Google ADS

Rryma në veri: E paguaj, e kursej, s’ka kushte

13:16 | 25 Dhjetor 2024
E.K

Disa e kursejnë, e disa edhe e paguajnë. Por, shumica e qytetarëve në veri të Kosovës thonë se ende nuk janë krijuar kushtet për të paguar energjinë elektrike.

Sava nga Mitrovica e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se “nuk e kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë”, pasi, siç thotë ai, nuk janë zëvendësuar matësit e energjisë elektrike në ndërtesën ku jeton.

“Nuk kam një pasqyrë të saktë se sa energji elektrike kam konsumuar. Nuk u besoj atyre, janë të vjetër dhe duhet t’i zëvendësojnë, pastaj do të filloj të paguaj”, thotë ai.

Të njëjtin qëndrim ka edhe Mirko nga komuna e Leposaviqit. Ai konsideron se faturat nuk janë reale për shkak të mosvendosjes së njehsorëve.

“Nuk duhet paguar derisa Elektrosever të zëvendësojë matësit, që gjithçka të nivelizohet dhe të vendoset që bilanci të jetë zero. Askush nuk i shmanget pagesave, por kjo çështje duhet të rregullohet”, thotë Mirko.

Njehsorë elektrikë në një banesë në veri të Kosovës.

Viti 2024 është i pari kur qytetarët e katër komunave me shumicë serbe kanë filluar të pranojnë fatura për energjinë e konsumuar. Megjithatë, niveli i pagesës mbetet i ulët.

Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE), nga totali prej 12 milionë eurosh për energjinë elektrike të harxhuar nga shkurti deri në nëntor të vitit 2024, qytetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan kanë paguar mbi 2 milionë euro.

ZRRE-ja gjithashtu njoftoi se sivjet është shënuar një ulje prej 33% në konsumimin e energjisë krahasuar me vitin e kaluar.

Një nga konsumatorët, Violeta nga Mitrovica e Veriut, thotë se ka filluar ta kursejë energjinë për shkak të detyrimit për pagesë.

“Nga ora 10 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit është tarifa e lirë, dhe unë i kushtoj shumë vëmendje kësaj”, thotë ajo.

Si erdhi deri te fillimi i pagesës së energjisë elektrike në veri?

Qytetarët e veriut të Kosovës nuk kishin paguar për energjinë elektrike që nga viti 1999. Për shumë vite, borxhi i tyre është mbuluar nga qytetarët e pjesëve tjera të Kosovës dhe më vonë nga KOSTT-i (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut) dhe grante të Qeverisë së Kosovës.

Në vitin 2023, KOSTT-i u lirua nga detyrimi për të mbuluar këto humbje, falë një vendimi të ZRRE-së. Vendimi erdhi pasi kompania serbe Elektrosever mori përsipër furnizimin dhe faturimin e konsumatorëve në veri, sipas një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Elektrosever është një kompani në pronësi të Elektroprivreda Srbije (EPS), e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës. Kompania nisi shpërndarjen e faturave në fillim të vitit 2024 dhe ka filluar vendosjen e matësve të mençur, proces që ende nuk ka përfunduar.

Nga Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë (KEDS) dhe Elektrosever-i nuk janë përgjigjur se sa njehsorë janë vendos deri më tash.

Por, ZRRE-ja tha se në veri ka rreth 24 mijë konsumatorë, nga të cilët 600 ende nuk kanë matës elektrikë.

Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, e konsideron pagesën prej mbi 2 milionë eurosh si shumë të ulët krahasuar me konsumin.

“Energjia është një mall që është plasuar në treg, është parim evropian, botëror dhe çfarëdo qoftë, malli në treg duhet të paguhet. Le të eliminohen rastet sociale, familjet me kushte të vështira ekonomike, por mospagesa nga familjet dhe bizneset që përdorin energjinë është e papranueshme dhe diskriminuese ndaj konsumatorëve tjerë që paguajnë”, thotë Çeku.

Çeku thotë se ZRRE-ja duhet të kërkojë nga kompania Elektrosever që të gjejë forma për të rritur nivelin e pagesave në atë pjesë.

Formë tjetër ai përmend edhe trysninë përmes faktorit ndërkombëtar.

“Duhet të ndërmarrin veprime konkrete, përndryshe malli që nuk paguhet mos të dërgohet. Ne e dimë që shumë çështje në Kosovë po ndërlidhen me politikën dhe kjo nuk duhet të ndërlidhet. Kjo është çështje e pastër ekonomike dhe financiare. Kjo duhet të trajtohet njëjtë si te konsumatorët në komunat tjera. Nëse nuk paguan faturat, ndërpritet energjia”, thekson ai.

Konsumatorët në pjesë tjera të Kosovës, që pranojnë faturat energjisë se shpenzuar nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) duhet të paguajnë deri 15 ditë nga data e pranimit të faturës.

Çdo vonesë pas asaj date, konsumatori mund të jetë subjekt i shkyçjes nga rrjeti elektrik.

Kurse për rikyçje në rrjet konsumatorët duhet të paguajnë edhe kosto shtesë prej 17.70 eurosh.

ZRRE-ja dhe Elektrosever nuk kanë komentuar për masat që do të ndërmerren ndaj konsumatorëve që refuzojnë të paguajnë. Ndërkohë, qytetarët e veriut kanë marrë paralajmërime për shkyçje, por nuk është konfirmuar nëse janë realizuar shkyçjet.

Ndërkohë, në jug të Ibrit janë bërë thirrje të vazhdueshme për kursimin e energjisë për shkak të temperaturave të ulëta dhe kërkesës së lartë për energji. KEDS dhe KESCO kanë raportuar se kërkesa për energji elektrike ka arritur në nivele historike.

Kosova aktualisht prodhon energji elektrike, por gjithashtu importon për të përmbushur kërkesat në rritje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme