Rukiqi: Tregu i hapur i energjisë të shtyhet për një vit, ngritja e çmimit dëmton bizneset

12:16 | 20 Mars 2021
L G

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të dëmtojë bizneset dhe prodhuesit vendës.

Ai në një konferencë për medie të shtunën, ka thënë se 1000 kompani do të preken drejtpërdrejt nëse ndodh që të rritet çmimi i energjisë elektrike.

Rukiqi ka thënë se kanë kërkuar nga deputetët që t’i rekomandojnë ZRrE- së që kalimin në tregun e rregulluar të energjisë të shtyhet për një vit pasi nuk është i favorshëm për këtë kohë.

“Ka dy tema bosht, e para është energjia çështja që lidhet me kalimin e konsumatorëve që janë të kyçur në rrjetin 10 kilovat në atë 35 kilovat që do të preken nga vendimi i Bordit. Ky vendim parasheh që këta konsumator të dalin në tregun e hapur të energjisë në kohën kur ky treg është i parregulluar dhe kjo do të bëjë që të ketë çmime më të larta për shume kompani”

“1000 kompani do të ballafaqohen me rritje të çmimit të energjisë elektrike e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në koston e tyre, dhe kjo rrezikon ato kompani që eksportojnë t’i humbin klientët e tyre. Dhe shumë lehtë këta prodhues mund ta humbin tregun nëse rritet kosoto në kohën kur ballafaqohemi me pandemisë. Bashkë me Odën Amerikane i jemi drejtuar deputeteve që t’i u drejtohen

Rregullatorit me një rekomandim që mundëson që kalimin në tregun e rregulluar të shtyhet për një vit pasi nuk është i favorshëm për këtë kohë”, ka thënë Rukiqi, raporton Ekonomia Online.

Ai po ashtu ka thënë se Ligji për rimëkëmbje s’po zbatohet.

“Kjo lidhet edhe me pjesën tjetër që duhet ta ketë parasysh qeveria e cila duhet të ketë një plan të qartë të daljes nga pandemia. Të vaksinohet të gjithë që mos të kemi pastaj probleme me kufizime e ndalim lëvizje për qytetarët. Vaksina është parakusht bazë për një lloj imunizimi afatgjatë të ekonomisë. Është zhgënjyes moszbatimi i ligjit për rimëkëmbje. 200 milionë eurot e parapara për bizneset akoma nuk janë reflektuar.

E patë protestën e autotrasportuesve të cilët deri më tani nuk kanë përfituar asgjë dhe kanë pasur shumë humbje. Ligji duhet të merr formën dhe përmbajtjet që bizneset të përballojnë pandeminë. Nëse nuk ka përkrahje financiare për disa sektorë do të jetë me pasoja, tha ai.

Rukiqi po ashtu ka kërkuar faljen e borxheve ndaj bizneseve të dënuara për mosrespektim të masave anti-covid.

Të ngjashme