Google ADS

RrGK reagon, thotë se dënimi me 15 vite burgim për vrasjen e Hatije Dinës nga burri i saj është i pamjaftueshëm

14:11 | 17 Janar 2023
L G

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) reagon për neglizhim institucional, mos kualifikim i veprës dhe mos shqiptimin e dënimit meritor, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës Neni 173. Përmes kësaj kumtese, RrGK reagon në lidhje me kualifikimin e veprës penale dhe shqiptimin e dënimit të burrit nga Prizreni, Ilir Haxhiaj, i cili e vrau gruan e tij Hatije Dinën.

Dënimi me 15 vite burgim për vrasjen dhe shqiptimi i veprës në “lëndim i lehtë trupor”, sipas RrGK-së e normalizon dhunën dhe vrasjen e grave që ndodh vazhdimisht, raporton arbresh.info.

“Gratë jetojnë në ambiente kërcënuese dhe viktimat e dhunës mbesin pa rrugëdalje nga dhuna e përsëritur. Punësimi i grave si dhe trashëgimi i pronës mbesin ndër më të ulëtat në Ballkan dhe patjetër që kjo i mban gratë të lidhura në ambiente abuzuese. Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta si dhe kualifikimi i veprave nga ana e prokurorëve bëhet me qëllim që veprat e dhunës të zbuten dhe të ndalen hetimet. Qendrat për Punë Sociale dështojnë në mbrojtje të rasteve të ndjeshme dhe në ofrim të shërbimeve të rasteve të raportuara në Policinë e Kosovës dhe dënimet nga gjykata vazhdojnë të jenë të ulëta”, thuhet në reagim.

Moskualifikimi i duhur i veprave penale nga prokuroria dërgon gjyqtarët në dënime të ulëta dhe në mos zbatim të legjislacionit vendor që ne kemi. Kodi Penal i Republikës së Kosovës Neni 173 “Vrasja e rëndë” kërkon që dhunuesi të dënohet nga dhjetë (10) deri në burgim të përjetshëm kur personi privon nga jeta anëtarin e familjes. Andaj, përmes këtij reagimi kërkojmë që vepra të kthehet në rikualifikim nga “lëndim i rëndë trupor” në “vdekje e rëndë” dhe pas rikualifikimit të shpallet dënimi nga Gjykata.

“Hallka e dështimit institucional tregon se vrasja e grave na vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore. Institucionet dështojnë në trajtim të rasteve të dhunës në baza gjinore dhe të dhunës në familje”, thuhet tutje në reagim.

Përmes këtij reagimi, gjithashtu RrGK kërkon nga Ministria e Drejtësisë rishikim sistematik të të gjitha rasteve të dhunës me fatalitet.

RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850./arbresh.info/

Të ngjashme