Policia e Kosovës, pavarësisht se është një prej institucioneve më të besueshme për qytetarët e Kosovës pranon shpeshherë edhe ankesa ndaj zyrtarëve të saj.
Inspektorati Policor i Kosovës në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka bërë të ditur për Arbresh.info se ka pranuar 570 ankesa.
“Në periudhën janar –qershor 2017, IPK ka pranuar 570 ankesa prej të cilave në Drejtorinë e Standardeve Profesionale të Policisë së Kosovës janë përcjellë 363 ankesa kurse për hetim në IPK janë 205 ankesa, një rast është mbyllur në Departamentin për menaxhimin e ankesave”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërsa vetëm për vitin 2016 Inspektorati Policor ka pranuar 1362 ankesa ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, shifër kjo e cila në krahasim me vitin e kaluar është në rritje.
“Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit 2016 ka pranuar dhe ka menaxhuar 1362 ankesa dhe informata dhe në krahasim me vitin e kaluar, ku IPK ka trajtuar 1237 ankesa, këtë vit numri i ankesave është në rritje për 125 ankesa apo 9.2 % më shumë”, thuhet në një raport të Inspektoratit.
“Gjatë periudhës së raportimit, Policia e Kosovës ka pasur 8902 punonjës”, thuhet në raportin vjetor të IPK-së.
IPK ka bërë të ditur se numri total i zyrtarëve policor të cilit ishin subjekt i hetimit gjatë vitit 2016 ka qenë 241 punonjës.
“Në total ishin 241 punonjës të PK-së si subjekt i hetimit nga IPK-ja. Të paraqitur në përqindje kjo i bie që vetëm 2.7% i punonjësve të PK-së ishin nën hetim apo 0.26% më shumë se vitin e kaluar. Pra në vitin 2016 numri i punonjësve të hetuar është më i madh për 21 punonjës se në vitin 2015”, tregon IPK-ja.
Inspektorati ka ndërmarrë masa në lidhje me këta punonjës zyrtarë duke arrestuar 69 zyrtarë prej tyre.
“Gjatë vitit 2016, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime: 69 arrestime, 99 rekomandime për suspendime dhe 6 rekomandime për transfere”, thuhet në raport.
Arsyet më të shpeshta për çka u bënë ankesat ndaj Policisë kishin të bënin me raste të rrezikimit të trafikut dhe keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit.
“Gjatë vitit 2016, IPK-ja ka hetuar raste të llojeve dhe natyrave të ndryshme. Pesë rastet më të shpeshta që u hetuan gjatë vitit 2016 ishin: 45 raste rrezikim i trafikut publik, 39 raste keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, 31 raste lëndim i lehtë trupor, 14 raste keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, 13 raste marrje e ryshfetit”, thuhet më tutje në raport.
Në mesin e zyrtarëve policorë ndaj të cilëve ka pasur ankesa ka edhe të graduar.
“Gjatë vitit 2016, IPK-ja ka hetuar 24 zyrtarë të graduar, prej tyre, 1 major, 1 kapitenë, 11 togerë, 11 rreshterë, 203 zyrtarë policorë si dhe 14 punonjës nga stafi civil”, njofton IPK./Arbresh.info/
Hasani pret homologun polak: Jemi të gatshëm të punojnë së b...
Policia organizon punëtorinë për rishikimin e strategjisë së...
Ndalohen për 48 orë dy sllovakë dhe një kosovar, dyshohet se...
Krasniqi pret në takim lamtumirës Hovenierin, e falënderon p...
Abdixhiku pret në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier dhe ...
Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë, Anne Marie Lizin