Rritet numri i personave që preken me alergji në stinën e Pranverës

10:33 | 19 Mars 2023
A Z

Ardhja e stinës së pranverës ka rritur numrin e rasteve me alergji të ndryshme në Kosovë.

A.N tregon për “Arbresh.info”, se vajza e saj është alergjike.

Ajo thotë se ishte dashur kohë e gjatë derisa e kishte kuptuar se vajza e saj vuante nga alergjia,  pasi simptomat  që kishte vajza e saj në fillim ishin shfaqur të njëjta me gripin sezonal.

“Asnjë në familje nuk e kemi me alergji. Dhe nuk e dinim për simptomat e kësaj sëmundje. Çdo herë vajza ishte e sëmurë me simptoma gripi. Temperaturë, hundë të bllokuara e mendonim se është e ftohur ose me grip. Ishte shumë e ndjeshme. Shumë vizita te mjekë te ndryshëm, kush na thoshte për një doktor e qonim, por nuk kishte sukses deri se fundi një pediatër në Prishtinë e zbuloi se kjo ka të bëjë me alergji. Vajza ka alergji, por e kalon letë, pasi që kujdesi është i lartë. Edhe pse është e vogël tash ajo din të ruhet kujdeset tash edhe vet”, tregon ajo.

Nëse keni simptoma gripi, si teshtitje, rrjedhje hunde, skuqje të syve, e lotim, e nuk po e kaloni dot, bëjeni testin e alergjisë, pasi këto simptoma i ka një i prekur nga alergjia sezonale.

Kështu thotë për “Arbresh.info” alergologu Dukagjin Zogaj.

Ai thotë se ka rritje të numrit të prekurve me alergji sezonale si pasojë e vetëdijesimit të qytetarëve për tu kontrolluar tek mjeku, e po ashtu edhe nga ndotja e ambientit.

“Viteve të fundit kemi rritje të pacientëve me alergji sezonale. Kjo vjen për dy arsye: Një për shkak të vetëdijesimit të popullatës, të cilët e kuptojnë se kanë alergji e jo ndonjë sëmundje tjetër sezonale dhe e dyta për shkak të ndotjes së ambientit ka ardhur deri të ashpërsimi i agjendave të ndryshëm përfshirë edhe polenin dhe ato ndikojnë në rritjen e numrit të sëmurëve më alergji sezonale”, tregon ai.

Cilat janë simptomat e alergjisë?

Sipas Zogajt, simptomat e alergjive nisin si flamë, duke ndryshuar më vonë simptomat ndryshojnë.

“Simptomat fillestare janë zakonisht me probleme me hundë dhe me teshtime, kruarje të hundës, rrjedhje apo bllokim i hundës, skuqje e syve, kruarje, lotim. Ne aerologët shpesh themi se kjo është një sëmundje mashtruese, sepse fillon sikur një flamë, por më vonë kjo ndryshon formën e ka një ecurie ku përfundon me probleme serioze të frymëmarrjes”, shprehet Zogaj.

Alergologu Zogaj, thotë se alergjia është trashëguese dhe të rrezikuar nga ajo janë fëmijët dhe të rriturit.

Alergjia sipas tij, mund të lajmërohet për herë të parë deri në moshën 35 vjeçare, raporton “Arbresh.info”.

“Sa i përket rrezikimit, janë njëjtë si fëmijët, ashtu edhe të rriturit, sepse kjo sëmundje fillon qysh herët në fëmijëri dhe mund të lajmërohet deri në moshën 35 vjeçare për herë të parë. Duhet të potencohet fakti se këto sëmundje zakonisht janë trashëguese, pra gjithmonë gjendet një anëtarë i familjes që ka pas më herët dhe këtu është rreziku kryesor”, pohon Zogaj.

Alergologu ka edhe disa këshilla për personat e prekur me alergji.

Sipas tij, të prekurit nga alergjia duhet të përdorin terapi sistematike varësisht prej situatës, tableta apo marrjen e disa injeksioneve që e bllokojnë alergjinë.

“Të prekurit nga alergjia duhet të evitojnë daljet kur është temperatura ditore maksimale nga ora 12:00- 16:00, mos të dalin jashtë, rrobat të teren brenda jo jashtë, dritaret e dhomës së fjetjes, pacientët të i mbajnë mbyllur, të hapen vetëm në mëngjes dhe mbrëmje për ajrosje. Dhe çdo mbrëmje kur të kthehen në shtëpi të largojnë rrobat që kanë pasur vesh gjatë ditës, të bëhet tush si dhe të veshën rroba të pastra”, thekson alergologu Zogaj.

Ndryshe, alergjitë e stinës së pranverës manifestohen me teshtima, lotim të syve, kruarje të fytit dhe hundës. Sipas alergologëve moshat nga 5-60 vjeç janë ata të cilët preken më së shumti nga këto alergji. /Arbresh.info/Vjollca Gajraku/

 

 

 

 

 

Të ngjashme