyshime apo pakënaqësi lidhur me dispozita të caktuara të këtij Kodi, sigurisht që mbetet tek Lëvizja Vetëvendosje si partia në pushtet, se sa janë në gjendje të i bindë krerët e saj që të votojnë dhe të kalohet ky ligj”, tha në fund Miftaraj.

Juristi njëkohësisht ligjëruesi, Shkumbin Asllani për arbresh.info deklaroi se miratimi i Kodit Civil do të eliminonte vështirësitë që janë paraqitur gjatë përgatitjes së Projekt-Kodit.

“Parimisht Kodi Civil synon krijimin e infrastrukturën ligjore nga marrëdhëniet civile në mënyrë sa më uniforme dhe të përmbledhura në një kod të vetëm, në mënyrë që të eliminohen vështirësitë dhe zbrazëtirat aktuale, të cilat janë identifikuar në fazën e përgatitjes së Projekti-Kodit Civil”, tha Asllani.

Tutje, sipas Asllanit, aprovimi i Kodit Civil është i domosdoshëm për sigurinë juridike të qytetarëve dhe jo vetëm.

“Aprovimi i Kodit Civil është më shumë çështje domosdoshmërie sesa urgjence, sikurse ne aspektin e kodifikimin e së drejtës civile dhe sigurimin e konsistencës së saj ashtu edhe në rritjen e sigurisë juridike për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Asllani.

Në fund Asllani bëri të ditur se diskutimi mbi këtë çështje është lënë jashtë vëmendjes së publikut dhe se është obligim i Institucioneve që të aprovohet.

“Diskutimet mbi Projekt-Kodin Civil janë reduktuar në vetëm disa çështjet, të cilat u provuan të jenë të pakalueshme, ndërsa janë lënë jashtë vëmendjes së publikut një mori çështjesh që rregullojnë dhe përmirësojnë qasjen në drejtësi dhe fuqizimin e ligjit që janë qëllimet kryesore të vet Kodit Civil. Është obligim i të gjitha institucioneve që të harmonizojnë qëndrimet dhe të bëjnë aprovimin e Kodit Civil”, tha Asllani.

Avokati, Tomë Gashi e sheh si të nevojshme të rikthehet në Kuvend Projekt-Kodi Civil dhe atë sa më shpejtë.

“Projekt-Kodi Civil është e nevojshme të rikthehet në Parlament dhe atë sa më shpejt aq më mirë. Ne nuk jemi vendi i vetëm që ka dilema për Kodin Civil dhe ka edhe nga pak keqinterpretime të rastësishme apo te qëllimshme”, deklaroi Gashi për arbresh.info.

Sipas, Gashit, për shkak të këtij gjysmë neni kanë mbetur pa u votuar mbi 950 nene.

“Pra deri me tani janë mbete të pa votuara mbi 950 nene për shkak të një gjysmë neni i cili aspak nuk ka lidhje me martesa të gjinisë së njëjtët. Fundi i fundit ligjet gjithkund në botë sillet që një situatë reale në jetë ta bëjnë edhe të ligjshme”, u shpreh Gashi.

Tutje, Gashi bëri të ditur se ligji duhet të votohet sepse jemi shtet laik dhe jemi në Evropë.

“Dilemat e atyre qëllimmirëve deri me tani është dashtë të hiqen , e të atyre qëllimkëqijve nuk do të hiqen kurrë, por jeta ata nuk i dëgjon dhe vazhdon. Ligji duhet te votohet sepse në jemi shtet laik dhe për të votuar një ligj të tillë jeta në Kosovë do të jetë e kodifikuat në aspektet civile dhe fundi fundit jemi në Evropë jo në Azi”, potencoi në fund Gashi.

Kodi Civil parasheh bashkëjetesë të personave të së njëjtës gjini.

Kodi Civil do të rregullojë konceptet juridike moderne lidhur me detyrimet kontraktuale, të drejtat pronësore, marrëdhëniet familjare dhe të drejtat e trashëgimisë.

Përveç kësaj, Kodi Civil sjell një avancim shumë të nevojshëm në zhvillimin e marrëdhënieve biznesore, dhe në gjendjen e disa prej sektorëve më të cenueshëm të shoqërisë në Kosovë, veçanërisht të grave dhe fëmijëve si dhe të personave LGBTI.

Mosmiratimi i këtij Kodi mund të sjellë pasoja jo të mira në shumë aspekte të jetës së qytetarëve dhe bizneseve./arbresh.info/EjonaHyseni/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme