Konsumimi i produkteve vendore në Kosovë ende vazhdon të jetë i ulët.
Njohësit e çështjeve ekonomike, konsumimin e ulët të produkteve vendore e cilësojnë si mungesë të vetëdijesimit të qytetarëve për rëndësinë e kësaj çështje në rritjen ekonomike në vend, raporton arbresh.info.
Krahasuar me vitet e kaluara në 2022 blerja dhe konsumimi i produkteve vendore ka shënuar rritje, por prapë jo në mënyrë të kënaqshme.
Produktet, të cilat importohen nga vendet e rajonit dhe më gjerë, po vazhdojnë të dominojnë në tregun e Kosovës dhe të konsumohen në masë të madhe nga qytetarët.
Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini për arbresh.info, thotë se konsumi i produkteve vendore është një nga gjërat më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Qytetarët janë vetëdijesuar tash në krahasim para 20 viteve, mirëpo prapë vetëdija qytetare për të blerë produkte vendore mbetet e ulët. Po ashtu, e ulët duke krahasuar me vende të ndryshme në Ballkan që kanë më shumë një nacionalizëm shpirtëror, ekonomik për të mbështetur ekonominë e vendit”, shprehet Shahini.
Sipas tij, cilësia e produkteve vendore tashmë është shtuar edhe më shumë krahasuar me vitet paraprake.
“Ne gjithmonë flasim për prodhime vendore që i plotësojnë standardet për konsum. Ne në fushata nuk i marrim kompanitë që nuk i kanë standardet në prodhim dhe ne kemi shumë prodhues që kanë produkte shumë cilësore, por ato nuk kanë treg në Evropë, sepse kanë problem me qarkullimin e lirë dhe nuk arrin të marrin viza. Ne kemi shume prodhues në Kosovë dhe mbi 70 % eksportojnë në vendet e Bashkimit Evropian”, thekson Shahini.
Kaçaniku: 30 përqindëshi i familjeve konsumatorë të varfër tanimë ka falimentuar
Edhe Selatin Kaçaniku nga Shoqata Konsumatori, thotë se konsumi i prodhimeve vendore është i pamjaftueshëm, po ashtu edhe prodhimi, ndërsa fajet për këtë ai ia hedh Qeverisë së Kosovës.
“Por, vetëdija varet nga përmbushja e mandatit nga qeveria, specifikisht nga MINT-i, të cilat ende nuk po përmbushin mandatin e tyre, që qytetarin konsumator ta informojnë, arsimojnë, edukojnë e vetëdijesojnë për të qenë partner të shtetit dhe të maturuar për kauzën, të drejtat e obligimet, interesin dhe dinjitetin e tij.
Konsumimi i prodhimeve vendore varet edhe nga qasja e Qeverisë ndaj prodhimeve vendore, tregut vendor, ekonomisë…dhe qytetarit konsumator” thotë Kaçaniku.
Sipas tij, qeveria duhet ta njohë qytetarin konsumator dhe të krijojë politika e qasje adekuate, pasi edhe çmimet janë të larta.
“Çmimet janë të larta dhe po shprehin inercion të ngritjes së vazhdueshme. Më shumë ka gjemë e vaje sesa ankesa. Konsumatori e ka humbur shpresën, nuk e kupton askush. Qeveria, MINT-i, akoma e injorojnë. 30 përqindëshi i familjeve konsumatorë të varfër tanimë ka falimentuar”, është shprehur Kaçaniku.
Berisha: Mungon promovimi i produkteve vendore
Ndërsa ekonomisti, Burim Berisha thotë se vetëdija qytetare është shume e ulët për të konsumuar produktet vendore.
Sipas tij, mungojnë fushatat. Berisha tregon edhe disa mënyra se si do të duhej të promovohen produktet vendore.
“Po është shumë e ulët, nuk kemi një fushat të mirë organizuar nga gjitha hallkat e shtetit, bizneseve dhe OJQ-ve, për të filluar një fushatë nga kopshtet, shkollat fillore, shkollat e mesme dhe gjitha shtresat për rëndësinë e konsumimit të produkteve vendore. Promovimi i produkteve vendore në emisione, debate, institucione publike, organizimin e kuizeve të diturisë nga bizneset vendore dhe transmetimin e tyre ne TV me shpërblime. Organizimin e vizitave për nxënësit dhe studentëve në gjitha ndërmarrjet prodhuese vendore. Rritja buxheteve për marketing nga ndërmarrjet vendore dhe subvencionimi i marketingut nga Qeveria për produktet vendore”, thotë Berisha.
Sipas Berishës, nëse vazhdohet në këtë formë pa ndonjë strategji nga ana e Qeverisë dhe bizneseve për promovimin e produkteve vendore edhe më tutje do të kemi rritje të çmimeve për shumë artikuj.
“Në shumë raste nuk e kemi lëndën e parë vendore por të importuar, nuk kemi alternativa tjera të importit të mallrave dhe lëndëve të para me çmime më të leverdishme nga vende tjera të regjionit. Nëse vazhdohet kështu humbësit do të jenë qytetarët që do të paguajnë çmim më të lartë për produktet vendore apo të importuara nga vendet tjera të Ballkanit e Evropës, kurse biznesi dhe Qeveria do të kenë të hyra më të mëdha nga shitja e këtyre produkteve”, shton Berisha.
Sipas Berishës, qeveria në bashkëpunim me bizneset dhe OJQ-të duhet që të subvencionoi dallimet në çmim të prodhimeve vendore me ato të importit nga Serbia kryesisht.
Që në fund, sipas tij, qytetari të ketë çmim të njëjtë, apo më të ultë të produkteve vendore se ato të importuara.
Në anën tjetër, qytetarët thonë se po mundohen t’i evitojnë produktet e huaja, sidomos ato të serbe, por sipas tyre çmimet e produkteve vendore janë të larta, dhe cilësia jo shumë e kënaqshme.
Sh.G qytetare nga Prishtina thotë se mundohet të konsumojë produkte vendore, por çmimet janë shumë të larta, edhe pse cilësia e tyre nuk është në nivelin e dëshiruar.
“Ndoshta kjo është arsyeja se pse nuk më tërheq për të blerë produkte vendore. Por, ndonjëherë kur e di se janë të Serbisë, unë megjithatë heq dorë dhe i zëvendësoj me produkte vendi”, tregon Sh.G për arbresh.info.
Ndryshe, pavarësisht dyshimeve në cilësi, dhe ngritjes së çmimeve, ditëve të fundit ka një trend të madh të refuzimit të produkteve serbe e konsumimit të atyre vendore. Kjo erdhi sidomos pas vendosjes së barrikadave në veri të vendit./arbresh.info /Vjollca Gajraku/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...