Google ADS

Sa e gëzojnë 1 Qershorin fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë?

14:15 | 1 Qershor 2019
A Z

Data 1 Qershori shënohet si Dita e fëmijeve ne mbarë botën. Në vendin tonë dhe ne botë kjo ditë shënohet me aktivitete të ndryshme për fëmijë.

Mirëpo, sa e gëzojnë fëmijet me nevoja të vecanta këtë ditë, ku tashmë dihet që në vendin tonë, personat e tillë nuk gëzojnë shumë të drejta dhe nuk kanë qasje të barabartë në fusha të ndryshme siç janë  arsimi, shëndetësia etj.

Në vendin tonë shërbimet mjekësore për personat me nevoja të veçanta nuk janë në nivel te duhur dhe nuk ju ofrohen kushte adekuate për trajtimin e tyre.

Lidhur me këtë çështje, për Indeksonline ka folur psikologja Etleva Durmishi, e cila ka thënë se ditët që shënojnë feste janë pikërisht ato ditë që kërkojnë  vëmendje për ti parë parregullsitë që ndodhin në shoqërinë tonë, ku sipas saj,  fëmijët me nevoja të veçanta nuk gëzojnë të drejta të barabarta.

“Përgjithësisht, shënimi i çdo dite ndërkombëtare, më tepër sesa festë është një ditë që kërkon të kthesh vëmendjen dhe të rishqyrtosh parregullsitë që kanë të bëjnë me çështjen në fjalë. Në këtë rast, 1 qershori është ditë që i rikujton shoqërisë rezultatin e mangët që ka treguar deri më tani në forcimin e pozitës së fëmijëve me nevoja të veçanta dhe mungesën e politikave, aktiviteteve dhe kushteve të domosdoshme për zhvillimin e tyre, në përputhje me natyrën e tyre”, ka thënë ajo.

Sipas saj, shoqëria jonë nuk i jep shumë rëndësi dhe hapësire kësaj çështje, duke u marrë me probleme tjera të cilat ndoshta sipas saj kanë më pak rëndësi.

“ Për më tepër, një shoqëri e cila po kalon nëpër një transformim rrënjësor, di shpesh herë të merret me shumë çështje përnjëherë dhe po njëjte të anashkalojë shumëçka të rëndësishme e që kërkon prioritet, siç është edhe rasti i fëmijëve me nevoja të veçanta. Me fëmijët e tillë duhet punuar çdo ditë të vitit sepse kërkohet investim i vazhdueshëm në integrimin e tyre të plotë në shoqëri, kërkohet një ripërpilim i politikave dhe sigurim të kushteve që e lejojnë realizimin e potencialit të tyre dhe zhvillimin e mirëqenies individuale”, u shpreh Durmishi për Indeksonline.

Kurse sa i përket arsimimit për fëmije me nevoja të veçanta, Durmishi ka thënë se kjo gjë varet nga gjithë niveli arsimor në Kosovë.

“ Nuk duhet harruar që fëmijët me nevoja të veçanta kanë potenciale shumë specifike e të cilat duhet ushqyer në vazhdimësi sepse janë po njëjte të nevojshme për shoqërinë ku jetojnë. Sa i përket arsimit, pozita e fëmijëve të tillë varet nga i gjithë niveli arsimor në Kosovë, përfshirë këtu cilësinë e mësimdhëseve, planifikimit e orëve, rishqyrtimin e metodës së ligjërimit, e njëkohësisht edhe përfshirjen e profesionistëve, ambienteve e kushteve të tjera të domosdoshme që u premtojnë këtyre fëmijëve realizim të plotë e njëkohësisht integrim me pjesën tjetër të fëmijëve dhe shoqërisë”, ka thënë ajo.

Përndryshe, dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në 1925.

Kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojëra festive.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme