RrGGK bën thirrje: Voto për gratë

15:02 | 6 Qershor 2017
Arbresh.info

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) bën thirrje që të votojmë kandidatet gra në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen me 11 qershor 2017. Gratë ende mbeten shumë pak të përfaqësuara në politikë dhe në vendim-marrje në nivel kombëtar, komunal dhe partiak.

Sipas Ligjit për Barazi Gjinore nr. 05/L-020, është obligim i yni si qytetarë, që të zgjedhim sa më shumë gra në parlament, duke pasur parasysh që subjektet politike dhe Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë dështuar në zbatimin e këtij Ligji.

Ligji për Barazi Gjinore garanton integrimin gjinor që nënkupton “përfshirjen e perspektivës gjinore në çdo fazë të procesit, të planifikimit, miratimit, zbatimit, përcjelljes dhe vlerësimit të legjislacionit, politikave ose programeve dhe buxheteve, në të gjitha sferat politike, ekonomike dhe shoqërore.” Po ashtu, ky ligj thotë se “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse” (Neni 6, paragrafi 8).

Gjithashtu, neni 14 thotë: “Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji”, i cili Nen, poashtu thekson se: “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji” (Neni 6, paragrafi 7).

RrGGK konsideron se shumë nga subjektet politike në Kosovë kanë shkelur Ligjin nr. 05/L-020 listat e tyre zgjedhore. Njëkohësisht, RrGGK konsideron që edhe KQZ ka kryer shkelje të Ligjit nr. 05/L-020 duke mos i kundërshtuar listat e dorëzuara nga subjektet politike dhe njëherit duke mos kërkuar ndryshimin e tyre.

Të gjitha palët e interesit duhet të kenë parasysh se Ligji për Barazi Gjinore, qartëson edhe faktin se “Çdo dispozitë, e cila është në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij ligji shfuqizohet” (Neni 5, paragrafi 2).

Kështu që, duke parë dështimin e akterëve kyç në këtë çështje, na mbetet neve si qytetarë të Republikës së Kosovës që të zbatojmë Ligjin për Barazi Gjinore. Ne inkurajojmë gratë dhe burrat, që të votojnë për gratë të cilat do të përfaqësojnë interesat e tyre në parlament dhe do të luftojnë për arritjen e barazisë gjinore.

Duke vlerësuar zgjedhjet si një element themelor të një shteti demokratik dhe barazinë gjinore si të drejtë themelore të njeriut, ne e konsiderojmë më se të nevojshme dhe të rëndësishme që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u ipen mundësi të barabarta. Mungesa e demokratizimit dhe pjesëmarrja e pamjaftueshme e grave në vendim-marrje brenda shumicës së subjekteve politike historikisht ka privuar padrejtësisht gratë nga pjesëmarrja në vendim-marrje në nivel qendror e lokal.

Duke qenë të paanshëm politikisht dhe pa dashur të favorizojmë asnjërin subjekt politik, ne bëjmë thirrje që të votohen gratë nëpër listat zgjedhore, që të kontribuojmë në përfaqësimin prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, ashtu siç e garanton Ligji nr. 05/L-020. Prandaj, për përfaqësim të barabartë, të votojmë për gratë!

Përkrahja e pjesëmarrjes së grave në Kuvendet qendrore dhe komunale është pjesë e Strategjisë së RrGGK-së 2015-2018.

Misioni i RrGGK është që të përkrahë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike, mosha, niveli i arsimit, orientimi seksual dhe aftësia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme