Dhomat e Specialziuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në dy vendime të ndara, më 15 korrik 2024, trupi gjykues ka vendosur që paraburgimi ndaj dy të akuzuarve të vazhdohet edhe për dy muaj të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtja e Krasniqit kishte kërkuar lirimin e përkohshëm të klientit të tyre për një periudhë trejavore, konkretisht gjatë pushimeve verore të gjykatës, mirëpo kjo kërkesë është rrëzuar.
“Mbrojtja e Krasniqit kërkon që Paneli të autorizojë lirimin e përkohshëm të z.Krasniqi dhe ta lejojë atë të kalojë tre javë gjatë pushimeve gjyqësore të verës, duke iu nënshtruar disa masave, në vendndodhjen e specifikuar nga mbrojtja e Krasniqit në përgjigjen e saj (“Vendndodhja e Specifikuar”). Ajo argumenton se vendosja e disa masave gjatë një periudhe relativisht të shkurtër të lirimit të përkohshëm do të zvogëlonte çdo rrezik të pretenduar të pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme në një nivel të pranueshëm”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit ndaj Krasniqit.
Për çka, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte parashtruar se mbrojtja nuk ka paraqitur asnjë argument që heq nevojën për vazhdimin e paraburgimit ndaj Krasniqit.
Ndërsa, masat të cilat i kishte propozuar mbrojtja për lirimin e përkohshëm të Krasniqit ishin; Lirimi për një periudhë të kufizuar prej tre javësh, ndalesa për të bërë deklarata publike, qasje e kufizuar në pajisjet e komunikimit dhe internetin, qasja e kufizuar në vizitorë dhe monitorimi i komunikimeve.
Megjithatë, Paneli ka konstatuar se masat alternative duke përfshirë edhe ndalimin në shtëpi për një periudhë të kufizuar, nuk mund t’i zbusin mjaftueshëm rreziqet ekzistuese në lidhje me Krasniqin.
“Paneli gjithashtu kujton gjetjet e tij se është vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimeve të zbatueshme në objektet e ndalimit që komunikimet e z.Krasniqi mund të kufizohen në një mënyrë që do të zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet e pengimit dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme. Paneli gjithashtu më parë kishte mbajtur që masat në vend në objektet e ndalimit, të shikuara si tërësi, (i) ofrojnë sigurime të fuqishme kundër vizitave dhe komunikimeve të pamonitoruara me anëtarët e familjes dhe vizitorët e miratuar paraprakisht me qëllim të minimizimit të rreziqeve të pengimit dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme; dhe (ii) ofrojnë një mjedis të kontrolluar ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të identifikohet dhe/ose parandalohet më lehtë”, thuhet në vendimin për Kransniqin.
Gjithashtu, në vendim thuhet se Paneli kishte konstatuar se mbrojtja e Krasniqit nuk ka treguar se si masat e propozuara do të zbatoheshin si dhe nuk ka ofruar ndonjë detaj që mund ta mbështeste paraqitjen e saj.
Ndërsa, tek arsyetimi i paraburgimit, sipas vendimit, në parashtrimet e veta ZPS-ja kishte përmendur se në rast që dënohet, Krasniqi mund të përballet me një dënim të gjatë e po ashtu në Kosovë vazhdon fryma e frikësimit të dëshmitarëve, duke e cilësuar të nevojshme masën e paraburgimit.
Në anën tjetër, mbrojtja kishte argumentuar se në përputhje me të drejtën e Krasniqit për jetën familjare, moshën e tij të shtyrë, e faktorë të tjerë, të lejohet për tri javë lirimi i përkohshëm i tij.
Për këtë, vendimi thotë se Paneli nuk ishte i bindur se kushtet e paraburgimit ndaj Krasniqit shkaktojnë vështirësi e që do të justifikonin lirimin e tij.
“Paneli konstaton se e drejta e z. Krasniqi për jetën familjare është e kufizuar në mënyrë të natyrshme deri në njëfarë mase nga paraburgimi, por të gjitha hapat e arsyeshëm, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtarisht të pranuara për trajtimin e personave të privuar nga liria, po merren për të zvogëluar ndikimin. Paneli konsideron se një periudhë e shkurtër e lirimit me kusht do të kontribuonte padyshim pozitivisht në mirëqenien dhe shëndetin mendor të z.Krasniqi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vazhdimi i paraburgimit të tij është bërë i paarsyeshëm – veçanërisht në dritën e veçorive të veçanta në këtë rast të përmendura më sipër”, thuhet tutje në vendim.
Gjithnjë sipas vendimit, Paneli ka konstatuar se mosha e Krasniqit nuk e bën paraburgimin e tij të paarsyeshëm.
“Në dritën e sa më sipër, Paneli gjen se paraburgimi i z. Krasniqi për një periudhë tjetër prej dy muajsh është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit. Paneli vëren, megjithatë, se z. Krasniqi ka qenë tashmë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohe dhe se gjyqi në këtë rast është i gjatë. Siç ka treguar më parë Paneli, kjo do të kërkojë që Paneli dhe të gjitha Palët të jenë veçanërisht të vetëdijshme për nevojën që gjyqi të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur. Paneli do të vazhdojë të monitorojë në çdo fazë të këtyre procedurave nëse vazhdimi i paraburgimit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm. Paneli gjithashtu kujton se mund të urdhërojë lirimin me mëshirë, për një periudhë të kufizuar kohe”, thuhet në vendim.
Kjo e fundit, sipas gjykatës nëse rrethanat personale të Krasniqit përbëjnë arsye të forta humanitare që justifikojnë një lirimin e tillë në të ardhmen.
Si rrjedhojë, Paneli ka urdhëruar mbrojtjen që të dorëzojë një version të redaktuar të përgjigjes së saj mbi shqyrtimin periodik të Krasniqit, pasi të njëjtën e kishte dorëzuar konfidenciale dhe ex parte.
Pra, kërkesa e mbrojtjes për lirim me kusht është rrëzuar dhe kështu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj të tjerë për Krasniqin.
Ngjashëm si për Krasniqin, gjatë shqyrtimit periodik të paraburgimit ndaj Selimit, ZPS-ja kishte thënë se asnjë masë alternative nuk i zbut mjaftueshëm rreziqet që mund të paraqiten sa i takon procesit gjyqësor ndaj dy tyre.
ZPS-ja ka parashtruar se asgjë nuk ka ndryshuar nga vendimi 15 për shqyrtimin e masës së paraburgimit ndaj dy të akuzuarve kur trupi gjykues kishte konstatuar se rreziqet e pengimit të procedurave dhe kryerjes së mëtejshme të veprave tjera penale mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektet e paraburgimit.
“ZPS shton se asgjë nuk ka ndodhur që prej vendimit të pesëmbëdhjetë për paraburgim që justifikon një vlerësim të ndryshëm. Përkundrazi, sjellja e z. Selimi përfaqëson një rrezik më të lartë se kurrë siç dëshmohet nga modifikimi i kushteve të paraburgimit për të vendosur kushte më të rrepta”, thuhet në vendimin për Selimin.
Njëjtë si për Krasniqin edhe për Selimin, trupi gjykues ka konstatuar se në rast që ky i fundit dënohet, do të përballet me një dënim të gjatë e po ashtu ekziston klima e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë si dhe pengimi i procedurave gjyqësore. Andaj, thuhet se vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj tij është i arsyeshëm.
“Në dritën e sa më sipër, si dhe faktit që ka rreziqe të vazhdueshme të pengimit të procedurave dhe të kryerjes së mëtejshme të krimeve, asnjëri prej të cilëve nuk mund të zbutet në mënyrë të mjaftueshme nga zbatimi i masave alternative të arsyeshme, Paneli gjen se paraburgimi i z. Selimi për një periudhë tjetër prej dy muajsh është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”, thuhet në vendimin për paraburgimin ndaj Selimit.
Paneli thekson se Selimi ka qenë tashmë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohe dhe se gjyqi në këtë rast është i gjatë.
“Siç ka treguar më parë Paneli, kjo do të kërkojë që Paneli dhe të gjitha palët të jenë veçanërisht të vetëdijshme për nevojën që gjyqi të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur. Paneli do të vazhdojë të monitorojë në çdo fazë të këtyre procedurave nëse vazhdimi i paraburgimit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet më tej.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...