Punësimi në institucionet publike të vendit ka shtyrë mijëra të diplomuar të Universitetit të Mitrovicës së Veriut për të kërkuar vlefshmërinë e diplomave të tyre nga Komisioni ad-hoc për Verifikim. Ata që po punojnë në këtë proces verifikimi kërkojnë që të zgjidhet më shpejt statusi i këtij universiteti paralel.
Më shumë se 2100 të diplomuar në Universitetin e Mitrovicës, kryesisht serbë, kanë kërkuar njohjen e diplomave të tyre në Komisionin Qeveritar për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga ky universitet, në të shumtën për të aplikuar për punësim në institucionit e vendit. Vetëm vitin e fundit në këtë komision kanë kërkuar verifikim më shumë se 300 persona.
Kryetarja e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Universitetit të Mitrovicës, Elzabeth Gowing, i ka thënë Radio Kosovës se kërkesat po rriten.
“Nga këto aplikime përftojnë shumë institucionet, për të pasur një fuqi punëtore më diverse në mënyrë që të përmbushim kuotën ligjore për të pasur 10 për qind të punësuar në nivel qendror nga komunitetet jo shumicë ”, ka thënë Gowing.
Gowing, që është gjithashtu këshilltare e kryeministrit për çështje të komuniteteve, thotë se duhet të zgjidhjet më shpejt statusi i këtij universiteti.
“ Kjo është pjesë e procesit të Berlinit dhe bisedimeve ( me Serbinë). Por në këtë frymë ne po shohim që këta individë (që kanë aplikuar) janë njerëz të guximshëm, të gatshëm për punë, për t’u integruar, për të dëshmuar që janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe duan të kontribuojnë. Kemi nevojë për ta”, ka theksuar Gowing.
Për të bërë të vlefshme një diplomë, Komisioni Verifikues ka një marrëveshje me organizatën “Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteve” e cila konfirmon me administratën e Universitetit se një person është i diplomuar.
Kreu i kësaj OJQ-je në Mitrovicë të Veriut, Aleksandër Arsenijevic, ka thënëse kjo mënyrë e legalizimit të diplomave, kërkon një zgjidhje më të favorshme për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme.
“Mungesa e një komisioni për verifikimin e diplomave dhe puna e ngadaltë tani po e bëjnë të vështirë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Prandaj në të ardhmen nuk do të kemi shumë serbë në institucione,” thotë Arsenijevic.
Ai thotë se aktualisht nuk po mund të verifikohet asnjë diplomë e shkollës së mesme apo kolegjeve, përveç atyre universitare. “ Ky është një problem serioz për qytetarët tanë dhe të ardhmen e tyre në Kosovë,” shton ai.
Muajin e kaluar qeveria i ka zgjatur edhe për 6 muaj mandatin këtij komisioni dhe së shpejti aplikimi do të mund të bëhet online. Komisioni gjithashtu do të zgjerojë mandatin edhe në nivel të arsimit të mesëm për t’ua mundësuar të diplomuarve në shkollat e mesme të aplikojnë për punësim ose për të studiuar në universitet në publik apo privat.
Hapet konkursi i ri për specializime, 268 vende në 37 lëmi s...
KFOR zhvillon stërvitje në Pejë, simulohet një operacion eva...
Zjarr në Kuvendin e Seulit, evakuohen 500 persona
Osmani nderohet me Çmimin “Grand Excellence 2024” nga Albani...
Guardiola: Man City nuk ka asnjë shans për titullin e Ligës ...
Prezantohet plani i veprimit për sigurinë në shkolla, Rama: ...