Kosova po përballet me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të shumë produkteve ushqimore esenciale, dhe jo vetëm.
Pothuajse për çdo ditë, çmimet e të gjitha produktet po rriten për disa cent.
Për dallim nga çmimet e ushqimit dhe mallrave, çmimet e derivateve gjatë muajit gusht kanë qenë të njëjta dhe vazhdojnë të jenë edhe sot.
Kështu ka bërë të ditur për Arbresh.info, Fadil Berjani, kryetari i Shoqatës së Natarëve të Kosovës.
Çmimi i derivateve, sillet rreth 1 euro e 20 cent ndërsa, sipas Berjanit, në Kosovë do të duhej të ishte 1 euro .
Sa i përket çmimit të derivateve në Republikën e Kosovës, përafërsisht, sipas tij, çmimet sillen: Diezel nga 1.20 cent deri 1.29 cent, Benzina nga 1.24 cent deri në 1.29 cent.
“Këto çmime kanë qenë ter muajin gusht, dhe vazhdojnë të jenë akoma këto çmime. Çfarë çmime do të kemi në ditët në vijim, nuk mundemi me paragjykua shkaku se mund të ketë lëvizje në berz për rritje apo ulje të çmimit. Qytetarët tanë për gjendjen ekonomike çfarë e kemi, çmimi real për derivate kishte me qenë 1 euro. Por qytetarët janë duke u furnizuar me çmime ma të lira në regjion, përveç Maqedonisë veriore e cila e ka akcizën te nafta më të lirë për 22 cent, ndërsa çmimin e benzinës e kanë si ne”, tregon Berjani.
Ndërsa, çmimet në regjion, sipas kreut të naftarëve, sot sillen, Shqipëri: Diezel 1.86 cent, benzina 1.88 cent, Serbi: Diezel 1.79 cent, Benzina 1.80 cent.
“Rritja e pagës minimale dhe ndalimi importimit të mallrave me origjinë nga Serbia, arsye të rritjes së çmimeve”
Ndonëse ankesat e qytetarëve se nuk po mund t’i përballojnë çmimet janë të shumta, ekonomisti Burim Berisha për Arbresh.info ka treguar arsyet se pse po ndodh kjo.
“Ka shumë arsye që kemi rritje të çmimeve këto ditë në Kosovë, një nga to, është rritja e çmimit të transportit të mallrave nga importi, rritja e pagës minimale nga 130 e 170 në 350, ndalimi importimit të mallrave me origjinë nga Serbia”, thekson Berisha.
Sipas ekonomistit, ndalimi i importit të mallrave serbe në Kosovë ka ndikuar në këtë aspekt, ndonëse produktet serbe, shpejt u zëvendësuan nga produktet e vendeve tjera.
“Ka ndikuar në një masë të caktuar, por tregtarët kosovar, kanë gjetur mallra shumë shpejtë në vendet e regjionit e më gjerë, ku tani kemi një rritje të madhe të importeve nga Shqipëria. Ndikimi ishte në ngritjen e çmimeve po jo në një masë të madhe, se shumë shpejtë u zëvendësuan produktet nga vendet tjera”, shprehet Berisha.
Megjithëkëtë, ai thekson faktin se ngritja e çmimeve nuk ka ndodhur vetëm në Kosovë, teksa thotë se përballimi i këtyre çmimeve nuk është aspak i lehtë.
“Në gjitha vendet ka rritje të çmimeve për shkakun e rritjes së çmimit të transportit, luftërave në Ukrainë e në Lindjen e Mesme, ngritjes së çmimit të arit etj. Problem është që të kemi përballim të lehët të ngritjes së çmimeve çfarëdo qofshin ato. Edhe me rritjen e pagës minimale në 350 euro është shumë problem që të kemi mundësi që ti marrim gjitha produktet e nevojshme brenda një muaji me këto paga. Ku dihet që një familje mesatare me 4 anëtar nuk mundet të përballojë muajin nëse nuk i ka mbi 950 të hyra mujore”, shprehet Berisha.
Kaçaniku: Rritje të çmimeve ka kudo në Ballkan dhe Evropë, por për qytetarët e Kosovës është vështirë e përballueshme
Edhe Selatin Kaçaniku nga “OJQ Konsumatori” për Arbresh.info pohon se situatat në tregun global, luftërat, epidemitë, si dhe kriminaliteti i përmasave ndërkombëtare, po ndikojnë në rritjen e çmimeve.
Po ashtu, Kaçaniku thotë se në këtë aspekt ndikon edhe moti, e kushtet klimatike si dhe stinët e vitit.
“Pra ligji themelor ekonomik: Oferta – kërkesa, është faktor përcaktues i çmimeve. Te kjo komponentë duhet ta kemi parasysh edhe faktin se ka ndikim edhe qytetari konsumator me kërkesat e tij – kryesisht të paplanifikuara, me balancim të pa mjaftuar, me informata të pamjaftueshme lidhur me gjendjen në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, me informata të pamjaftueshme lidhur me gjendjen në ekonomi, në treg, për ofertën e çastit”, pohon Kaçaniku.
Kaçaniku nuk e sheh si arsye të rritjes së çmimit të produkteve, ndalimin e futjes në Kosovë të mallrave me origjinë serbe.
“Nuk ka mundur të ndikojë sepse shumë shpejt tregu i furnizimit është orientuar drejt prodhuesve / furnitorëve tjerë, shteteve tjera, të cilat kanë ofruar artikuj, prodhime, mallra më cilësore, më të sigurta, të pa politizuara dhe me çmime më konkurruese /më të lira”, shprehet ai.
Rritje të çmimeve ka kudo në Ballkan dhe Evropë, ndonëse më qytetarët në Kosovë sipas Kaçanikut, janë më të goditurit
“Por, qytetarët konsumatorë të Republikës së Kosovës janë më të goditurit me ngritjen e çmimeve, me efektin negativ të inflacionit, sepse e kanë standardin më të ulët / mirëqenien sociale më të ulët, aftësinë e pagesës më modeste në Rajon dhe Evropë”, thekson ai.
Megjithëkëtë, Kaçaniku mendon se këto çmime që janë në Kosovë janë të papërballueshme për qytetarët, teksa shton se rritja e tyre nuk mund të ndalet.
“Ngritja e çmimeve është si orteku i borës – kur niset nuk ka të ndalur”, thekson ai.
Ndryshe, viteve të fundit, Kosova ka përjetuar rritje të madhe të inflacionit.
Përveç ushqimeve bazike si buka, vaji dhe produktet e qumështit, në Kosovë ka pasur rritje të çmimeve edhe tek energjia elektrike, mallrat shtëpiake, shërbimet e transportit, orenditë, shërbimet hoteliere, kafeja, çaji etj.
Kjo po vazhdon të jetë një shqetësim i madh tek qytetarët ndonëse nuk kanë munguar as ankesat e shumta./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...