Kosova mund të futet në bllokadë rreth formimit të Qeverisë së re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 11 qershor, parashikojnë njohës të çështjeve politike.
Ata thonë se bllokada rreth formimit të Qeverisë së re mund të diktohet nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, e që sipas rezultateve të deritanishme asnjëra nga subjektet politike nuk kanë fituar më shumë se 35 për qind të votave.
Nga 97 për qind e votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ka fituar 34.2 për qind të votave.
Pasohet nga Lëvizja Vetëvendosje me 27 për qind, kurse koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.7 për qind të votave.
Derisa, Lista Serbe ka fituar mbi 5 për qind.
Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se mund të ketë vështirësi të mëdha në krijimin e Qeverisë së re pas zgjedhje të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.
“Pas proceseve që janë zhvilluar kohëve të fundit besoj që do të ketë probleme serioze për formimin e Qeverisë së ardhshme për arsye se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve është i përafërt. Në një situatë të rezultateve të përafërta të tri blloqeve do të jetë shumë vështirë të gjendet një emërues i përbashkët”, ka theksuar Beqaj.
Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në Qeveri.
Avni Mazreku, njohës i rrethanave politike dhe profesor i së Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se duhet të ketë një konsensus politik nacional si i vetmi instrument që mund të shpie përpara agjendën shtet-formuese të Kosovës.
“Faktorët politik parlamentar pas zgjedhjeve të 11 qershorit do të duhet të arrinin në një pikë konsensuale politike pavarësisht se në cilin krah do t’i poziciononte rezultati si parti në pushtet apo opozitare, për tema me interes nacional të ketë kompromis politik”, ka theksuar Mazreku
Ndërkohë, nëse do të arrihet që të formohet Qeveria e re e Kosovës, sipas analistëve politikë, Kosovën do ta presin çështjet për të cilat mbeten të papërfunduara nga Qeveria në largim dhe për të cilat vendi shkoi në zgjedhje.
Belul Beqaj, thotë se janë pikërisht çështjet si Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave me shumë serbe, me të cilat do të merret Qeveria e re.
“Dy temat që kanë qenë oguri i zi deri më tani fatmirësisht apo fatkeqësisht do të jenë çështjet imediate që do të mundohet për t’i zgjedhur Qeveria e ardhshme. Këto janë detyrat që janë trashëguar dhe kanë shërbyer për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”, thekson Beqaj.
Në anën tjetër, Avni Mazreku, thotë se Qeverinë e re e pret një agjendë jo e lehtë politike.
“Qeverinë e re e pret një agjendë jo shumë e lehtë politike. Në fakt, pikat kritike për të cilat ka dështuar koalicioni i cili ka qeverisur vendin që nga viti 2014, e që ajo agjende ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme në kontekst të shtet-ndërtimit të Kosovës. Koalicioni fitues i zgjedhjeve e pret një agjendë siç është procesi i ngecur i shtet formimit të Kosovës”, thekson Mazreku.
Kosova, që prej shpalljes së pavarësisë së saj, nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme që ka kryer mandatin kushtetues prej katër vjetësh, meqë pothuaj secila prej tyre është detyruar të dorëhiqet pas votimeve të mosbesimit në Kuvend.
Edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat janë mbajtur më 11 qershor pasuan votimin në Kuvend të një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë më 10 maj.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...