Google ADS

Rritet rreziku nga mbipesha dhe obeziteti tek fëmijët kosovarë

09:14 | 29 Janar 2023
A Z

Mbipesha tek fëmijët në Kosovë konsiderohet të jetë në numër të lartë dhe vlerësohet të jetë një nga shkaktarët kryesor të sëmundjeve kardiovaskulare.

Kilet e tepërta, sipas mjekëve pediatër, vjen si pasojë e kequshqyerjes apo marrjes së kalorive të tepërta përmes ushqimit të shpejtë, e si pasojë kjo shkakton edhe sëmundje të ndryshme.

Pediatri, Ramush Bejiqi deklaroi se mbipesha te fëmijët është në rritje, e sipas tij kjo rritje vjen si pasoj e punës jo të mjaftueshme nga ana e punëtorëve shëndetësor.

Ai thotë se aktualisht tek 50 për qind e fëmijëve domin oboziteti patologjik.

“Mbipesha është bërë problematike në popullatën e Kosovës, fatkeqësisht ka një trend të rritjes për shkak se ne si punëtor shëndetësor nuk e kemi kryer punën tonë të mjaftueshme. Kemi dështuar edhe si individ edhe si sistem shëndetësor edhe si sistem edukativ edhe si të gjitha. Ka mbizotëruar ajo energjia ose të them ashtu qëndrimi i përgjithshëm sepse fëmija i shëndosh është fëmija i plotë. Fatkeqësisht nuk është ashtu dhe ne sot kemi mbi 50 për qind të fëmijëve që na vizitojnë nëpër ambulante specialistike, të cilët thjesht dominon jo obeziteti, por oboziteti patologjik”, deklaroi Bejiqi.

Obeziteti, sipas pediatrit Bejiqi, shkaktohet për arsye se fëmijët nuk merren me aktivitete sportive, dhe prindërit mendojnë se fëmija i shëndoshë është fëmija i plotë.

“Fillimisht ato janë bërë si pasojë e mos aktiviteteve, në vend se ti angazhojmë fëmijët me aktivitete fizike dhe fëmija të merren me sporte të ndryshme. Ne kënaqemi me atë që fëmija jonë të qëndroj i qetë dhe mbanë një telefon në dorë, shpenzon ose kompenson ushqim dhe 100 probleme të tjera që shkaktojnë obezitet. E dyta është që prindi në ato momente mendon që fëmija i shëndosh është fëmija i plotë dhe ne nuk jemi të kënaqur si prindër se fëmija nuk e zbrazë”, potencoi Bejiqi.

Tutje, pediatri tregon disa nga sëmundjet të cilat mund ti shkaktojë obezitet tek fëmijët.

“Pasojat janë të shumta prej asaj si këta fëmijë zhvillojnë një mbipeshë e cila i bënë probleme nga boshti kurrizor, nyjave e deri te sistemi kardiovaskular dhe problematikat që i mbajnë yndyrat dhe grumbullimi i ujërave në trupin e njeriut”, tha ai.

Sipas Bejiqit mbipesha tek fëmijët mund të evidentohet vetëm me vizitë tek mjeku dhe programe edukative në media.

“Evidentimi kish me qenë një vizitë tek mjeku qoftë edhe te mjeku i përgjithshëm qoftë te mjeku pediatrik bazik, matja e peshës gjatë ditës e moshës i jep parametra të cilët janë kyç.  Nëse ne kemi programe edukative çdo ditë në media tona dhe ne do të ndikojmë në reduktimin dhe zvogëlimin obezitetit. Kjo do të ndikoj në një energji pozitive si tek prindërit ashtu edhe tek fëmija në këtë dukuri shumë të keqe për shëndetin e fëmijëve tanë dhe ardhmërisë tanë ta reduktojmë ose ta zvogëlojmë”,  u shpreh Bejiqi.

Kastrati: Fëmijët me mbipeshë mund të bullizohen, të shmangen nga rrethi e shoqëria

Psikologu Rron Kastrati deklaroi se mbipesha në psikologjinë e fëmijës ndikon në zvogëlimin e motivimit, pasi që mund të bullizohen.

“Mbipesha e tepërt në psikologjinë e fëmiut ndikon në zvogëlimin e motivimit për të qenë social apo të shoqëruar me të tjerët, kjo vetëm me një logjik të thjeshtë sepse fëmijët që kanë mbipeshë mund të bullizohen”, u shpreh Kastrati.

Një tjetër faktor sipas Kastratit që ndikon negativisht tek fëmija është menaxhimi jo efikas i prindërimit.

“Njëkohësisht faktorët e tjerë që kanë efekt negativ në keq sjelljen e fëmijëve kur janë në mbi peshë është edhe menaxhimi jo efikas i prindërimit. Sepse fëmijët në mbipeshë mund të socializohen nën përkujdesjen apo monitorimin e prindërve”, deklaroi Kastrati.

Më pas Kastrati shtoi se fëmijët me mbipeshë vuajnë që të përshtaten edhe me njerëzit që i rrethojnë.

“Mos të harrojmë fëmijët me mbipeshë vuajnë të përshtaten në kushte dhe rrethana jetësore me njerëz të tjerë me komunitetin ku jetojnë, edhe me fëmijët grup moshatarët e tyre,”, tha Kastrati.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, obeziteti përkufizohet si sëmundje që shënon rritje të lartë jonormale të yndyrës trupore të personit, ndërsa mbipesha përkufizohet si yndyrë e tepërt në trup.

Fëmijët me mbipeshë dhe obezitet janë mbi peshën e tyre më të shëndetshme në krahasim me moshën e tyre dhe kanë shumë yndyrë në trup.

Obeziteti është forma më serioze e mbipeshës.

Mbipesha dhe obeziteti ndodhin kur energjia që fëmijët marrin nga ushqimet dhe pijet është më e madhe se energjia që përdorin nëpërmjet aktiviteteve të përditshme.

Mbipesha dhe obeziteti janë çështje të rëndësishme shëndetësore për fëmijët./arbresh.info/Ejona Hyseni/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme