Interesimi për të aplikuar për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, është i madh, thotë Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Rushiti thotë se të gjitha të dhënat e personave që aplikojnë për këtë status trajtohen në konfidencialitet të plotë.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Rushiti, në fillim të muaji shkurt ka nisur procesi i aplikimit për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Si është duke shkuar ky proces në organizatën tuaj ?
Feride Rushiti: Në tërësi, procesi është duke shkuar mirë, natyrisht që fillimi i ka edhe sfidat e veta për faktin se është proces, i cili për herë të parë po zbatohet në Kosovë.
Megjithatë, ne mendojmë që procesi është i ndërtuar në atë mënyrë që iu jep mundësi personave, që i kanë mbijetuar dhunës seksuale, ta ndajnë historinë e tyre traumatike, ngjarjen e tyre të dhimbshme përmes aplikacioneve në organizata joqeveritare, në katër organizatat joqeveritare të cilat janë të licencuara në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe shtatë zyrat të Departamentit për veteranë, invalidë dhe viktima të luftës në shtatë rajone të Kosovës, si edhe një mundësi tjetër për të arritur te komisioni, është në formë individuale.
Pra, do të thotë nëse e mbijetuara apo i mbijetuari preferon që fare të mos jetë pjesë e këtyre dy strukturave, qoftë organizata joqeveritare, qoftë zyrtarëve të ministrisë apo nëse është jashtë Kosovës në rajon apo më larg, mund të aplikojë direkt te komisioni.
Formulari është i ndërtuar në atë format që e ka një lloj kronologjie prej fillimit të përshkrimit të ngjarjes, kohës vendit, detajet e të dhënave kur ka ndodhur krimi i dhunës seksuale e deri te përshkrimi se a ka qenë pjesë e ndonjë organizate, a ka qenë pjesë e ndonjë procesi gjyqësor.
Pastaj, a ka ndonjë dokument shëndetësor, juridik, dokument që dëshmon për atë krim të bërë, fotografi e të tjera… vetëm e vetëm për t’i ndihmuar komisionit për ta marrë sa më lehtë vendimin në raport me përfitimin e këtij benificioni që tashmë shteti i Kosovës po iu siguron.
Procesi (është treguar kujdes që gjithë informacioni i cili deponohet, është proces i ndarë për qasje në drejtësi) është krejt komplet proces më vete dhe me kërkesën e vetë të mbijetuarve është kërkuar që informacioni të trajtohet në konfidencialitet të plotë.
Pikërisht për këtë arsye edhe në ligj është e përcaktuar që të dhënat, të cilat deponohen, do të shërbejnë vetëm për verifikim dhe për asnjë qellim tjetër dhe të gjitha të dhënat duhet të mbrohen me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave, ku çdokush që është pjesë e procesit, duhet ta ketë deklaratën e konfidencialitetit në mënyrë që trajtimi i kësaj plage të luftës të ruhet në konfidencialitet të plotë për faktin që shumë gra po edhe burra këtë ngjarje traumatike, këtë plagë shpirtërore të ndodhur, nuk e kanë ndarë me asnjë anëtar të familjes për 18 vjet me radhë.
Prandaj, kjo është një garanci për ta që çdo e dhënë, e cila deponohet, si në organizata apo në Departamentin për invalid e veteranë të luftës në shtatë rajone të Kosovës, duhet të trajtohet në mënyrë konfidenciale, po ashtu edhe në Komisionin qeveritar.
Radio Evropa e Lirë: Pas fillimit të këtij procesi a keni takuar persona të rinj që kanë treguar për dhunën seksuale ndaj tyre?
Feride Rushti: Procesi në tërësi mendojmë se po ecën mirë. Realisht, ka interesim të shtuar, po vërehet edhe në organizatën tonë, po edhe në organizatat e tjera.
Është shumë interesant që vijnë njerëzit për herë të parë, pyesin marrin informacione, duan që të sigurohen që çdo gjë është konfidenciale që nuk zbulohet identiteti i tyre. Pastaj vijnë pas një periudhe kohore për të përcaktuar kohën apo ju duhet kohë derisa ta marrin vendimin.
Tetëmbëdhjetë vjet me radhë e kanë trajtuar në heshtje këtë plagë dhe nuk e kanë të lehtë në një periudhë të shpejtë ta marrin vendimin dhe t’i qasen komisionit. Shumë herë i shohim, na shkruajnë, komunikojmë me telefon, vijnë direkt, fizikisht pyesin dhe interesohen me idenë që pastaj të jenë pjesë e procesit. Pra, mund të themi: po, ka një interesim të shtuar.
Radio Evropa e Lirë: Organizata, të cilën ju e drejtoni, ka ndihmuar shumë viktima dhe tani edhe në procesin e aplikimit të viktimave të dhunës seksuale. Cilat janë pritjet tuaja për numrin e atyre që do të aplikojnë?
Feride Rushiti: Është ndoshta pak e vështirë të japim një numër, por ne kemi thënë që ky vit, viti 2018, prite (të aplikojnë) rreth 1000, 1200 veta, prej dinamikës që po e shohim si po shkon tani.
Ndoshta në vitin e dytë dhe tretë do të rritet numri për faktin se do të ketë më shumë fushata, duhet të ketë më shumë vetëdijesim të popullatës, edhe para së gjithash, të parët që do ta marrin benificionin, mund të shërbejë si shembull i mirë për gratë e tjera dhe burrat e tjerë për t’i stimuluar që edhe ata të kenë një benificion apo pension personal që ju siguron shteti. Pra, presim një rritje në vitin e dytë.
Radio Evropa e Lirë: Sa është numri i personave, të cilët kanë aplikuar te ju?
Feride Rushti: Numri sillet diku rreth 130 ndoshta 140, por aty sillet. Është Komisioni qeveritar për dokumentim dhe verifikim, veç është potencuar që 11 persona e kanë përfituar statusin dhe së shpejti pritet që gratë, por edhe burrat, të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, të marrin një vendim nga Qeveria dhe të fillojnë të kenë një kompensim mujor, i cili për to nuk është një kompensim që ua harron të kaluarën, është thjesht një pension mbijetese, e kemi quajtur, arrin pak a shumë t’i përballojë disa probleme familjare, por mbi të gjitha, paraqet njohje të kaluarës së tyre që, kjo është më se e rëndësishme për këtë grup të ndjeshëm për faktin se për vite të tëra kanë qenë pothuajse të heshtur, por edhe të diskriminuar në raport me kategoritë e tjera të dala nga lufta.
Radio Evropa e Lirë: Sa është numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës?
Feride Rushti: Realisht jo vetëm në Kosovë, por në çdo vend ku ndodhin konfliktet nuk ka ndonjë statistikë që mund të themi, të bazohemi në to, pasi ska një …. inventar të luftës. Krimet e luftës mund të dokumentohen në raport me humbjet njerëzore, refugjatët, shkatërrimet materiale, ndërsa dhuna seksuale si armë e luftës është krimi më i rëndë, i cili mbetet shumë herë pa u dokumentuar.
Në Kosovë kryesisht iu kemi referuar mekanizmave ndërkombëtar dhe studimeve të ndryshme që janë bërë pas luftës, kryesisht është CDC-ja me seli në Atlanta, një institut i mirënjohur, i cili e ka bërë një studim në korrik dhe gusht të vitit ‘99, çka flet që njerëzit pas traumës kanë reaguar në formë akute dhe kanë dhënë informacione të sinqerta pa e ditur se çfarë po i pret ata dhe sipas këtij studimi, thuhet që 4.4% të mostrës reprezentative të Kosovës kanë dëshmuar që kanë qenë viktima të dhunës seksuale që në përpjesëtim i bie rreth 20 mijë gra dhe burra, të cilët i janë nënshtruar këtij krimi të luftës.
Radio Evropa e Lirë: A dihet për numrin e personave të gjinisë mashkullore të dhunuar gjatë luftës?
Feride Rushiti: Po them që në relacion ndoshta me komplet përfituesit, numri i tyre mund të jetë në 10 me 10, domethënë 10% e grupit që mund të përfitojnë janë burra, por mendoj që ky numër mund të ndryshojë për faktin që lufta nuk i ka kursyer as ata, kështu që ka edhe burra edhe djem të rinj, të cilët kanë përjetuar krime më të ndryshme, përfshirë edhe dhunën seksuale.
Radio Evropa e Lirë: A mund të ndodhë që të rritet numri i këtyre personave vetëm sa për të fituar benificion, siç thuhet se ka ndodhur me disa procese të tjera?
Feride Rushti: Unë mendoj që procesi i verifikimit dhe dokumentimit është i trajtuar në atë lloji formati edhe në mënyrën qysh merret storia, ngjarja dramatike, është shumë personale, kështu që mundësia për devijim apo manipulim është më se minimale, po e them me shumë garanci, më se minimale, për faktin se gjatë procesit të ndërtimit të legjislacionit sekondar, formës për aplikim, ne jemi përkujdesur që fillimisht mos t’i dëmtojmë të mbijetuarit e dhunës seksuale, të trajtojmë me dinjitet të plotë në proces, të kemi qasje shumë njerëzore në raport me to, por para së gjithash edhe të kujdesemi që ky proces të mos devijojë dhe të marrë format tjetër për faktin se mendojmë që është një kategori që s’mund të luhet me ta. Dallojnë prej të gjitha kategorive, është kategoria më fragjile e luftës. Nuk mund të konsiderohet fare me kategoritë ose krahasohet me tjera, prandaj mendojmë që edhe komisioni është një komision kredibil, profesional, i përgatitur, i përkushtuar, me shumë seriozitet, organizatat po ndihmojnë në proces, por edhe çka është më e rëndësishmja edhe përfaqësuesit e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, që janë nëpër 7 komuna, e kanë marrë me shumë seriozitet këtë çështje, kështu që mundësia është minimale e mundshme. Uroj dhe shpresoj që do të shkojë mire deri në fund.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që të ketë raste që ju i njihni se kanë qenë të dhunuara dhe për shkak të rrethanave, nuk do të mund ta gëzojnë një pension të tillë?
Feride Rushti: Në organizatën tonë kemi raste të tilla që fare nuk janë të interesuar, për to është e mbyllur kjo çështje. Ndoshta kanë filluar një jetë, duan të jenë pjesë e disa aktiviteteve avokuese, të shoqërohen me gratë e tjera, të ndajnë ngjarje, të përfitojnë shërbime, por fare nuk duanë ta hapin çështjen e reparacionit, për çka ne duhet të punojmë. Po them duhet të punojmë me shumë seriozitet për t’iu qasur këtij grupi të ndjeshëm shoqëror, megjithatë ka raste të tilla që kanë krijuar njëfarëlloj pakti në familje edhe e kanë mbyllur si çështje dhe nuk duan ta trajtojnë më tutje.
Gjenden të vdekur tre fëmijë në Francë, policia në kërkim të...
I gatshëm të largohet nga Arabia: Neymarit i ofrohet një meg...
SHBA ndalon linjat ajrore të fluturojnë në Haiti pasi dy avi...
Të paktën 15 të vdekur nga përplasja e të burgosurve në burg...
Elon Musk kritika gjykatësve italianë për çështjen emigrantë...
Xheneta i heq çmimit të madh 10 mijë euro, dëgjon çfarë tha ...