Çdo vit po shtohet numri i qytetarëve, të cilët vuajnë nga sëmundja e veshkave.
Kjo rritje e numrit të personave të prekur nga sëmundja e veshkave, sipas drejtoreshës e Klinikës së Nefrologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Mimoza Berbatovci-Ukimeraj, vjen si pasojë e neglizhimit dhe mos kontrollit me kohë të shëndetit nga ana e qytetarëve.
Për Arbresh.info, doktoresha Berbatovci-Ukimeraj, thotë se në Kosovë janë mbi 800 persona me këtë sëmundje të cilët marrin trajtim të vazhdueshëm në Klinikën e Nefrologjisë në QKUK.
“Rritje të numrit të rasteve të reja me sëmundje të veshkave ka nga viti në vit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë. Të dhëna statistikore se sa paciente vuajnë nga sëmundjet e veshkave në Kosovë nuk kemi, kurse sa i përket numrit të sëmurëve që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave dhe janë në program të rregullt të Hemodializës në Kosovë janë mbi 800 pacientë”, shprehet Berbatovci-Ukimeraj.
Njëra ndër sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet klinika e Nefrologjisë, sipas saj, është vonesa e paraqitjes së të sëmurëve te mjeku nefrolog dhe vënia e indikacionit për trajtim me terapi zëvendësuese renale-Hemodializë.
Lutja e doktoreshës më qytetarët është që ata sa më herët të bëjnë analiza dhe të shkojnë te mjeku në mënyrë që mos të vihet deri te faza e fundit, pasi sipas saj, simptomat e kësaj sëmundje zakonisht janë asimptomatike.
“Është sëmundje e heshtur që del në pah shumë vonë, është pa shenja klinike, mundet të zbulohet shumë vonë, përndryshe ka lodhje, anoreksi, dobësi, humbje oreksi, etj”, pohon doktoresha për “Arbresh.info”.
Berbatovci-Ukimeraj: Diabeti dhe tensioni i lartë, faktorët kryesor të sëmundjes së veshkave
Berbatovci-Ukimeraj thotë se faktorë kryesor i zhvillimit të sëmundjes kronike të veshkave, janë diabeti dhe tensioni i lartë.
“Diabeti melit (sëmundja e sheqerit ) dhe tensioni i lartë i gjakut janë ndër faktorët kryesore të rrezikut për paraqitjen e sëmundjeve kronike të veshkave. Përveç këtyre ka edhe patologji tjera që mund të qojnë në shfaqjen e sëmundjeve të veshkave si: policistoza renale glomerulonefritet, lupusi dhe sëmundjet e tjera auto imune, infeksionet e përsëritura, obstruksionet e ndryshme (gurët në veshka, tumorët e ndryshëm, hipertrofia e prostatës te meshkujt, anomalitë në uretere etj”, thotë drejtoresha.
Ajo tregon edhe disa këshilla se si të parandalohet kjo sëmundje.
“Disa nga këshillat kryesore për parandalimin e sëmundjeve të veshkave janë: Mbajtja në kontrollë e nivelit te sheqerit ne gjak, trajtimi dhe mbajtja në vlera normale e tensionit të gjakut, ruajtja e kondicionit dhe aktiviteti fizik, zvogëlimi i konsumimit te kripës ne 5 gram ne dite, konsumimi i ujit 1.5 -2 litra ne dite, konsumimi i ushqimeve të shëndetshme, kujdes ne konsumimin e barnave nefrotoksike dhe kontrolla të rregullta të funksionit të veshkave”, shprehet doktoresha Bërbatovci-Ukimeraj.
Qytetari V.K, i cili vuan nga sëmundja e diabetit dhe thotë se problemin me veshka e ka kuptuar shumë vonë.
“Kisha dhimbje të tmerrshme. Mandej kur u kontrollova te mjeku, me tha se kam telashe të mëdha me veshka. Unë më herët merresha me kontrolla vetëm për sëmundjen të cilën isha mësuar një kohë të gjatë me diabetin. Por, tash jam mirë, provoj me u ruajt më shumë”, tregon ai.
V.K pohon se po përdor tableta për menaxhimin e kësaj sëmundje.
“Me tableta si dhe me disa lloje të ujit që i përdori, që thuhet se janë të shërueshme për sëmundjen e veshkave, diqysh po e menaxhoj”, thotë V. K.
Ndryshe, sipas statistikave të shëndetësisë në botë një në 10 persona të rritur, në mbarë boten, vuajnë nga sëmundja kronike e veshkave, e cila po nëse nuk trajtohet, mund të jetë edhe vdekjeprurëse. Përderisa zbulimi i hershëm lejon kujdesin dhe menaxhimin e sëmundjes. /Arbresh.info/Vjollca Gajraku/
Bombardimet pakistaneze në Afganistan vrasin 46 persona
Aksident i rëndë në fshatin Dobërçan, katër persona dërgohen...
Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë, MPJ...
Reduktimet e rrymës, reagon Daut Haradinaj: Hajnia me GEN-in...
Berisha uron Krishtlindjet nga Kisha Katolike: Magjia e kësa...
Siljanovska me kritika ndaj BE-së në fjalimin vjetor: Është ...