Ndotja e mjedisit në Kosovë mbetet një sfidë parësore, ndërsa shtohen rastet e ndikimit të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve. Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, krahas ndotjes së dukshme të ajrit në Prishtinë, ekzistojnë zona të vendit ku banorët nuk mund të pijnë ujin apo edhe të lajnë rrobat. Ambasada amerikane monitoron me një paisje cilësinë e ajrit në kryeqytet.
Në Kosovë po rritet ndërgjegjësimi për nivelin e lartë të ndotjes së mjedisit, kryesisht për shkak të nxitjes së përdorimit të lëndëve djegëse. Siç njofton agjensia e lajmeve Reuters, për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme për nivelin e ulët të cilësisë së ajrit në Prishtinë, ambasada amerikane ka instaluar një paisje për të monitoruar nivelin e ndotjes së ajrit.
“Ne kemi vendosur këtë paisje monitorimi të ajrit, e cila është njësoj me paisjet që përdoren në çdo qytet amerikan për të ofruar informacion çdo ditë për punonjësit dhe qytetarët për cilësinë e ajrit. Të dhënat që jepen janë shumë të vlefshme. Nëse në një ditë të caktuar ndotja e ajrit është shumë e lartë, njerëzit mund të qëndrojnë në shtëpi. Këto janë të dhëna të vlefshme për punonjësit tanë, si edhe për qytetarët e Prishtinës.”
Pasojat e ndotjes së ajrit po ndjehen drejtpërdrejt edhe në volumin e pacientëve që trajtohen në spitalet e Kosovës.
“Vërehet një shtim i numrit të pacientëve diku rreth 20 për qind më shumë se vitin e kaluar.”
Mjekët mendojnë se në shtimin e rasteve të pacientëve me probleme të tilla, ndikon edhe mënyra e jetesës.
“Vetë fakti që në Kosovë, brenda ditës harxhohen diku rreth 600 mijë Euro për duhan, ndërsa 200 mijë Euro për qumësht, tregon që ne kemi një mënyrë jetese ndryshe, mos të themi të mbrapshtë.”
Në zona të caktuara të vendit, ndotja është e përmasave të tilla sa që banorët thonë se nuk munden të pijnë ujin apo edhe të lajnë teshat.
“Shembulli konkret janë rrobat. I pastrojnë, dhe zakonisht në fshat i ndejnë në tel. Tymi bie mbi rrobat e bardha. Është katastrofë.”
Përfaqësuesit e Korporatës Energjitike të Kosovës thonë se janë bërë investime për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit.
“KEK-u bën një ndotje konstante gjatë gjithë vitit. Falë investimeve që KEK-u ka bërë vitet e fundit, një investim mbi 50 milionë Euro, dy vitet e fundit Kosova nuk i ka tejkaluar parametrat e standardit evropian. Situatë pak më e mprehtë është me termocentralin ‘Kosova B’, në të cilin është parashikuar që këtë vit të ndërrohen elektrofilat.”
Megjithë këto përpjekje, Kosova vazhdon të përballet me ndotje të lartë mjedisore, ndërsa ekonomia vazhdon të bazohet tek lëndët djegëse që ndotin ajrin./VOA/
Abdixhiku: Nga 80 mijë persona nga mërgata që janë regjistru...
Osmani mori pjesë në pritjen zyrtare të Krishtlindjes në Kat...
Nasim Haradinaj tregon daljen e parë para gjyqtarit: Kostumi...
Shqipëri/ Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 e...
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt