Kremlini ka thënë të hënën se është duke e vëzhguar nga afër gjendjen në veri të Kosovës, por nuk e dënoi sulmin vdekjeprurës të personave të maskuar ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan një ditë më parë.
Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pasi është përkrahëse tradicionale e Serbisë, me të cilën ka lidhje të ngushta kulturore dhe fetare.
“Gjendja është tejet e vështirë. Në Kosovë, ne e shohim një qasje tradicionalisht të anshme ndaj serbëve… gjendja është shumë, shumë e tensionuar dhe me gjasë e rrezikshme, ne jemi duke e vëzhguar atë nga afër”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference të rregullt për media të hënën transmeton REL.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator.
Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.
Policia e Kosovës e mori kontrollin e manastirit të dielën vonë dhe tani është duke e siguruar fshatin.
Të hënën më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko.
“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram më 25 shtator.
Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.
Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...