Google ADS

Rukiqi: Në Kosovë, askush më nuk punon me pagë 200 euro

23:18 | 22 Prill 2021
A Z

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se të gjithë sektorët në Kosovë janë goditur nga pandemia.

“Nuk ka sektorë në Kosovë që nuk është goditur. Dikush më shumë e dikush më pak. Shembull merren barnatoret apo marketet e mëdha. Duhet të kemi parasysh se marketet e mëdha nuk shesin vetëm miell dhe vaj dhe artikujt bazik, por të gjithë gamën e produkteve që ne i blejmë. Ne e dimë që fuqia blerëse në Kosovë ka rënë. Për shkak të rënies së konsumit ka rënë edhe rritja ekonomike. Kur bie konsumi preken edhe shitësit dhe prodhuesit”, tha ai në RTV Dukagjini.

Rukiqi thotë se ka shumë produkte sezonale që për shkak të pamundësisë për t’u nxjerrë në shitje është dashur të gjuhen.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës thotë se do të duhen edhe dy vite që Kosova të kthehet në gjendjen siç ishte në vitin 2019.

Rukiqi thotë se për shumë biznese mbetet problem larja e kredive të vjetra.

Duke folur për pagën minimale, Rukiqi ka thënë se janë shumë faktorë që duhet të merren parasysh kur të vendoset paga minimale.

“Është një metodologji që përcaktohet paga, duke përfshirë faktorin e rritjes ekonomike, punësimit në vend, kosto e jetesës e të tjera”.

Rukiqi thotë se shumë pak kompani në Kosovë kanë mbetur me pagë minimale.

“Është rritur kosto e punës. Minimum kompani kanë mbetur me pagë 200 euro sepse askush më nuk vjen të punojë me këtë pagë”.

Ai thotë se megjithatë në Kosovë duhet të luftohet informaliteti në punësim.

“Një kontratë formale ua rritë të drejtat dhe mirëqenien punëtorëve”, deklaroi ndër të tjera Berat Rukiqi.

Të ngjashme