Vetëm një ditë pasi NATO dhe Rusia shkëmbyen akuza dhe kërcënime të ndërsjella, Moska nisi stërvitjen me trupa dhe armatime të rënda në kufi me Ukrainën.
Sipas autoriteteve ruse, kjo është një stërvitje e rregullt që zhvillohet çdo vit në këtë periudhë, në rajonet e jugut, në kufi me Ukrainën. Në të po marrin pjesë më shumë se 10 mijë trupa, të zhvendosur në të gjithë zonën.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se stërvitja gjigante do të zhvillohet edhe në Krime, gadishullin në Detin e Zi të aneksuar nga Ukraina në vitin 2014, por edhe në krahinën ruse ngjitur me Donbasin, një krahinë në lindje të Ukrainës ku kontrollin e kanë separatistë të mbështetur nga Rusia.
Prej disa javësh, zyrtarët amerikanë, NATO dhe Ukraina kanë ngritur alarmin për një sulm të ri të Rusisë në Ukrainë, duke e cilësuar aktivitetin ushtarak të saj në kufi si të pazakontë. Rusia i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Të martën, para nisjes së një samiti të NATO-s në Letoni, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Rusinë se çdo sulm i saj ndaj Ukrainës, do të kishte pasoja të rënda. “Çdo veprim përshkallëzues do të shqetësonte Shtetet e Bashkuara, dhe çdo agresion i ri, do të shkaktonte pasoja të rënda”, tha Blinken.
Por gjatë pjesëmarrjes në një forum për ekonominë, Putin shfrytëzoi rastin për t’i treguar vijat e kuqe NATO-s. Presidenti rus tha se Rusia do të jetë e detyruar të reagojë, nëse NATO i shkel ato. “Nëse në territorin ukrainas shfaqen sisteme sulmuese, koha që ato të mbërrijnë në Moskë do të jetë 7-10 minuta, dhe 5 minuta në rastin e armëve hipersonike. Çfarë duhet të bëjmë ne nëse realizohet një skenar i tillë? Do të duhet të krijojmë diçka të ngjashme në lidhje me ata që na kërcënojnë. Dhe mund ta bëjmë tani”, tha Putin.
Shtyrje dhe rrahje mes deputetëve në Parlamentin serb
Peci dorëzohet para presionit publik: Anulon grantet për kës...
Llapi befason Dritën në Gjilan, merr avantazhin në pjesën e ...
Fillojnë punimet për modernizimin dhe përmirësimin e sistemi...
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...