Rugova: Kompromis më të madh se Pakoja e Ahtisaarit, Kosova s’mund të bëjë me Serbinë

00:24 | 31 Korrik 2018
Trina Galanxhi

Naser Rugova, deputet i LDK-së, në Interaktiv të KTV-së, ka folur për dialogun me Serbinë dhe përpjekjen e deputetëve në seancën e sotme që miratojnë Rezolutën e propozuar nga PSD-ja për këtë çështje.

Ai tha se debati i sotëm nuk solli asgjë konkrete dhe “me keqardhje them se jam i pakënaqur me përmbylljen e këtij debati pa konkluza, pa konsensus”.

“LDK-ja ka kohë që për dialogun e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. LDK, kryesia e partisë, ka marrë vendim zyrtar që ky koalicion qeverisës nuk ka mandat e as legjitimitet, dhe presidenti i vendit që po aranzhon takime të këtij niveli me presidentin e Serbisë, nuk kanë mandat nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Është një Rezolutë në fuqi e para 6 viteve që e mandaton kryeministrin për të zhvilluar dialogun”, ka thënë Rugova, duke theksuar se “LDK-ja, edhe sot në Kuvend, e ka mbajtur vijën lineare me qëndrimin e saj politik”.

“Kryeministri i ri i vendit duhet të udhëheq dialogun”, tha ai, ndërsa ritheksoi se qëndrimi i LDK-së është që “krerët aktualë institucionalë dhe koalicioni aktual qeverisës nuk ka mandat që të udhëheqë me dialogun”.

Duke u ndalur tek deklarata e para pak ditësh e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, se e mbështetë presidentin Hashim Thaçi për të dialoguar me Serbinë, Rugova tha se ai ka dhënë një mendim personal.

“Nënkryetari [i LDK-së, Lufti] Haziri e ka dhënë një mendim të vetin personal, ndërsa si politikan e ka dhënë mendimin tjetër. LDK është shumë unike për këtë çështje”, theksoi Rugova.

Ai thotë se vendi nuk mund të vazhdojë në këtë formë të qeverisjes sepse shpesh nuk e ka kuorumin dhe ndonjëherë po e fajësojnë opozitën se pse nuk po qëndrojnë në sallën e Kuvendit.

Duke u ndalur tek mundësia e shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve, Rugova tha se Kushtetuta e Kosovës e ndalon një gjë të këtillë, e madje nuk lejon as bashkim me shtetet tjera.

“Çështja e territoreve mund të jetë hapje e kutisë së Pandoras. Mund të ketë ndikim tek së paku pesë shtete fqinje. Një gjë e tillë destabilizon Serbinë, Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoni e edhe Greqinë”, tha ai.

“Nuk ka lider politik e as institucional, as institucion në Kosovë, që të merr guximin që të shkelë parimin kushtetues, sepse çdo gjë është e rregulluar me Kushtetutë. Kodi penal i parasheh këto shkelje”, deklaroi Rugova.

“Koalicioni qeverisës, apo partnerët e këtij koalicioni, janë sjellë me arrogancë me opozitën. 58 vota të opozitës janë 58 për qind e popullit mazhorancë. Pozita s’e ka luksin të sillet me arrogancë me shumicën e popullatës shumicë të Kosovës. LDK-ja tani ka një grup parlamentar tejet unik. Pa LDK-në nuk do të ketë përmbyllje të dialogut. Jemi shkollë e dialogut”, shtoi ai.

“Fillimisht legjitimitet elektoral, e pastaj dialog”, është qëndrimi i LDK-së, sipas Rugovës.

“Jam për një konsensus të gjerë ku do të përfshiheshin të gjitha institucionet, edhe Akademia e Shkencave, shoqëria civile dhe mediat, të ketë një transparencë të plotë për qytetarin. Të krijohen ekipe të tëra politiko-strategjike, dikastere profesionale…”, tha Rugova.

Duke u ndalur tek deklarata e presidentit Thaçi se mund të ketë një kompromis të madh me Serbinë, Rugova tha se kompromis më të madh se Pakoja e Ahtisaarit nuk mund të ketë.

“Legjislatura e vitit 2008 u ka dhënë të drejta që nuk ka asnjë shtet tjetër për pakicat. Edhe krijimi i Asociacionit të komunave serbe buron nga pakoja e Ahtistaarit. Nuk ka në një shtet evropian një Asociacion të tillë. Ndërkombëtarëve u them se është koha që të ecim vet, jemi pjekur pas një dekade i të qenit të pavarur dhe sovran”, shtoi ai, ndërsa tha se qytetarëve po u bëhet padrejtësi me mos-liberalizim vizash.

“Në marrëveshjen për krijimin e AKS-së, në nenin e fundit, thuhet se statuti i saj do të miratohet pasi të miratohet zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kush guxon të pranojë një statut të AKS-së pa miratimin e Kushtetueses. Këto tema, për LDK-në janë të mbyllura, janë marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara dhe nuk dua të besoj që ka një politikan në Kosovë që guxon të hapë tema të tilla”, theksoi deputeti i LDK-së./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme