Google ADS

Rriten kreditë me mbi 10%

10:27 | 6 Tetor 2017
L G

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se kreditë e sektorit bankar vazhduan ecurinë pozitive të rritjes për të katërtin vit me radhë, duke shënuar një rritje vjetore prej 10 për qind në qershor 2017.

 “Vlera e gjithsej kredive arriti në 2.39 miliardë euro në periudhën raportuese, kryesisht si rezultat i ofertës së lehtësuar kredituese”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Sipas BQK-së, stoku i kredive ndaj ekonomive familjare vazhdon të jetë kategoria me normën më të lartë të rritjes në gjashtë vitet e fundit.

“Në qershor 2017, kjo kategori shënoi rritje vjetore prej 12.5 për qind. Ndërsa, kreditë e reja të lëshuara për ekonomitë familjare u karakterizuan me ngadalësim të rritjes. Këto kredi shënuan rritje vjetore prej 2.3 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 (18.7 për qind në periudhën e njëjtë të vitit 2016).

Ngadalësimi i rritjes së kredive të reja për ekonomitë familjare u ndikuar kryesisht nga zvogëlimi i portofolit të kredive të reja konsumuese.

Kreditë ndaj ndërmarrjeve përshpejtuan ritmin e rritjes në periudhën raportuese. Kreditë e reja të lëshuara për ndërmarrje shënuan rritje të theksuar gjatë kësaj periudhe (29.5 për qind) kundrejt rënies vjetore me të cilën u karakterizuan në vitin paraprak (17.4 për qind). Rritja e theksuar e kredive të reja për ndërmarrje ishte kryesisht rezultat i rritjes së kredive të reja investuese dhe jo-investuese, kryesisht të destinuara për sektorin e industrisë dhe të shërbimeve”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, raporton RTKlive.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme