Shumica dërrmuese e përfaqësuesve në parlamentin gjerman, Bundestag, janë pro vazhdimit të dy misioneve të Bundeswehrit në Ballkan. Përveç koalicionit në pushtet të tri partive (SPD, të Gjelbërit dhe Liberalëve), partitë opozitare kristiandemokrate CDU dhe CSU gjithashtu i dhanë mbështetje propozimit të qeverisë gjermane për zgjatjen e mandatit të misionit të KFOR-it në Kosovë të mërkurën (5 qershor) në leximin e parë.
“Na duhet KFOR-i i aftë për veprim për të reduktuar potencialin e vazhdueshëm për konflikte dhe përshkallëzim në veri të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha përfaqësuesi i demokristianëve në Bundestag, përgjegjës për politikën e mbrojtjes, Florian Hahn (CSU).
Vazhdimi i pjesëmarrjes së Gjermanisë në misionin e BE-së EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë u miratua edhe nga përfaqësues të Alternativës për Gjermaninë (AfD).
Vendimi përfundimtar për propozimin e qeverisë gjermane për zgjatjen e të dy mandateve duhet të merret javën e ardhshme.
Angazhimi më i gjatë i Bundeswehrit jashtë vendit
“Ballkani Perëndimor është fqinjësia jonë e afërt. Prandaj, ruajtja e paqes në këtë rajon është përgjegjësia jonë”, theksoi Sekretarja e Shtetit për Mbrojtjen Siemtje Möller (SPD).
Në propozimin e qeverisë thuhet se bazë për misionin e KFOR-it “është ende Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” dhe thekson se “si Kosova ashtu edhe Serbia e kanë bërë gjithmonë të qartë se duan vazhdimin e pranisë së KFOR-it”.
Misioni i NATO-s në Kosovë, i cili po vazhdon prej 25 vitesh, është angazhimi më i gjatë i ushtrisë gjermane (Bundeswehr) jashtë vendit. Numri maksimal i pjesëtarëve të njësive gjermane të veprimit të shpejtë do të mbetet në 400. Forcat ndërkombëtare të KFOR-it synojnë të sigurojnë vendosjen e paqes dhe rendit publik në Kosovë. Megjithatë, kohët e fundit tensionet me Serbinë fqinje janë rritur sërish.
Misioni Althea i Bashkimit Evropian, në të cilin Bundeswehr po merr pjesë me deri në 50 ushtarë, synon të sigurojë përputhjen me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë në 1995. Dhe ky vend, sipas Berlinit, konsiderohet ende një burim i mundshëm konflikti./DW
E rëndë në Durrës, 82-vjeçari gjendet i masakruar në banesën...
Rrëfimi tundues i Xhenetës për braktisjen nga nëna, dhunën n...
Assesi të këndellet United, pëson humbje edhe nga Newcastle
Tjetër hap fals për Chelsean, mposhtet nga Ipswichi
Policët e Shqipërisë shpërblehen me nga 10 mijë lekë për fun...
Parashihet rritje e madhe e shitjeve të veturave elektrike n...