Përdorimi i substancave narkotike në Ferizaj po shënon rritje të vazhdueshme. Kjo u bë e ditur në një konferencë të organizuar nga Qendra “Ri Jeta” që merrej me trajtimin e përdoruesve të drogave në këtë qytet. Drejtoresha e kësaj qendre, Arjeta Musliu, tha se është shqetësuese se edhe moshat dhjetë vjeçare kanë nisur të përdorin substanca narkotike, andaj ka kërkuar nga prindërit dhe institucionet publike të angazhohen sa më shumë për sigurinë e fëmijëve në shkolla.
Në këtë konferencë të titulluar “Nëntori- muaji i vetëdijesimit ndaj dukurive negative”, kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, përfaqësues të organeve të drejtësisë, mjek të fushave të ndryshëm, drejtues të shkollave, përfaqësues të këshillit të prindërve në nivel komunal e të tjerë.
Aty u tha se brenda pesë vjetëve, janë rreth 5 mijë përdorues të drogave të cilët zyrtarisht kanë kërkuar ndihmë nga qendra “Ri –Jeta” me qëllim të rikthimit të shëndetit të tyre në normalitet. Andaj sipas drejtuesve të kësaj qendre një numër i caktuar tashmë jetojnë të lumtur pas rasteve që janë trajtuar me kohë.
Drejtoresha e qendrës “Ri-Jeta” Arjeta Musliu me këtë rast ka thënë se kjo konferencë ka për qëllim, parandalimin, kujdesin, trajtimin dhe këshillimin e përdoruesve, fëmijëve.
Kujtojmë që drejtoresha Musliu është një nënë e cila vite më parë ka humbur djalin e saj nga përdorimi i drogave dhe sipas saj kjo e ka shtyrë që ta themelonte organizatën “Ri-Jeta” me qëllim të parandalimit të dukurive të tilla negative tek të tjerët. Këtë punë ajo e bën në mënyrë vullnetare.
“Jemi në një gjendje alarmante sa i përket përdorimit të drogave gjithandej vendit, por veçanërisht në Ferizaj. Pra konsumi i lëndëve narkotike, konsumi i alkoolit, varësia nga bixhozi, qëndrimi në internet, ta quajmë në rrjetet sociale, po dëmton çdo ditë e më shumë rininë tonë. Pastaj papjekuria e tyre, mosha e tyre e vogël, periudha e adoleshencës aq shumë po nxitet dhe po ndikohet nga këto dukuri negative që po ju shërbejnë rrjetet sociale që duke filluar nga një edukim apo një vendim i prerë, duke filluar nga instancat familja, shtëpia mandej edhe jashtë shtëpisë, që ne të jemi ata që të mbrojmë këta fëmijë nga shumë gjana negative që janë të rrethuar”, ka thënë Musliu.
Sipas Musliut, droga po përdoret më së shumti edhe në afërsi dhe në oborre të shkollave.
“Çdo ditë e më shumë kemi kërkesa për trajtim të përdoruesve të drogave, fatkeqësisht nuk është një punë që duhet lavdëruar, por fakti që më gëzon që ata kanë guximin me kërkuar ndihmë nga ne, andaj numri i përdoruesve vazhdimisht është në rritje, madje edhe nga moshat e vogla dhjetë vjeçare”, ka thënë Musliu.
Ferid Agani, Neuropsikiatër, me këtë rast ka thënë se të rinjtë e nisin përdorimin e drogave për shkak të shumë faktorëve, por në fillim e nisin për ta reduktuar ankthin esencial të cilin e ka. Sipas tij, ankthi krijohet nga rrethanat kur njeriu nuk mund të ballafaqohet me kërkesat që vijnë nga jashtë apo nga brenda personalitetit të tij.
“Përdorimi i substancave narkotike në shumicën e rasteve ndodh jashtë familjes dhe vërehet shumë vonë nga familja, pastaj ka pasoja të shumëfishta. Fillojnë me pasoja të ndryshimeve ireverzibile të pa thyeshme në vetë qelizat nervore të trurit, pra arrihet një sensibilizim i sektorëve në neuronet e trurit e veçanërisht nëpër pjesët e trurit të madh, aty ku janë qendrat emocionale. Pastaj ata receptor e kërkojnë substancën psikoaktive në mënyrë të rregullt në mënyrë që të funksionojnë në një mënyrë sado pak harmonike”, ka thënë Agani.
Sipas tij, tek përdoruesit në fillim vërehen ndryshimet e tij në sjellje, mandej mënyra e tij e gjykimit për gjëra të ndryshme e deri te vendimmarrja e tij që paraqet pasiguri, rënia e fokusimit dhe përqendrimit të vëmendjes dhe kontrollit të impulseve agresive.
“Këto funksione kur të çrregullohen fillojnë të paraqiten konfliktet në shtëpi brenda familjes e pastaj edhe problemet ligjore. Pra familja fillimisht e vëren dhe preket drejtpërdrejt nga kjo situatë. Natyrisht në familje shtohet ngarkesa emocionale e deri te momentet e zemërimit me atë se çfarë ka ndodhur, si është e mundur, pastaj paraqitet ankthi, frika tek të gjithë anëtarët e familjes, ndërkaq te disa anëtar paraqitet edhe depresioni. Krejt këtë situatë brenda familjes e vështirëson edhe kriza financiare sepse këto substanca janë të kushtueshme në baza ditore”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Albion Sherifi, në emër të komunës së Ferizajt ka thënë se institucionet komunale kanë angazhuar roje fizike nëpër shkolla dhe kanë ndërmarrë një varg veprime për parandalim të kësaj dukurie negative.
“Këtu vlen të theksohen ligjëratat e vazhdueshme nëpër shkolla së bashku me akterët e tjerë siç janë Policia e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë institucional. Në këtë pikëpamje vlen të theksohet edhe programi për familje që ka adresuar kryetari i komunës që nga viti 2017 përmes mbështetjes në skemat e ndryshme për gratë, për nismat e ndryshme, për organizatat e shoqërisë civile, por po ashtu edhe për viktimat në dukuri të caktuara negative. Në fushën e arsimit ka nisur të bëhet edhe punësimi i psikologëve e sociologëve dhe për të parandaluar që e keqja mos të kapërcej dyert e institucioneve shkollore, jemi komuna e në Republikën e Kosovës që e kemi sigurimin fizik në objekte shkollore për parandalimin e dukurive negative”, ka thënë Sherifi. /Telegrafi/
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...
Arrestohen 19 persona në Prizren, për bixhoz e skema piramid...