Google ADS

Rrogat e gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas Ligjit të Pagave

13:11 | 3 Mars 2019
Arbresh.info

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2 shkurt kanë miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik, kurse Ligji ka hyrë në fuqi automatikisht pasi presidenti Hashim Thaçi nuk e ka kthyer për plotësime shtesë.

Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1, ndërsa vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Në bazë të Ligjit për Paga të cilin e ka siguruar Telegrafi, ndryshime në paga ka pasur edhe në gjyqësor.

Në kuadër të tyre, pagën më të lartë pritet ta ketë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili në bazë të koeficientit 9, ai do të paguhet 2,151 euro, ndërsa zëvendësi i tij do të paguhet sipas koeficientit 8.5 apo 2,031.5 euro.

Kryetari i Gjykatës Supreme, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, kryeprokurori i Shtetit, kryetari i Dhomës së Posaçme dhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 8 apo 1,912 euro secili.

Sipas Ligjit, zëvendësprokurori i Shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, gjyqtari i Gjykatës Supreme dhe do të paguhet me koeficientin 7.75 apo 1,852.25 euro, kurse prokurori në Prokurorinë Speciale/Shtetit do të paguhet 1,792.5 euro.

Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial/Gjyqësor, kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit dhe kryetari i Gjykatës së Apelit do të paguhet me pagën prej 1,673 euro.

Ligji i Pagave parasheh ndryshime edhe në pagat e kryetarit të Gjykatës Themelore, kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, gjyqtarit të Gjykatës së Apelit dhe prokurorit në Prokurorinë e Apelit, të cilët pritet të paguhen sipas koeficientit 6.75 apo 1,613.25 euro, ndërsa prokurori i Prokurorisë Themelore për Krime të Rënda dhe gjyqtari i Gjykatës Themelore për Krime të Rënda do paguhen nga 1,589.35 euro secili.

Pagë prej 1469.85 euro do të ketë gjyqtari i mbikëqyrës në Degën e Gjykatës Themelore, pasuar nga prokurori i Prokurorisë Themelore dhe gjyqtari i Gjykatës Themelore që do të paguhen sipas koeficientit 5.5 apo 1314.5 euro, ndërsa pagë më të ulët në nivel të tyre do ta ketë gjyqtari për Kundërvajtje që do të paguhet 1,195 euro.

Sipas një analizë të Institutit GAP, paga bruto e gjyqtarëve në fillim të karrierës krahasuar me vendet e rajonit është 15,774 euro, ku më së shumti paguhen në Slloveni me 32,628 euro. Paga bruto vjetore e gjyqëtarëve në Gjykatën Supreme krahasuar me vendet e rajonit është 22,227 euro, apo trefish më pak se në Slloveni që paguhen me 63,660 euro.

Po ashtu, sipas GAP, paga bruto vjetore e një prokurori nivel më të lartë krahasuar me vendet e rajonit është 21,510 euro, ndërsa në Slloveni këta paguhen 53,454 euro.

Sipas nenit 34, ky Ligj hyn në fuqi nëntë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme