Administrata Tatimore e Kosovës të martën ka njoftuar për ndryshimin e shkallëve të tatimit për të ardhurat personale.
“Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se më datën 23 gusht 2024 është publikuar në Gazetën Zyrtare Ligji Nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Ata kanë njoftuar se ky ligj ka hyrë në fuqi nga 23 gushti i këtij viti, duke treguar për ndryshimet që kanë ndodhur.
Ndërsa, sa i përket impaktit që do të ketë ligji i ri për pagën minimale në ekonominë dhe xhepin e qytetarëve, ka folur njohësi i çështjeve të ekonomisë, Burim Berisha.
Berisha për Arbresh.info, thekson se ky ndryshim ka qenë shumë i nevojshëm për punëtorët e sektorit privat dhe Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
“Ky ndryshim i pagës minimale i cili ishte i proklamuar nga gjitha qeveritë deri më tani ishte i pritur dhe shumë i nevojshëm për punëtorët e sektorit privat dhe BSPK. Ky vendim do të ketë ndikim pozitiv për arsye se do të ketë edhe efekte tjera anësore, për arsye se punëtorët do të kenë një bazë të re fillestare për pagën e tyre, në fillim prej 250 euro e pastaj në 350 euro prej tetori e tutje, thotë Berisha.
Tutje, ai thekson që me rritja e pagës minimale do të ketë efekt domino në ngritjen e standardit jetësor në shumë shtresa.
“Ku edhe një numër shumë i madh i të punësuarve do të kenë bazë solide edhe në aspektin e trustit pensional, që do të thotë që mjetet e ruajtura në trustin personal për punëtorin me pagën minimale do të jenë më të mëdha për 96 euro. Nëse në të kaluarën në trustin pensional për pagën minimale prej 170 euro në vit ka pasur trust 204 euro, tani do t’i ketë minimumi 300 euro në trust për çdo vit me pagën minimale.
Kjo rritje e bazës prej 130/170 në 250 e 350 euro do të nxit rritjen e konsumin dhe shërbimeve nga një shtresë e gjerë e popullsisë pre 340.000 të punësuarave në sektorin privat. Në të njëjtën kohë me rritjen e pagës minimale do të ketë edhe rritje të pagës mesatare, maksimale dhe pagave në sektorin publik, pra kjo rritje e pagës minimale do të ketë efekt domino në ngritjen e standardin jetësor te shumë shtresa e sektor”, shprehet ai.
Sa i përket vendimit që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi, Berisha thotë se personat që kanë pagën deri në 350 euro, do të kenë zero tatime.
“Ky vendim është shumë pozitiv, për arsye se ai i cili për çfarëdo arsye ka pagën më të vogël, do të ketë edhe tatime më të vogla apo nuk do të ketë tatim fare. Psh. Deri në 250 do të kemi zero tatime. Kurse në të kaluarën për këtë shumë kanë paguar 6.8 euro tatim. Tani shumë shpejtë gjithë personat që kanë pagën deri në 350 euro, do të kenë zero tatime, në të njëjtën kohë do të kenë kontribute pensionale më të mëdha, e mirëqenie më të mire”, shprehet ai.
Deri tani, kushdo që kishte pagë mbi 250 euro, deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim. Me ndryshime, tatim deri në këtë vlerë s’do të ketë dhe pagat rrjedhimisht do të rriten.
Berisha sqaron se me ligjin e ri kemi norma tatimore të reja, që e përcaktojnë se deri në shumën e pagës prej 250 euro ka zero tatime.
“Kjo nuk do të thotë që tatimi në pagë është ulur për 6.8 euro, po me ligjin e ri kemi norma tatimore të reja që e përcakton se deri në shumën e pagës prej 250 euro kemi zero tatime. Mbi 250 deri 450, kemi 8% tatime dhe mbi 450, kemi 10% tatime në pagë. Pra, ligji i ri e ka ngritur pragun e tatimit me zero nga 80 euro në 250 euro. Dhe është larguar norma tatimore me 4%, e cila ka qenë me ligjin e vjetër”, shpjegon ai.
Ndërsa, sa i përket pagës mesatare dhe maksimale në Kosovë, Berisha tregon sesi duhen të jenë pagat duke ju referuar trendeve të ekonomisë së Kosovë.
“Deri më tani paga mesatare ishte 470 euro për mbi 340 mijë të punësuar në sektorin privat, kurse 700 euro për mbi 80 mijë të punësuar të sektorit publik. Kurse me vendimin e ri do të kemi një rritje të pagës mesatare në Kosovë nga 585 deri në 710 euro. Duke ju referuar trendeve të ekonomisë së Kosovës dhe vendeve në regjion”, thotë Berisha.
Ndër të tjerat, Berisha tregon benefitet që Ligji për Pagë Minimale do të ketë në përmirësimin e ekonomisë së vendit.
“Gjithsesi, se me këtë rritje të punësuarit në sektorin privat do të kenë më shumë mundësi për të rritur mirëqenien e tyre, mundësi më të mëdha për të marr kredi, pa pasur nevojë për hipoteka, kolateral, e bashkë huamarrës nga jashtë familja. Në aspektin e ekonomisë do të rritë qarkullimin, se bizneset nuk do të munden me këtë qarkullim dhe fitim të deklaruar t’i mbajnë punëtorët të cilët i kanë pasur deri me tani me pagën prej 130/170 euro. Do të fillohet me një ulje të vogël të largimit të t’ punësuarave nga sektori privat në sektorin publik dhe në vendet e perëndimit. Do të ndikohet në nxitjen e investitorëve të huaj për investime kur dihet që për pagat deri në 350 euro tatimet janë zero”, përfundon Berisha.
Ndryshe, deri tash pagat tatoheshin sipas shkallëve tatimore nga 0 deri në 10 për qind për punën primare, ndërsa ato sekondare me mbi 10 për qind. Pos kontributit pensional, pesë për qind nga i punësuari dhe pesë nga punëdhënësi, secili punëtor kontribuon me tatim mbi pagë në shtet./Arbresh.info/Rita Jakupi/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...